Ndërkohë që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i bëri thirrje së fundmi vendeve të Europës Qendrore për të frenuar ndikimin kinez, duke refuzuar teknologjinë e tij të përparuar dixhitale, kamerat kineze të mbikëqyrjes po regjistronin fytyrat dhe makinat në kryeqytetin serb, Beograd, shkruan Reuters.
Teksa Serbia aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ajo është anuar drejt Kinës, rivalin më të madh ekonomik dhe gjeopolitik të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, duke u lidhur me të për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës, sektorëve të energjisë dhe teknologjisë dhe për blerjen e armëve.
Kina ka mundësuar me miliarda euro kredi të buta për infrastrukturën dhe zhvillimin e energjisë në Serbi. Gjithashtu, ajo po ndjek planin e saj për një “rrugë mëndafshi dixhitale” – lidhjen telekomunikuese – ku Serbia do të ishte një hallkë e rëndësishme në Europë.
Gjatë një vizite në Slloveni, Pompeo tha se duke vendosur rrjetin e vet 5G, republika ish-jugosllave dhe shteti anëtar i BE-së dhe NATO-s, kishte siguruar mbrojtje kundër ndikimit kinez “për të kontrolluar njerëzit dhe informacionin”.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, është përpjekur të bindë aleatët amerikanë në Europë dhe Azi, për të pasur kujdes nga spiunazhi kinez i pronësisë industriale dhe intelektuale dhe për të mos lejuar pajisjet kineze në rrjetet e tyre të teknologjisë ose aksesin ndaj informacioneve të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset.
Huawei HWT.UL, prodhuesi gjigant i pajisjeve të telekomunikacionit të Kinës, i ka hedhur poshtë akuzat se spiunon për autoritetet kineze dhe thotë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të pengojnë rritjen e saj, sepse asnjë kompani amerikane nuk ofron të njëjtën teknologji me një çmim konkurrues.
Serbia ka nënshkruar dy marrëveshje jo detyruese me Huawei që nga viti 2017 – njërën mbi partneritetin strategjik në zhvillimin e lidhjes së internetit me brez të gjerë, tjetrën mbi një projekt “smart cities”, që përfshin grumbullimin, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave.
Huawei mbërrin në Serbi
Ministri i Tregtisë, Rasim Ljajiç, tha vitin e kaluar se kompania shtetërore Telekom Srbija, po punonte me Huawei për një projekt prej 150 milionë eurosh (177,48 milionë dollarë) për të krijuar një lidhje interneti me shpejtësi të lartë, në vendin ballkanik me 7 milionë banorë.
Për sa i përket rrjetit më të fundit 5G, një sektor ku Huawei ka një pozitë mbizotëruese në treg, Irini Reljin, ndihmësministri serb për Tregtinë dhe Telekomunikacionin, tha se Beogradi planifikonte të jepte tenderë për frekuenca deri në fillim të vitit 2021.
“Ne… u përmbahemi procedurave të prokurimeve publike dhe rregulloreve të BE-së që përcaktojnë se duhet të kemi asnjanësi teknologjike që t’u garantojë të gjithë operatorëve të drejtën për të blerë pajisje nga çdo prodhues”, tha Reljin për Reuters.
Sidoqoftë, Huawei është përfshirë në një projekt me Ministrinë e Brendshme të Serbisë që përfshin instalimin e mbi 1100 kamerave për sistemin e mbikëqyrjes Smart City të Beogradit, për kontrollin e trafikut dhe krimit.
Reljin tha se bazat e të dhënave serbe ishin të sigurta nga ndërhyrjet e jashtme. “Për ne, siguria e të dhënave është e njëjtë, pavarësisht nga teknologjia dhe gjenerimi i saj, kështu që tani për tani, jemi në përputhje të plotë me rregulloret e BE-së”. Ekspertët serbë të teknologjisë kanë punuar gjithashtu me Huawei për përmirësimin e softuerit për njohjen e fytyrës.
“Huawei ka mbërritur në Serbi dhe do të qëndrojë për një kohë të gjatë”, tha për gazetarët Nenad Popoviç, ministri i Serbisë për Zhvillimin Teknologjik. Në mars, zyrtarët serbë, ambasadori kinez në Beograd dhe përfaqësuesit e Huawei, hapën një qendër për ruajtjen e të dhënave në qytetin Kragujevac, i katërti më i madh në Serbi.
Zyrtarë të lartë kinezë kanë vizituar Serbinë, përfshirë presidentin Xi Jinping, ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç – të cilin kritikët e akuzojnë se po kërkon të nxisë përçarje – i ka përshkruar lidhjet me Pekinin si “të hekurta” dhe Xi si “vëllain” e tij.
Bosko Jaksic, një gazetar i së përditshmes Politika, kritikoi praninë e Huawei, duke e quajtur atë “një paradigmë… të zgjerimit agresiv të Kinës… “Pasojat afatgjata të asaj që mund të sjellë kjo forcë pushtuese kineze e investimeve, mbeten për t’u parë”, tha ai.
Bursa për datën 7 Shtator 2020 u mbyll si më poshtë:
Vlerat janë të shprehura në $/mt
- Brent është shprehur në $/bbl
Produkti | Çmimi ditor ( $/mt ) | Ndryshimi ditor +/- ( $/mt ) |
BENZINA | 393.50 | – 2.00 |
DIESEL | 320.00 | – 7.25 |
BRENT | 40.51 | – 0.71 |
©aktualitet.al