“Skandali me tenderin fiktiv 2.5 mln euro nga AKSHI”, PD: Kush fshihet pas përfituesit të taksave të shqiptarëve? Rama të japë përgjigjen një orë e më parë

0
Whatsapp Image 2020 08 31 At 2.08.42 Pm

Partia Demokratike i ka kërkuar sot kryeministrit Edi Rama të tregojë se kush fshihet pas përfituesit të taksave të shqiptarëve, Igli Gjelishti duke risjellë në fokus ‘skandalin me tenderin fiktiv 2.5 milionë euro nga AKSHI’.

Ish-deputeti i PD-së Endri Hasa tha sot nga selia e PD se kompania Image & Communications Development është kompania e privilegjuar në tenderat publikë nga qeveria, me miliarda lekë në 4 vitet e fundit

“Javën e shkuar denoncuam vjedhjen e radhës së taksave të shqiptarëve të firmosur nga AKSHI për Image & Communications Development.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht i ka dhënë 2.5 miliard lekë tendera fiktivë, pa konkurrencë dhe afër fondit limit kësaj kompanie.

Kjo kompani që rezulton të jetë në pronësi të Igli Gjelishtit, ka përfituar në të njëjtën mënyrë plot 7.5 miliardë lekë në 2 vjet.
10 milion lekë çdo ditë ka përfituar Igli GJelishti nga paratë e shqiptarëve ndërkohë që ekonomia është zhytur në krizë dhe mijëra qytetarë humbin vazhdimisht vendet e punës duke mos siguruar dot as bukën e gojës”, deklaroi Hasa.

Sipas PD, qytetarët kanë vështirësi ekstreme dhe luftojnë për mbijetesë, por taksat e tyre nuk përdoren për të rimëkëmbur ekonominë sepse banda e hajdutëve në qeveri mendon vetëm si t’i çojë paratë në xhepat e pushtetarëve dhe miqve të Edi Ramës.

“Image & communications Development edhe pse e krijuar në vitin 2010 nuk ka deklaruar fare të ardhura dhe as ka depozituar bilance deri në vitin 2014.

Kompania e Igli Gjelishtit ka filluar të deklarojë fitime vetëm në vitin 2015, vit kur ka filluar rritja e saj galoponte duke shërbyer si kompani fasade për të përfituar fondet publike.
Si ka mundësi që kjo kompani për portalin opendata.gov.al që në fakt pasqyron vetëm te dhëna statistikore të institucioneve është paguar 739 milion leke në vitin 2018?
Si ka mundësi që ndërkohë që kjo kompani ka përfituar mbi 2.3 miliardë leke ne vitin 2018 për sistemin e gjobave elektronike për Policinë e Shtetit, policët e trafikut vazhdojnë të mbajnë blloqe letre në dorë?
Si ka mundësi që kostoja për regjistrin elektronik për formularët e vizitave të Mjekut të Familjes është shumëfishuar në krahasim me kërkesat e vetë institucionit duke i paguar kompanisë plot 1.8 miliard lekë?
Si ka mundësi që sistemi për shkëmbimin e informacionit financiar te tatimeve do ti kushtojë Shqiptarëve 899 milion lekë?
Çfarë lidhje ka kompania me shërbimet publike të publikuara e E-albania për të përfituar mirëmbajtjen e tyre për 430 milion leke?
Kush ishte ai që e mundësoi rritjen galoponte të përfitimeve të Image and Communication Development?
Kush fshihet pas Igli Gjelishtit? Kjo pyetje duhet të marrë përgjigje sot, një orë e më parë”, deklaroi ish-deputeti i PD.

Ai theksoi se drejtësia duhet të hetojë abuzuesit dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që janë përfshirë këto abuzime me paratë e shqiptarëve.

“Ata që vjedhin me tendera fiktivë paratë e shqiptarëve duhet të përballen me drejtësinë dhe të marrin ndëshkimin e duhur ligjor”, deklaroi Hasa.

Artikulli i mëparshëmSHORTI/ Fati i buzëqeshë Tiranës, Kukësi “peshkon” Volfsburgun
Artikulli i radhësPse Greqia dëshiron të zgjerohet me 12 milje? Analiza e profesorit grek: Athina po punon që të krijojë front antiturk