Aksidentet ndryshojnë Kodin Rrugor, rriten gjobat për shkelësit, telefoni ‘të heq’ edhe patentën

0

Nisma e paralajmëruar në fillim të këtij viti për ashpërsime në Kodin Rrugor si pasojë e aksidenteve të shumta rrugore po bëhet realitet.

Ministria e Brendshme ka hedhur për konsultim ndryshimet në Kodin Rrugor, ku parashikohen shumëfishim gjobash për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

E para fillon që tek ata drejtues mjetesh të cilët përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të automjetit. Kjo gjobë parashikohet të rritet nga 500 deri në 1 mijë lekë që është, në 5 mijë deri në 15 mijë lekë dhe në rast se përsëritet tri herë brenda vitit, masa administrative shoqërohet me pezullim të lejes së drejtimit me 3 muaj dhe zbritjen me 10 pikë nga patenta.

Lejet e drejtimi do të kenë në total 20 pikë dhe nëse i humbet të gjitha, atëherë je i detyruar të ribësh 1 javë trajtim për drejtimin e automjetit si edhe ritestimet përkatëse.

Ndryshimet kryesore në ligj janë propozuar edhe në dy çështje që kanë rezultuar gjithmonë burim aksidenti: pija edhe shpejtësia rrugore.

Për tejkalimin e shpejtësisë gjobat janë rritur në mënyrë progresive, ku më e rënda është tejkalimi i shpejtësisë maksimale me 50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe më shumë se 40 km/orë në qendrat e banuara, gjoba e së cilës shkon nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë.

Si pasojë kësaj shkeljeje, do të aplikohet masa administrative shtesë për pezullimin e lejes së drejtimit nga 3 deri në 6 muaj si edhe heqja e 6 pikëve. Këto masa dyfishohen nëse drejtuesi i automjetit ka më pak se 3 vite që ka marrë patentën.

Për sa i përket alkoolit, masa administrative më e rëndë është kur drejtuesi i mjetit është në gjendje të dehur dhe rezultati i testit është nga 0.8 deri në 1.5 gramë për litër.

Kjo masë administrative shkon deri në 400 mijë lekë dhe është 50% më e lartë nëse konstatohet gjatë orarit 22:00 deri në 07:00. Në të tilla raste, drejtuesi i automjetet do të shoqërohet në ambientet e policisë ku do t’i bëhen edhe analizat e gjakut dhe për t’ia referuar më pas organit të Prokurorisë.

Në 32 nenet e reja të Kodit Rrugor është trajtuar edhe çështja e vendkalimit të këmbësorëve ku është vendosur një kusht i ri, tek vijat e bardha shoferët tashmë duhet të ndalojnë plotësisht automjetin e tyre.

Ndërsa për personat që kalojnë rrugën duke mos respektuar vijat e bardha, drejtuesit e automjeteve në çdo rast duhet t’u japin përparësi derisa personi të ketë kaluar të gjithë trajektoren e karrexhatës.

Këto ndryshime rrugore vijnë në një kohë kur numri i aksidenteve rrugore është rritur sërish, sidomos pas rifillimit të lëvizjes së lirë të automjeteve me heqjen e masave kufizuese.

Artikulli i mëparshëmShpresë në Greqi, vendi i parë në Evropë që blen 200 mijë teste të shpejta anti-Covid, ja si do të përdoren
Artikulli i radhësGoditet grupi kriminal i trafikut të drogës, arrestohen 12 persona