![](https://www.monitor.al/images/2020/09/eksporti-i-sherbimeve-300x173.jpg)
Kriza e pandemisë ka goditur eksportin e shërbimeve dhe ka thelluar ndjeshëm deficitin e llogarisë korente të vendit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë ky deficit arriti në 378 milionë euro, në rritje me pothuajse 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tremujori i dytë ka sjellë edhe një zgjerim të deficitit progresiv vjetor, duke e çuar atë në 612 milionë euro, 8% më shumë krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Ky është deficit më i lartë i llogarisë korente për 6-mujorin e parë që nga viti 2009.
Deficiti i llogarisë korrente përfaqëson në thelb diferencën mes flukseve korente hyrëse dhe dalëse të valutës në ekonomi.
![](https://www.monitor.al/images/2020/09/tabb.jpg)
Historikisht, Shqipëria është një ekonomi me bilanc negativ të tregtisë në mallra, por, ky deficit kompensohet pjesërisht nga një suficit në llogarinë e shërbimeve, si edhe nga të ardhurat nga puna dhe ato dytësore, kryesisht nga remitancat. Rezultati pozitiv i shërbimeve lidhet me peshën e rëndësishme që kanë në bilancin e pagesave sektorët që shfrytëzojnë krahun e lirë të punës, kryesisht fasoneria apo shërbimet call center, por edhe me të ardhurat neto nga turizmi.
Pas shpërthimit të krizës së Covid-19, raportet që përcaktojnë deficitin e llogarisë korente kanë ndryshuar: deficiti i mallrave ka pësuar rënie, ndërsa ai i shërbimeve është zgjeruar.
Megjithëse deficiti në mallra ngelet në përmasa mjaft të mëdha, me mbi 1.3 miliardë euro, ai ka rënë me 11% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë absolute, mbyllja e ekonomisë preku më shumë importet, se eksportet, duke sjellë uljen e deficitit në mallra.
Ndërkohë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto në ekonomi nga shërbimet për 6-mujorin e parë ranë në 408 milionë euro, 25% më pak krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Goditjen më të rëndë e dha tremujori i dytë, ku eksportet e shërbimeve ranë me 46%.
Eksporti i shërbimeve është prekur në të gjithë segmentet, ku turizmi është sigurisht pjesa më e dukshme. Në tremujorin e dytë, bilanci neto i të ardhurave nga turizmi ishte negativ për dy milionë euro, ndërsa një vit më parë ky sektor pati sjellë të ardhura neto në vlerën e 81 milionë eurove. Për gjithë 6-mujorin e parë, të ardhurat neto nga turizmi ishin 91 milionë euro, 42% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Paralizimi i lëvizjeve ndërkufitare pas mbylljes së shkaktuar nga pandemia ka ulur në minimum si lëvizjet e shqiptarëve jashtë vendit, ashtu edhe vizitat e të huajve në Shqipëri. Por, duke qenë se zakonisht Shqipëria ka një bilanc neto nga turizmi pozitiv, mbyllja e ka ndikuar negativisht llogarinë e shërbimeve.
Ndërkohë, goditja ka qenë më e moderuar në sektorin e fasoneve, pavarësisht problemeve fillestare për furnizim me lëndë të parë, rënies së kërkesës dhe vështirësive për të vazhduar me një regjim normal pune në kushtet e pandemisë. Të ardhurat nga shërbimi i përpunimit të inputeve për tremujorin e dytë rezultuan në vlerë të njëjtë me vitin e kaluar, ndërsa për 6-mujorin ato rezultuan në rënie me 10%, rënie e përcaktuar kryesisht nga tremujori i parë.
Ndërsa sektori i fasoneve e ka kaluar pikun e krizës me pasoja të kufizuara, efektet negative të saj janë ndjerë tek të ardhurat e tjera me peshë në llogarinë korrente, ato nga puna dhe nga emigrantët. Statistikat e Bilancit të Pagesave tregojnë se të ardhurat nga puna jashtë vendit për 6-mujorin 2020 kanë rënë me 37.5%, ndërsa remitancat me 18.5%. Të ardhurat nga puna përfshijnë pagesat për punësimin sezonal jashtë vendit, ose nga puna në distancë për kompani jo-rezidente në Shqipëri.
![](https://www.monitor.al/images/2020/09/Revista_Monitor_Bilanci_llog_Korrente_web.jpg)