Kombëtarja shqiptare është nisur sot rreth orës 16:00 drejt Minskut, ku të premten mbrëma do të luajë ndaj Bjellorusisë në ndeshjen e parë të Kupës së Kombeve. Delegacioni kuqezi ka mbërritur rreth orës 20:00 në kryeqytetin bjellorus dhe është akomoduar menjëherë në hotel.
Sipas asaj që bën të ditur FSHF në faqen zyrtare, atmosfera në skuadër është mjaft pozitive. Pas seancës së zhvilluar të mërkurën në mëngjes në Durrës, skuadra do te zhvillojë të enjten seancën zyrtare stërvitore duke filluar nga ora 18:15 në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. 30 minuta përpara stërvitjes së fundit trajneri Edoardo Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj do të dalin në konferencë për shtyp.
Siç është bërë më herët me dije, nuk kanë udhetuar me ekipin lojtarët Hysen Memolla, Ylber Ramadani dhe Ardian Ismajli. Memolla e Ismajli kanë ardhur të dëmtuar në grumbullim dhe nuk u rikuperuan dot për sfidën e parë, ndërsa Ramadani ka pësuar një dëmtim në stërvitje. Të tre këta lojtarë do të qendrojnë në Shqipëri e do vazhdojnë terapi dhe stërvitje në mënyrë të diferencuar me shpresën që të mund të rikuperohen për ndeshjen e dytë kundër Lituanisë në “Air Albania Stadium” ditën e hënë.