Vlera e pajisjeve mjekësore

0

Covid-19 ka qenë njëkohësisht bekim dhe fatkeqësi për prodhuesit e pajisjeve mjekësore. Gjiganti amerikan i prodhimit të pajisjeve mjekësore, Medtronic, jep një ilustrim të qartë

Të pakta janë industritë që kanë pësuar më tepër ndryshime nga recesioni i Covid-19 sesa prodhuesit e pajisjeve mjekësore, shkruan The Economist. Pandemia shkaktoi një kolaps në procedurat mjekësore, që kërkojnë mjete të sofistikuara, duke goditur fuqishëm shitjet. Në të njëjtën kohë, kriza krijoi mundësi të reja për kompanitë që prodhojnë aspiratorë dhe pajisje testimi.

Shembulli i Medtronic e ilustron shumë qartë këtë dinamikë. Më 25 gusht, gjiganti amerikan, me kapitalizim tregu 138 miliardë dollarë, raportoi rezultatet financiare për tre muajt deri në korrik. Në pamje të parë, performanca ishte tepër e dobët. Të ardhurat ranë me 17% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, duke arritur në 6.5 miliardë dollarë. Të ardhurat neto thuajse u përgjysmuan. Duke cituar pandeminë si shkak, firma refuzoi të shpërndante fitimet.

E megjithatë, investitorët dhe analistët mbetën të kënaqur. Një arsye është sepse ata kishin frikë se rezultatet mund të kishin qenë më të këqija: Medtronic arriti t’i tejkalonte parashikimet për të ardhurat dhe fitimet. Një arsye tjetër është se shitjet e aspiratorëve u pesëfishuan, duke rritur të ardhurat e përgjithshme. Shefi i kompanisë Geoff Martha, tani pret një rikthim në “rritjen normale” brenda disa tremujorëve.

Rimëkëmbja e Medtronic mund të jetë një shenjë shprese për firmat e pajisjeve mjekësore. Matt Miksic, nga banka e investimeve Credit Suisse, vë në dukje se këto kompani hynë në krizë “në kushte të favorshme”. Ato u nxitën nga rritja e fortë e të ardhurave globale. Vitin e kaluar, KPMG, një firmë këshilluese, parashikoi se shitjet globale do të rriteshin deri në 795 miliardë dollarë në vitin 2030, nga 371 miliardë dollarë në vitin 2015.

Tim van Biesen nga firma konsulente Bain, vëren një bum parapandemik në shitjet e pajisjeve mjaft fitimprurëse të përdorura në ortopedi, neurokirurgji dhe procedura kardiovaskulare. Si rezultat, në pesë vitet e fundit, çmimet e aksioneve kanë tejkaluar ato të Big Pharma edhe indeksin S&P 500 të kompanive të mëdha (shih grafikun).

Fakti nëse kjo performancë e mirë mund të zgjasë ose jo, varet në një masë të madhe nga mënyra sesi do të vazhdojë pandemia. Për të reklamuar pajisjet e tyre fitimprurëse dhe shërbimet e lidhura me to, prodhuesit e pajisjeve mjekësore mbështeten në përfaqësues të trajnuar shitjesh, për të bërë për vete mjekët dhe për t’i trajnuar ata. Një sondazh nga Bain zbuloi se nëntë në dhjetë mjekë kërkonin ndërveprime personale me shitësit e pajisjeve para Covid-19.

Siç shpjegon zoti Van Biesen, shumë kirurgë i vlerësojnë këshillat nga përfaqësuesit e nivelit të lartë, të cilët i njohin teknologjitë më të larta të kompanisë së tyre më mirë sesa mjekët, gjatë operacioneve komplekse. Disa madje varen nga këta përfaqësues për zgjedhjen e instrumenteve të preferuara para operacioneve. Tani Bain zbulon se më shumë se 60% e kirurgëve parashikojnë kufizime në kontakte të tilla personale.

Një periudhë e zgjatur e aksesit të kufizuar mund të ndikojë në mënyra të papritura në industri. Kompanitë e mëdha mund të pësojnë humbje nga konkurrenca e qendrave të kujdesit ambulator, vëren zoti Van Biesen. Këto zakonisht janë më të vogla se spitalet, më të vëmendshme ndaj kostove – dhe më pak të lidhura me markat e shtrenjta dhe përfaqësuesit e tyre të shitjeve.

Por zoti Miksic mendon se në specialitete si kirurgjia e shtyllës kurrizore, ku është e zakonshme një shkallë e lartë e shërbimit në vend, mungesa e aksesit mund të forcojë statusin e të vjetërve dhe të jetë pengesë për të rinjtë. Këtë javë, Medtronic u mburr se po fitonte pjesë të tregut në bizneset e saj më të mëdha. Sipas zotit Martha, nëse kompania “po gjen një ingranazh të ri”, kjo është falë shitjeve të pajisjeve të vjetra./monitro.al

Artikulli i mëparshëmUniversi viral, ndikimi i viruseve mbi ekologjinë, evolucionin dhe shëndetin e njeriut
Artikulli i radhësEMRI/ Arrestohet këngëtarja kosovare në Morinë, po hynte në Shqipëri e armatosur