Udhëtarët, të dëshiruar për të udhëtuar sërish, mund të marrin në konsideratë Italinë, si destinacionin e tyre të ardhshëm.
Aeroporti i Fiumicino-s në Romë është bërë aeroporti i parë në botë i vlerësuar me “COVID-19 5-Star Airport Rating” nga Skytrax, një ent i vlerësimit të sektorit aeroportual ndërkombëtar.
Edhe pse Skytrax është i njohur, mbi të gjitha, për klasifikimin e përvitshëm të aeroporteve më të mira në botë, kriza globale e COVID-19 ka shtyrë organizatën të dalë me një klasifikim të veçantë për higjienën e aeroporteve.
Sipas një njoftimi nga Skytrax, organizata e mbështet vlerësimin e saj në një “kombinim të kontrolleve të efikasitetit procedural, analizës së vëzhgimit vizual dhe testeve të marrjes së mostrave ATP”.
Fiumicino Airport (FCO), i njohur edhe si “Leonardo Da Vinci International Airport” është aeroporti me më shumë trafik në Itali.
Vlerësimi për aeroportin është me pesë yje. Më 1 shtator, aeroporti hapi një qendër 7 mijë metër katrorë për kryerjen e testeve të Covid, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Italian.
Por Skytrax nuk vuri re vetëm testimin e shpejtë. Aeroporti mori pikë për lehtësinë e leximit të sinjalistikës në shumë gjuhë, zbatimin e mbajtjes së maskës në mënyrë rigoroze, praninë e personelit të pastrimit dhe eficiencën, falë konsolidimit të të gjithë fluturimeve, nga dhe drejt Italisë, në një terminal të vetëm, për të lehtësuar gjurmimin.