1 mësues në Shqipëri jep mesatarisht mësim për 17 nxënës. Sipas të dhënave të 2019 nga INSTAT numri ka ardhur në zbritje, por ngarkesa mësimore e stafit arsimor mbetet më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas një raporti të EUROSTAT për 2018, mesatarja e BE-së është 1 mësues për 13 nxënës. Pra Shqipëria ka një mesatare dukshëm më të lartë se ajo e BE-së, por më e mirë se disa vende të tjera të europiane.
Sipas EUROSTAT, raportin më të lartë e mban Rumania me 19.5 nxënës për 1 mësues, e pas saj Çekia dhe Franca me 19.2, ndërsa ngarkesën më të ulët e kanë Luksemburgu (9.0), Greqia (9.2) dhe Polonia (9.6).
Në uljen e raportit nxënës për mësues në Shqipëri ka ndikuar emigrimi i popullsisë dhe rënia e lindshmërisë. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin shkollor 2019-2020 u ulën në bankat e shkollës rreth 10 000 nxënës më pak se një vit më parë.
Nga të dhënat kombëtare tregohet se ka një shpërndarje të pabarabartë të ngarkesës mësimore. Në zonat rurale raporti mësues për nxënës është më i ulët sesa në zonat urbane. Vendin e parë e mban kryeqyteti në të cilin ky raport është më shumë se 20 nxënës për 1 mësues.
Nga vitet 90’, sektori i arsimit është reduktuar me më shumë se 30% në përbërjen e stafit akademik, shkollave dhe numrit të nxënësve.