Së fundmi një grup gjerman i quajtur Clo(rona)1444 kanë marrë këngën “Kthehu ti” të Bleros pa lejen e autorit dhe kanë publikuar në llogarinë e tyre në Instagram një pjesë të klipit të tyre të ri, ku dëgjohet edhe një pjesë e këngës.
I kontaktuar nga Telegrafi, Blero tregoi se ka kontaktuar me menaxherin e grupit gjerman dhe u ka dhënë atyre afat vetëm 24 orë kohë që të largojnë këngën nga rrjetet sociale.
“Po është e vërtetë për plagjiaturën nga grup gjerman. Unë kam kontaktuar me ta dhe u kam dhënë afat vetëm 24 orë kohë për ta larguar këngën nga rrjetet sociale, pasi ata nuk e kanë në pronësi këngën. Të njëjtët as nuk kanë kërkuar të drejtat autoriale nga unë, apo blerjen e këngës. E kanë marrë pa pyetur dhe kjo gjë është e patolerushme”, ka thënë Blero për Telegrafin.