Përkujdesja për mirëqenien mendore duket se është primare gjatë pandemisë botërore. Rezulton se një në çdo 5 persona në botë pas shpërthimit të koronavirusit ka nisur të praktikojë meditimin. Ndërkohë e kundërta vërehet me ushtrimin fizik në palestër, që si biznes ka një rënie të jashtëzakonshme, si pasojë e të qenit në grup. Muzika gjithashtu është bërë shoqëruese më e afërt e njeriut sot. Statistikat janë mbledhur nga Vice Media Group në 30 vende të ndryshme janë publikuar në Global Wellness Institute.
Ankthi, pasiguria dhe frika që shkaktoi Covid-19, përqendruan vëmendjen tek metodat alternative, përfshirë këtu meditimin, aktivitetet në ajër të pastër, pikërisht në funksion të shëndetit fizik, por mbi të gjitha atij mendor. Madje rezulton se 64% e qytetarëve në nivel global sot, mendon dhe shprehet se mirëqenia emocionale është nevoja me e rëndësishme.
Pra vëmendja e shtuar ndaj sferës emocionale është ndryshimi social më domethënës, i qëndrueshëm e radikal, që Covid-19 la në trashëgimi për të gjithë brezat, edhe ata me të rinjtë.
Përdorimi i biçikletës, i ekskursioneve, i piknikëve, pra rikthimi në natyrë, duket se ka marrë tjetër rëndësi në mbarë botën, edhe në vendet me zhvillimin me frenetik. Hapa të vegjël, por mjaft të rëndësishëm, ku virusi, detyroi njeriun të kthejë vështrimin më pranë origjinës së tij të thjeshtë.