Një rrjet i klinikave veterinare finlandeze do të financojë trajnimin e 16 qenve, të aftë për të identifikuar udhëtarët pozitivë për koronavirus, që udhëtojnë nga aeroporti i Helsinkit.
Kafshët e para do të vendosen brenda disa javësh në një periudhë prove, dhe “nëse projekti do të rezultojë i suksesshëm, atëhere do të lindë nevoja për të trajnuar me qindra qen”, tha për “Washington Post” Virpi Perala, një nga përfaqësuesit e këtyre klinikave.
Finlanda nuk është vendi i parë që përpiqet të përdorë nuhatjen e qenve për të parandaluar përhapjen e virusit raporton abcnews.al.
Që prej gushtit në Dubai, zyrtarët shëndetësorë janë duke trajnuar qentë, për të analizuar mostrat e djersës, të marra nga udhëtarët e zgjedhur rastësisht në aeroporte.
Sipas rezultateve të para të eksperimentit, kafshët kanë zbuluar virusin në 94.5% të rasteve.
Po sipas këtij studimi, për të cilin do të duhen analiza dhe evidenca më të thelluara, kur një person sëmuret nga një virus, ai ndryshon erën e trupit, dhe “shoku më i mirë i njeriut” është në gjendje ta kuptojë menjëherë.
Qentë do të nuhasin mostra djerse pa rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me udhëtarët.
Përdorimi i qenve ka një avantazh: lejon të bëhen më pak teste tek njerëzit.
Pacientët që pranojnë t’i nënshtrohen këtij kontrolli, marrin kampionë nga djersa e tyre duke fërkuar tamponin në qafë, dhe kjo është më e thjeshtë, se sa t’i nënshtrohen kontrollit klasik të nazofaringut.
“Qentë janë më të mirë për zbulimin e infeksioneve të Koronavirusit, sesa tamponët dhe testet serologjike”, tha Anna Hielm – Bjorkman, një studiuese në Universitetin e Helsinkit, e cila shtoi se kafshët janë në gjendje të nuhasin virusin edhe në ata individë të cilët janë ende asimptomatikë.