FSHF ka njoftuar shtyrjen e Kategorisë Superiore, me kërkesë të Ligës Profesioniste të Futbollit. Vetë qeveria e futbollit shqiptar ka dalë me një komunikatë pak çaste më parë dhe bëhet me dije se shtyrja është pa afat dhe se klubet e Superiores presin reagimin e qeverisë në lidhje me katër kërkesat e bëra.
NJOFTIMI I FSHF– Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar përmes një vendimi qarkullues kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e kampionatit të Kategorisë Superiore 2020/2021 për një afat të pacaktuar.
“Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së më datë 10.09.2020, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga Liga Profesioniste për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020/2021 vendosi të miratojë kërkesën e Ligës Profesioniste të Futbollit për shtyrjen e datës së fillimit të sezonit futbollistik 2020/2021 me afat të pacaktuar. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, – shkruhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Kjo kërkesë e anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit vjen si pasojë e mungesës së një reagimi nga Qeveria shqiptare për kërkesat e paraqitura nga Liga nëpërmjet letrës dërguar më datë 10.08.2020 Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Kujtojmë që vendimi për bojkotimin e Kategorisë Superiore u mor në unanimitet gjatë mbledhjen e Anëtarëve të Ligës Profesioniste të Futbollit të datës 05/09/2020. Më poshtë edhe kërkesa e Ligës Profesioniste të Futbollit drejtuar KE-së së FSHF:
PARALAJMËRIMI – Nga Bjellorusia, Liga doli me deklaratën e mëposhtme: Sot në mbledhjen e ligës së klubeve të Kategorisë Superiore të Shqipërisë, zhvilluar ne Minsk të Bjellorusisë, morën pjesë 9 klube nga 10 gjithsej. Pas një diskutimi të kujdesshëm dhe serioz, ne presidentët e klubeve vendosëm njëzëri dhe me unanimitet të plotë:
1.)Të çojmë deri në fund luftën tonë për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë:
a.Të ulet TVSH në masën 6%.
b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.
c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.
d.Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimit për Sportin.
2) Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.
3) Ftojmë Qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Katër kërkesat tona janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Qeveria duhet të na dëgjojë dhe t’i plotësojë këto kërkesa minimale.
4) Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare”.