Një profesor i nderuar, ish-ministër i qeverisë socialiste në një bisedë shumë të këndshme me të, më tha diçka që më ka mbetur në mendje: “Në Shqipëri je me shumë fat nëse bëhesh ministër i arsimit. Kjo për arsyen se në këtë post, më shumë se në çdo post tjetër, ke mundësinë të tregosh vizonin, inteligjencën, aftësitë individuale për të bërë pak më tepër se ajo që premton qeveria”. Në të kundërt të kësaj filozofie kuptimplotë, zysh Kushi e emëruar prej Ramës në ditën e parë të fillimit të shkollës, nuk ngurroi të na bëjë me dije, se postin e ministrit të arsimit e sheh si një mundësi të zbardhë faqen e nxirë në kushedi sa shtresa të Kryeministrit dhe të partisë dhe jo të shohë punët e bëra lesh e li në arsim nga Besa dhe Lindita.
A mendon vërtet zysh Kushi si shoqja Laja njëherë vaktit apo kështu ia do puna?
Unë mendoj se me vetëdije të plotë, zysh Kushi mendon si shoqja Laja. Ajo e di fare mirë se nuk ka kohë, as mundësi e mbi të gjitha nuk ka vizion, pasion apo dëshirë për të bërë qoftë edhe diçka të vogël për arsimin, na kaq pak kohë që do të drejtoj atë ministri. Por një gjë ajo mund ta bëjë: Të vihet nën urdhrat e Komandantit për të marrë sa më shumë vota për Rilindjen në zgjedhjet e ardhshme. Ky ishte kuptimi i drejtpërdrejtë i shprehjes së saj se, “do të nderoj Elbasanin dhe partinë Socialiste”. Në gjuhën e Rilindjes kjo thënie nuk do të thotë asgjë, veçse “mblidhni votat me çdo mënyrë të mundshme, pavarësisht se në kurriz të kujt bëhet i gjithë ky maskarallëk”. Edhe njëherë vaktit i njëjti kallëp si zysh Kushi, të veshur me kostumin e shoqes Laja (që Besa e imitonte në mënyrë perfekte në pamje të jashtme dhe botëkuptim), i përgjëroheshin dhe falënderonin partinë dhe i betoheshin asaj se do të bënin gjithçka deri në vetëflijim për të realizuar detyrat e dhëna prej shokut Enver. Duket qartë se zysh Kushi i beson kësaj filozofie, që në gjuhën e Rilindjes përkthehet “grumbullo sa më shumë vota, pavarësisht çmimit që duhet të paguajë arsimi, shëndetësia, turizmi apo bujqësia”. Rama dhe ndihmësi i tij besnik më shumë se çdo qenia tjetër në univers, Balla, e dinë mirë se arsimi është hambar votash.
40 mijë punonjës në arsimin parauniversitar dhe disa mijëra në arsimin e lartë, janë një aset i çmuar ku Rilindja duhet të ketë përparësi absolute. Besa nuk e bënte këtë detyrë, jo thjesht se ishte nga Kosova, por sepse ishte dhe mbetet tërësisht e paaftë dhe me mangësi të theksuar të të kuptuarit të punës me njerëzit. Ramës nuk mund t’i mohohet aftësia, që dështimet në emërimet pa asnjë kuptim, ti mbuloj përmes promovimit të figurave nga brenda partisë së tij, jo më shumë për meritat që nuk kanë nën një fushë të caktuar, por për besnikërinë që kanë ndaj tij. Prandaj thirri nën armë zysh Kushin, për tu siguruar se sakrificat për votat do të jenë në shkallën më të lartë, ministria dhe gjithë institucionet e arsimit do ë jenë nën urdhrat e partisë. Prej fillimit të shkollës e deri në prill, ato duhet të kenë një detyrë: Sa më shumë vota për partinë dhe zero punë për shtetin e njerëzinë.
Zysha e Elbasanit, duhet t’i bënte homazh dhe respekt diturisë dhe mençurisë jo partisë dhe hajdutërisë
Shumëkush mund të pyesë: A është e mundur që një pedagoge të shndërrohet në ushtare të denjë të partisë, krejt papritur e pa kuptuar. Në pamje të parë duket se diçka nuk shkon. Nuk mundet që një pedagog, sado që ka bindjen dhe orientimin e tij politik, të dal nga kostumi i dhënësit të dijes dhe qytetarisë dhe të shndërrohet në një ushtar të bindur, të përulura e të rëndomtë të partisë. Por kjo ndodh kur vërtetë kostumi i pedagogut të shkon më shumë se çdo gjë tjetër. Por ditën që ndërron këtë veshjen ende të pa qepur e të pa provuar të pedagogut me atë të zbatuesit të verbër të urdhrave të partisë, atëherë mund të kuptosh gjithçka. Për zysh Kushin, nuk ka asnjë rëndësi fakti që ka qenë pedagoge. Ajo u bë deputete, ministre arsimi dhe me shumë gjasa do të ketë një vend të sigurt në lisat e partisë për zgjedhjet e ardhshme, për shkak të kontributit të sa në për partinë në detyrën që i është dhënë.
Unë besoj se ajo nuk i kishte parë as në ëndërr të gjitha këto detyra, që ajo tanimë i quan si privilegje që ja ka dhuruar partia dhe jo përgjegjësi që duhet të ketë ndaj shoqërisë dhe shtetit. Prandaj ajo nuk e vret mendjen fare për akademizmin. Kur të jetë në vakt të pensionimit, zysh Kushi e ka një përparëse të pluhurosur, gati për të shtyrë pak vite në ndonjë cep të universitetit. Tani ajo ka tjetër fokus: T’i bëjë dua’ tre herë më ditë partisë dhe të bëjë ç’është e mundur të mos rrjedh asnjë votë në kutitë e armikut, nga sektori i arsimit. Ditën që iku Besa vendosa të rri ca e të mos shkruaj për ministren e re të arsimit. Arsyetova, se zysh Kushit, nuk mund t’i ngarkoje asnjë përgjegjësi, nga drejtimi i keq i ministrisë prej koleges së saj Lindita, apo zbatimi i masave shkatërrimtare për arsimin, të vëna në jetë prej Besës. Por kur zysha e ardhur nga Elbasani nga vendi i normales dhe vatrës së arsimit, deklaroi se “do të nderonte partinë” dhe jo t’i përulej me plot nder e respekt dijes e mençurisë, atëherë e kuptova se beteja mes mbrojtjes së arsimit përballë paditurisë, ligësisë, hajdutërisë dhe antivlerave të demokracisë, vijon të jetë një betejë që nuk njeh qetësi në asnjë moment. Zysha e Elbasanit foli hapur dhe pa doreza. Halli i saj është partia dhe asgjë tjetër Ne na mbetet të dalim akoma më hapur në mbrojtje të së ardhmes sonë, të fëmijëve tanë, të integritetit tonë intelektual. Me pa fjalë në mbrojtje të Shqipërisë, vendit tonë, që mendojmë se përparon duke i bërë temena dijes, mençurisë, respektit për shkollën dhe mësuesin, për pedagogun dhe sakrificën e çdo prindi shqiptar dhe jo duke i gdhirë çdo mëngjes me mendjes se çfarë duhet të bëjë për partinë.