Çokollata është përbërësi kryesor në pothuajse 40% të ëmbëlsirave të proteinave, apo shufrave me proteina, ku shumë janë gjithashtu të pasura me yndyrë të ngopur dhe që përmbajnë sheqer dhe kripë të shtuar, sipas një raporti të ri të “Safefood”, një program që kryen hulumtime përsa i përket ushqimit. Hulumtimi gjithashtu vuri në dukje se 37% e njerëzve besuan se ëmbëlsirat e proteinave ishin “të shëndetshme” në një studim të 2,000 personave në vitin 2018.
Sidoqoftë, hulumtimi theksoi se kur krahasohen konsumimet aktuale të proteinave në mesin e të rriturve me atë që rekomandohet, si burrat ashtu edhe gratë, tashmë po konsumojnë më shumë proteina sesa duhet nga dieta e tyre. Hulumtimi shqyrtoi përmbajtjen ushqyese të 83 ushqimeve me proteina të larta dhe pijeve të disponueshme për shitje në supermarkete. Këto ushqime përfshinin produkte me proteina dhe produkte bulmeti.
Drejtoresha e “Safefood” Dr. Catherine Conlon tha që shumë nga këto produkte kanë kalori të ngjashme me atë të një çokollatë normale.
“Ne kemi parë një ngritje të konsiderueshme në numrin dhe shumëllojshmërinë e ushqimeve dhe pijeve për shitje, të cilat kur i kemi pyetur njerëzit, një e treta mendonin se ishin të shëndetshme. Sidoqoftë, shumë nga këto produkte janë, në të vërtetë, ushqime shumë të përpunuara,” tha Conlon.
Nga 39 produkte me proteina, 38% rendisin çokollatën si përbërësin e tyre kryesor. Tre të katërtat ishin me yndyrë të ngopur, ndërsa 79% kishin një burim kripe.
“Ushqimet e përpunuara të pasura me proteina duhet të kombinohen me yndyrën, sheqerin ose kripën në mënyrë që t’i bëjnë ato të shijshme,” shtoi Conlon.
“Njerëzit duhet të qëndrojnë më mirë te burimet natyrale të proteinave në dietën e tyre, të cilat priren të jenë shumë më të shëndetshme. Nëse keni nevojë për një burim të proteinave, alternativa si disa arra, një gotë e vogël qumësht ose kos është më e mirë sesa ushqimet me çokollatë të shtuar,” theksoi Conlon.