Mes frikës nga ndëshkimi dhe luftës së klaneve, kush është ekipi i fundit i Ramës

0

Një vëzhgim i Gazetës Mapo mbi lëvizjet e Kryeministrit dhe ndërtimin e ekipit elektoral, që besohet se është i fundit që ai krijon, përpara kalimit në opozitë. Rikthimi i emrave të akuzuar, dhe vijimësia e të konsumuarve. Një përpjekje për të mbajtur nën kontroll Partinë Socialiste, teksa fërkimet dhe përplasja e klaneve kanë nisur.

Edi Rama mbajti tre ditë më parë fjalimin më pesimist të karrierës së tij, që kur ka ardhur në krye të pushtetit, në vitin 2013. Në oborrin e një restoranti në Labinot të Elbasanit, përballë deputetëve dhe bashkëpunëtorëve, disa të akuzuar më shumë e disa më pak për gjithë tollovinë dhe humnerën financiare të këtyre viteve pushtet, ai pranoi se votat kanë firuar dhe mes elektoratit të rreshtit ose atyre të dëshpëruarve që “nuk kanë votuar kurrë për Saliun”.

Zjarri i optimizimit është shuar dhe në sytë më optimistë të PS, si fjala vjen Elisa Spiropali, e cila deklaron se Rilindja “do ngrejë skuadrën më të pastër”. Diçka që ajo nuk e beson as vetë! Rama do shprehej se ai që nuk do të arrinte rezultatet e pritura në zgjedhjet e ardhshme nuk do ishte më pjesë e ekipit të tij. Duke ju shmangur bilancit të qeverisjes, Rama do caktojë edhe drejtuesit politikë të qarqeve. Të njëjtët emra, e njëjta rutinë si në zgjedhjet e tjera.

Beqja, Ruçi, Gjiknuri, Spiropali, Veliaj, Balla, do mbajnë peshën e propagandës së qeverisjes në qarqe, të shoqëruar dhe nga kryetarët e bashkisë që u zgjodhën pa garë në qershorin e 2019-ës. Natyrisht, në skenë doli dhe ideja e ndryshimit të emrave të qeverisë, por që në tregun politik nuk sjellin asgjë të re asgjë interesante. E parë në këtë prizëm dhe në listat e deputetëve, askush mos presë ndonjë revolucion. Duket sikur Kryeministri nuk po zgjedh ekipin e fitores, por armatën e të bindurve që do e shoqërojnë në opozitë.

****
Si një ndjekës i apasionuar i sondazheve, qoftë dhe në faqet më periferike të internetit, Rama ka bërë llogaritë e tij. Votat e pretenduara nuk i dalin kurrkund, me asnjë lloj llogarie elektorale apo matematikore. “Të fortët” e shpresuar ata që ishin garantët e manipulimit të votave, në fund bëjnë llogaritë e tyre dhe se kanë për gjë të të “lënë targën”.

Image

Rama është shumë vonë për ti mbajtur larg, por dhe në pozita të disfavorshme për të kërkuar sërish ndihmë nga kjo kategori të cilët tashmë mendojnë më shumë se si të ruajnë paratë që kanë fituar gjatë kësaj kohe, se sa të ruajnë pushtetin e Ramës. Klithma e Erjon Braçes, për t’ia faturuar rekrutimin e tyre opozitës ngjan qesharake. Të kishte hyrë në këto hulli, opozita ndoshta nuk do vuante sot pasojat e një pushteti represiv apo të duronte dhunën e ushtruar ndaj saj në rrugë e në parlament. Prandaj, Kryeministri sot kërkon një fitore hileqare me ndryshime rregullash në mes të lojës, apo me lojë të pandershme duke hedhur në fushën e lojës paratë e atyre që kanë abuzuar me pushtetin. Por a do ja dalë?

****
Në këto kushte, thirrja e Ramës ishte e qartë se ku drejtohej. Vendosja e drejtuesve politik në qarqe nuk ishte rastësi. Sa më i akuzuar të jesh, aq më shumë duhet të paguash. Prandaj sot komisarë të propagandës dhe jo vetëm do jenë Beqja i akuzuar për tenderat dhe konçensionet në Ministrinë e Shëndetësisë, Olta Xhaçka për tenderat e Mbrojtjes, Elisa Spiropali e akuzuar nga PD për dëmin 5 milionë euro në dogana, Taulant Balla për lidhjet e tij të dyshimta me biznesmenë që vijnë nga bota e krimit, apo lidhjet e dyshimta me bandat e Elbasanit.

Erjon Veliaj me lejet e ndërtimit, që sipas një raporti të Global Initiativë janë lavatriçja kryesore për pastrimin e parave të trafikut.

Damian Gjiknuri i përmendur në dosjen e Dibrës, apo për tenderat dhjetra million euro me kompani fantazëm, dhe qershia mbi tortë ishte vetë Rama që la Vlorën për të marrë Durrësin, si e vetmja mënyrë për të hequr nga drejtimi i këtij qyteti Vangjush Dakon, kryebashkiakun e akuzuar për gjithçka.

Që nga betonizimi i qytetit, varrosja e historisë së Dyrrahut, dhënien e lejeve të ndërtimit për shumicën e godinave që u prishën dhe deri tek manipulimi i votave me bandat e Shijakut.

Strategjia e Ramës duket se nuk sjell asgjë të re nga ajo çka përjetuan shqiptarët në vitin 2017, kur ai kërkonte timonin apo tepsinë i vetëm. “A jam unë Kryeministri më i mirë që mund të jem për shqiptarët? Po ju a jeni deputetët më të mirë që ata mund të kenë? A është kjo që kemi bërë deri më sot më e mira që ne mund të bëjmë për ta? Shqiptarët nuk e kanë sot një alternativë më të mirë se sa mua dhe se ju, që na vunë në krye të vendit”, do shprehej Kryeministri në fjalën e tij.

Ky paragraf me sa duket do të jetë dhe lajtmotivi që do dëgjojmë shpesh muajt e ardhshëm, dhe që do intensifikohet dhe më shumë në muajt e fushatës! Por sa është e vërtetë kjo dhe a është Rama dhe ekipi i tij zgjedhja më e mirë? Faktet janë kokëforta!

E vërteta është se Rama me ekipin janë njerëzit që kanë futur më shumë në borxh shqiptarët se çdo qeveri tjetër, dhe kanë punuar më pak. Shifrat sot raportojnë një borxh prej gati 80% të PBB dhe kjo ska të bëjë me pandeminë. Shifrat kanë qenë të larta dhe në vitet në vijim.

E megjithatë, ky borxh sipas ekspertëve nuk është reflektuar në ekonomi. Shqiptarët kanë përjetuar vetëm rritje taksash, por jo rritje të pagave, nuk ka investime në shëndetësi dhe arsim, ashtu sikundër mungon ndihma ndaj bujqësisë. E vetmja gjë që kjo qeveri ka ditur ta bëjë mirë ka qenë dhënia me PPP e aseteve kombëtare, tenderimet abuzive, betonizimi i qyteteve ku Tirana mban rekord, rrëmujën me pronat dhe hipotekat, veprime që duket se shqiptarët do duhet ti vuajnë gjatë.

Por cilët janë drejtuesit politikë në qarqe me të cilët Rama, kërkon mandatin e tretë, dhe cilat janë akuzat që rëndojnë mbi ta:

Në Kukës
Kryetari aktual i bashkisë Safet Gjici është akuzuar nga Partia Demokratike për përfitimin e 25.2 milionë euro nga dy kompanitë e tij Eurogjici Security dhe Toni Security. Të dyja këto kompani sipas ish-deputetit të PD Ervin Salianji kanë përfituar më shumë se 300 tendera, nga të cilat gati 170 prej tyre pa garë. Akuzat janë bërë në vitin 2018.

Në Tiranë
Erjon Veliaj dhe Elisa Spiropali. I pari kryetar Bashkie, mbi të cilin rëndojnë akuza të panumërta që nga lejet e ndërtimit, pastrimi i parave, abuzimi me tenderat ku një prej tyre është ai i Unazës etj. E dyta Elisa Spiropali, e akuzuar vazhdimisht nga Partia Demokratike për abuzim me 5 milionë euro kur ishte drejtuese e përgjithshme e Doganave. Akuza ndaj Spiropalit janë ngritur dhe për përvetësimin e qindra milionë lekëvë nga kompania e të vëllait, e krijuar në ditën që u krijua dhe qeveria Rama në 9 shtator 2009.

Në Elbasan
Taulant Balla është një prej personave më shumë të akuzuar nga opozita, që nga përfitimi i tenderave me anë të firmës së një prej miqve të tij. Në vitin 2018 kryetari i opozitës Lulzim Basha ngriti akuza për lidhje direkte të Ballës me paratë e gjetura në makinën Toyota Yaris, në Durrës. Emri i Ballës doli edhe në çështjen Xhisiela, të ngritur nga ish oficeri Emiljani Nuhu, për një rast abuzimi në Fushë- Krujë nga djali i deputetit Rrahman Rraja. Në vitin 2018, opozita i kërkoi BE-së përjashtimin e Ballës nga kryetar i delegacionit për hapjen e negociatave në BE, kërkesë që u kundërshtua nga Raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein.

Në Shkodër
Ilir Beqja është një nga ministrat më të akuzuar të qeverisë Rama 1, për tenderat dhe konçensionet. Check-up falas, hemodializa, konçensionet e sterilizmi mbajnë të gjitha firmën e tij, dhe kapin një vlerë që shkon në mbi 300 milionë euro. Jehona e këtyre akuzave është ende e freskët sidosmos tashmë në kohën e COVID 19.

Në Dibër
Olta Xhaçka e akuzuar së fundmi nga PD për shkelje të barazisë në tendera, në lidhje me furnizimin me ushqime të Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas akuzës të dorëzuar në SPAK, dëmi i shkaktuar shkon në 1.5 milionë euro. E jo vetëm kaq. Bashkëshorti i saj Artan Gaçi, ish deputet i PS, shfaqet në përgjimet e dosjes 184 për manipulimin e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale, pikërisht në Dibër.

Në Vlorë
Damian Gjiknuri i akuzuar për manipulim votash në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër. Në përgjime del teksa bisedon me një prej sekserëve të votave për rezultatin e arritur dhe përmend ndërhyrjen e “çunave problematikë”. Në protestat për Unazën e Re u akuzua nga Basha si i përfshirë në skandalin e tenderit, ku dhjetra milionë euro ju dhanë një kompanie fantazëm.

Në Lezhë
Lindita Nikolla ideatore e Ligjit për Arsimin e lartë, i cili shkaktoi jo pak protesta në vitin 2016 nga ana e studentëve që kërkonin dorëheqjen e saj. Ish-kreu i Libra-s Ben Blushi, do e akuzonte një vit më vonë e do hidhte akuzat për shitjen e vendeve të punës në institucionin e saj. Duhet theksuar se nga ky qark është mbajtur larg Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, që është parë si kandidaturë konfliktuale.

Në Fier
Gramoz Ruçi një ndër njerëzit më të konsumuar në politikën shqiptare, prej 30 vjetësh deputet dhe ish-Ministër i Brendshëm në qeverinë e Adil Çarçanit.

Në Durrës
Edi Rama, që ka zgjedhur kështu një mënyrë për të larguar pa hatërmbetje që andej Vangjush Dakon. Vetë Kryeministri do e komentonte këtë braktisje të Vlorës, si një nevojë që ka Durrësi pas tërmetit të vitit 2019. Akuzat për të tashmë dihen.

Në vija të përgjithshme ky është pak a shumë ekipi i cili do drejtojë propagandën për mbledhje votash në qarqe. Individë që kanë mbajtur poste të larta në qeverisjen e Rilindjes. Natyrisht këta nuk do të jenë vetëm. Dy ditë më pas, Rama do mblidhte dhe krerët e bashkive të zgjedhur pa garë në zgjedhjet e vitit 2019, ku ashtu sikundër deputetëve u kërkoi rezultat dhe angazhim në zgjedhjet e ardhshme.

Mes tyre dhe emra të cilët janë akuzuar nga PD për arsye se i kap ligji i dekriminalizimit. A mund të fitojë Edi Rama me këto emra? A janë vetë ai dhe ekipi i tij figura simpatike që sjellin vota në atë masë që PS të fitojë një mandat të tretë? Duket e pamundur po të shohësh CV-të e tyre.

E megjithatë, kjo më shumë se një narrativë për të fituar mandatin e tretë është një përpjekje e Ramës për të mbajtur partinë. Janë emra që nesër mund ti akuzojë për dështimin e tij, që mund tu tregojë gishtin për gjithçka që ska bërë apo ka bërë keq, dhe sërish mos e tradhëtojnë. Janë kukullat, që ai mund ti përdorë si të dojë, sot në pushtet dhe nesër në opozitë. Është ekipi i fundit që ai shpreson se mund ta mbajë në politikë.

A do ta ndryshojë Rama qeverinë? Ministrat që rrezikojnë
Në 11 shtator është vendosur të mbahet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, me shtyrjen e disatë që i është bërë prej qershorit. Ky është një forum ku ka zakonisht surpriza, dhe Kryeministri Rama i njofton ndryshimet që bën, aty për aty, në mënyrë të beftë, dhe mendohet se askush nuk di asgjë.

Kështu ka ndodhur edhe më parë. Në Asamblenë e fundit, u mësuan emrat e rinj të sekretariatit. Edhe në Asamblenë e datës 11 shtator pritet të ketë zhvillime në këtë drejtim. Por ndryshimet më me interes ngelen ato në qeveri. Rama vetë ka disa ditë që lë të kuptohet se do të ketë lëvizje. Duke thënë se të lodhurit do të ulen në stol, Kryeministri i ka paraprirë asaj që mund të ndodhë në 11 shtator. Po ashtu, edhe Ilir Beqaj u shpreh një ditë më parë, se ndryshimet në qeveri janë të mundshme. Por cilët mund të jenë ministrat që rrezikojnë më shumë? E vetmja logjikë që vjen në këtë rast, është për të parë se cilat largime i sjellin Ramës më pak kosto.

Po ashtu, logjika e do që Kryeministri të heqë ata që janë më pak elektoralë dhe të hapë kësisoj rrugën për të kënaqur flukse të rëndësishme në kupolën e PS, ose për të motivuar të tjerë që janë lënë në hije. Rama në fakt e ka gjysmën e ministrave pa karrierë politike, pa kontribut në PS, thjesht pjesë e oborrit të tij, dhe me heqjen e tyre nuk do të kishte kurrfarë pasojash.

Nisur nga këto rrethana, nuk është çudi që më të rrezikuarit të jenë Ministrja e Drejtësisë, e Financave, ajo e Kulturës, apo edhe e Arsimit. Por gjithçka ngelet për tu parë, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Për dallim nga herët e tjera, ky forum i lartë i PS pritet të jetë online për shkak të pandemisë. Që do të thotë se do të ketë vetëm njoftime e lajmërime nga udhëheqja, e do të mungojnë duartrokitjet./ gazetamapo

Artikulli i mëparshëmPublikohet emri i gruas së arrestuar për terrorizëm, Policia: E shpallur në kërkim ndërkombëtar
Artikulli i radhësShteti në këmbë për të gjetur ‘spiunët’ që zbuluan milionat që kalojnë nga buxheti tek Bolino