Në fshatrat e Njësisë Administrative Ishëm të Durrësit, shkollat e dëmtuara nga tërmeti nuk janë gati.
Fëmijët në shkolla që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë nga COVID-19.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri kanë takuar mësues, prindër dhe nxënës të fshatrave Lalëz, Likmetaj dhe Gjuriçaj.
Vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor në kushte të pandemisë së COVID-19, në Njësinë Administrative Ishëm të bashkisë Durrës, shkollat nuk janë gati për të pritur nxënësit me kushtet e përcaktuara nga protokolli i sigurisë.
Në këtë zonë, fëmijët do të nisin një vit të vështirë mësimor pasi shkollat e dëmtuara nga tërmeti i vitit të shkuar nuk janë rindërtuar ashtu siç kishte premtuar Edi Rama dhe qeveria e tij.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri u ndalën në tre fshatra të kësaj njësie ku dëgjuan nga afër shqetësimet e mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve.
Në fshatin Lalëz e vetmja shkollë funksionale do të presë të gjithë ciklet e klasave nga fëmijët e kopshteve deri tek nxnësit e gjimnazit pasi shkolla tjetër është dëmtuar plotësisht nga tërmeti.
Ish-drejtori i kësaj shkolle, por edhe prindër e nxënës i thanë përfaqësuesve të PD se shkolla nuk plotëson dot kushtet e sigurisë pasi do të duhet të përballojë një numër të madh nxënësish ndërsa kapaciteti i saj është i vogël.
Problemi më i madh i kësaj shkolle përveç ngarkesës dhe infrastrukturës së amortizuar nuk ka asnjë kusht higjeno-sanitar pasi tualeti është tërësisht jofunksional. në një tjetër fshat të kësaj njësie, Likmetaj, shkolla ka dalë jashtë funksioni dhe fëmijët duhet të ecin kilometra të tëra për të shkuar në një shkollë tjetër ku do të mësojnë me turne pasi shkolla që duhej të rindërtohej për vitin e ri, nuk do të jetë gati për vitin e ri.
Për prindërit problem është edhe transporti pasi përveç fondit që ka vënë drejtoria arsimore duhet të paguajnë edhe vetë për të përballuar këtë aspekt. Gjithashtu në kushtet që banorët jetojnë në këtë zonë, mësimi online është i pamundur pasi jetojnë ende në çadra për shkak se shtëpitë e tyre janë dëmtuar nga tërmeti dhe ende nuk kanë asnjë zgjidhje.
Një prej prindërve tha se edhe gjatë kohës së izolimit, mësimi online ka qenë formal pasi nuk ka qenë aspak e mundur të kryhej procesi mësimor online nga kushtet e vështira në të cilat ata jetojnë.
Situata e ngjashme u konstatua edhe në Gjuriçaj, ku shkolla edhe pse ka nisur të rindërtohet nuk do të jetë gati as për fillimin e vitit por ndoshta as për një kohë të gjatë. Prindërit i thanë zonjës Vokshi dhe zotit Strazimiri se askush nuk u ka thënë se si do të zhvillohet mësimi.
Ata nuk kanë asnjë informacion se si do të organizohet procesi mësimor dhe si do të sigurohet zbatimi i protokollit të sigurisë nga COVID-19 në kushtet e vështira në të cilat do të nisë ky vit i ri.