Tirana ëndërron milionat, ja sa mund të përfitojnë kampionët e Shqipërisë në Ligën e Europës

0

tIRANA56

Tirana ka shansin më të madh të bëjë atë që vetëm Skënderbeu ka bërë gjatë gjithë historisë së futbollit shqiptar. T’ia dalë të grumbullojë më shumë se 3-4 milionë euro fitime nga pjesëmarrja në fazën e grupeve. Janë shumë komponentë që e çojnë Tiranën shumë lart në të ardhura, gjithmonë nëse kalon në fazën e grupeve të Europa League e ndalet atje.

FITIMET NGA FONDI I SOLIDARITETIT – Tirana deri tani që flasim ka të sigurta 920 000 euro, ndërsa mbetet për t’u parë nëse në “play off” do të grumbullojë 1.22 milionë euro apo do të marrë fondin prej 2.92 milionë eurosh.

Nëse do të kualifikohet, sigurisht që do të marrë 2.92 milionë euro, ndërsa nëse eliminohet nga “play off”- i, atëherë shuma e fituar vetëm nga fondi i solidaritetit është 1.22 milionë euro. Kjo shumë nuk është përfundimtare, pasi me të gjitha gjasat do t’i shtohen edhe rreth 100 mijë të ardhura nga e drejta televizive dhe marrëdhënie të tjera për ndeshjet e Europës. Madje, Tirana edhe për turin që pati fat, merr një shumë të vogël.
TIRANA

KUALIFIKIMI – Goditja e madhe do të jetë nëse Tirana kualifikohet në fazën e grupeve. Atëherë fitimi do të jetë gjigant. Sepse, kualifikimi sjell 2.92 milionë euro të sigurta që futen në arkat e Tiranës. Problem mbetet që 260 mijë eurot e marra nga Tirana prej UEFA-s si kampione nuk jepen, nëse skuadra kalon në grupet e Europa League. Sigurisht, përfitohen paratë e Champions-it, pra kualifikimit të turit të parë dhe të dytë që janë 660 mijë euro.

REZULTATET – Një tjetër e ardhur e madhe që mund t’i shtohet Tiranës në fazën e grupeve janë edhe rezultatet. Një fitore kushton 570 mijë euro, ndërsa një barazim 190 mijë euro. Për shembull, Ferencvaroshi sezonin e shkuar grumbulloi 1.4 milionë euro nga rezultatet në fushën e lojës, edhe pse në fund të fazës së grupeve të Europa League doli jashtë gare. Nëse kualifikohesh tej fazës së grupeve, pra del i pari apo i dyti në fazën e grupeve, merr respektivisht 1 milion dhe 0.5 milionë euro plus para të tjera.

KOEFICIENTI – Një e ardhur tjetër për Tiranën, nëse kalon në fazën e grupeve, është edhe koeficienti i 10 viteve të fundit. Bëhet fjalë për një renditje që ka një pikavarash nga 1 në 48. Çdo pikë që ti ke në renditje, të jep 71 430 euro. Pra, nëse ti në fund grumbullon apo ke tri pikë, atëherë të bie të marrësh më shumë se 200 mijë euro.

“MARKET POOL” – E fundit, por jo nga rëndësia, është “Market Pool”. Bëhet fjalë për shitjen e së drejtës televizive dhe të drejtave të tjera që rregullohen prej UEFA-s. Për një federatë si ajo shqiptare dhe Tiranën, i bie që bardheblutë të marrin gjithë shumën, që mund të jetë minimalisht 100 mijë euro e sipër. Bardheblutë nuk e ndajnë me skuadra të tjera, sepse zor se ndonjë skuadër tjetër shkon në grupe. Gjithmonë supozimet janë që skuadra të luajë vetëm në grupe, sepse sa më shumë të ecë, aq më shumë para grumbullon.

TË TJERAT – Tirana dihet që ka grumbulluar rreth 460 mijë euro nga e drejta TV e kampionatit dhe Europës, paratë e Merveilit apo shpërblimin e bashkisë. Po t’i shtosh edhe paratë e tjera, atëherë i bie që Tirana të grumbullojë minimalisht 1.68 milionë euro vetëm këtë sezon. Sigurisht në rastin më të keq. Në rastin më të mirë, bardheblutë mund të shkojnë me 6 milionë euro, siç grumbulloi sezonin e shkuar Ferencvaroshi, skuadra më e dobët e fazës së grupeve në Europa League./panoramasport

Artikulli i mëparshëmArthur prezantohet tek Juventus: “Ëndërr të luaj me CR7, Champions është prioritet”
Artikulli i radhësVIDEO/ Pranga grupit shqiptar dhe ‘shefit’, furnizonin me kokainë dhe kanabis ishullin e famshëm grek