Zyrtarët turq dhe grekë u takuan të enjten në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar parandalimin e tensioneve të mëtejshme ushtarake në Mesdheun lindor, tha një burim pranë shërbimeve turke të sigurisë.
Zyrtarët ushtarakë nga të dy vendet e NATO-s do të flisnin të martën, por Aleanca i shtyu ato bisedime, raporton reuters.
Bisedimet për shmangien e një konflikti ushtarak, të njoftuar javën e kaluar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kërkojnë të parandalojnë përshkallëzimin e tensioneve dhe incidenteve të tilla, si përplasja e muajit të kaluar midis anijeve luftarake të dy vendeve, transmeton Telegrafi.
Ujërat e Mesdheut në perëndim të Qipros – Ankaraja po i sheh si pjesë të vijës së saj bregdetare gjersa Greqia po kushtëzon bisedimet me tërheqjen e anijeve turke nga ujërat e diskutueshme.
Nga ana tjetër, Turqia përgjigjet se nuk do të flasë nëse vendosen parakushtet për dialog. Bisedimet teknike në selinë e NATO-s nuk kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet territoriale, por do të përqendrohen në krijimin e një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis forcave të armatosura të të dy vendeve.
Sipas një burimi ushtarak turk, Ankara “mbështet përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen përmes dialogut dhe pa asnjë parakusht”.