Një raport i ri tregon se si qyteti kufitar kinez Dandong vazhdon të sigurojë një mbështetje jetësore për ekonominë e Koresë së Veriut – pavarësisht sanksioneve nga Kombet e Bashkuara që kanë qënë në fuqi që kur Pheniani kreu një provë me raketë bërthamore tre vjet më parë. Autorët e raportit thonë se bizneset me qendër në Dandong janë duke tregtuar mallra që mund të përdorën në programet e Phenianit për prodhim raketash dhe armë bërthamore.
Porta e Koresë së Veriut në botë. Qyteti kinez Dandong ndodhet përtej lumit Yalu nga qyteti koreanoverior Sinuiju. Ura e Miqësisë lidh dy qytetet – ndërsa struktura financiare e qytetit Dandong luan një rol vendimtar në mbështetjen e tregtisë së Koresë së Veriut.
Kërkimet nga Instituti i Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore tregojnë se ndërmjet viteve 2014 dhe 2017, pothuajse një e katërta e tregtisë totale të Koresë së Veriut kaloi përmes vetëm 150 kompanive me bazë në qytetin Dandong. Joe Byrne është me Institutin e Sherbimeve të Bashkuara Mbretërore.
“Aty mund të përfshihen shumë veprime tregtare të paligjshme. Departamenti i Thesarit ka vënë sanksione gjatë viteve të kaluara ndaj shumë subjekteve me qendër në Dandong që kanë qënë aktive në tregtinë e paligjshme.”
Nga këto 150 kompani, vetëm 10 prej tyre llogariten për gati dy të tretat e të gjithë tregtisë së raportuar gjatë periudhës në fjalë. Pesë nga këto firma janë sanksionuar nga Departamenti amerikan i Thesarit për lidhjet e tyre me qeverinë e Koresë së Jugut dhe programet e saj bërthamore dhe të raketave. Të gjitha kompanitë janë ende duke bërë tregti.
Në vitin 2017, kur Pheniani kreu provën e gjashtë dhe më të madhe bërthamore, Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vendosën sanksione ndaj ekonomisë së Koresë së Veriut, përfshi eksportet e qymyrit dhe mineraleve. Sanksione u mbështetën edhe nga Kina.
Por autorët e raportit thonë se ka prova të forta se kompanitë me qendër në Dandong vazhdojnë të importojnë materiale nga Korea e Veriut.
“Të ardhura nga eksportet e qymyrit kanalizohen përmes kompanive guaska në Hong Kong, të cilat ndajnë të dhëna identifikimi me kompanitë kineze si numrat e telefonave, vendndodhjet apo zyrat. Disa nga këto kompani çojnë artikuj të ndryshëm në Siri, Iran apo Mianmar, vende që thuhet se kanë patur më parë marrëdhënie ushtarake me Korenë e Veriut. Pastaj këto kompani blejnë materiale dhe i dërgojnë në Korenë e Veriut”, thotë Joe Byrne me Institutin e Sherbimeve të Bashkuara Mbretërore.
Aty përfshihen artikuj me përdorim të dyfishtë të ndaluara nga sanksionet ndërkombëtare, siç janë pjesë për makineri të avancuara.Joe Byrne me Institutin e Sherbimeve të Bashkuara Mbretërore jep më shumë shpjegime mbi raportin.
“Ka një gamë të gjërë materialesh dhe është e vështirë të thuhet me siguri se cilat janë për programin bërthamor dhe programin e raketave balistike dhe cilat jo. Në kushtet e tregtisë së paligjshme që po zhvillohet aktualisht, është e vështirë të thuhet pasi Kina ka ndaluar raportimin e shifrave tregtare.”
Autorët e raportit thonë se kompanitë me qendër në Dandong po bëjnë të mundur që Korea e Veriut të shmangë sanksionet, duke ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me zbatimin e masave nga Kina që vetë Pekini i mbështeti në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.(VOA)