Presidenti Donald Trump tha gjatë fundjavës se e miraton në parim marrëveshjen e Oracle dhe Walmart me TikTok në Shtetet e Bashkuara, duke lejuar aplikacionin që të shmangë mbylljen. “I kam dhënë marrëveshjes bekimin tim, nëse arrihet do të jetë mirë, nëse jo, nuk është problem”,- tha Trump. Pas komenteve të Trump, Oracle lajmëroi se është zgjedhur si ofrues i shërbimit cloud nga TikTok dhe do të bëhet investitor me 12.5% të aksioneve.
TikTok konfirmoi rolin e Oracle dhe bëri të ditur se po bisedon me Walmart për një partneritet tregtar. Të dy kompanitë do të marrin pjesë në një raund të financimit përpara ofertës publike fillestare, nën të cilin do të mund të marrin 20% të aksioneve, sipas TikTok. Kompania kineze do të zgjerojë gjithashtu selinë në Shtetet e Bashkuara, duke krijuar 25,000 vende pune.
“E pritëm me kënaqësi lajmin që propozimi me Oracle dhe Walmart do të zgjidhë problemet e sigurisë me Administratën e SHBA”,- shkroi TikTok në Twitter.
Rezultati mund të nxisë pozitën e Oracle si një kompani që mund të trajtojë punë sfiduese kompjuterike dhe që arriti të zgjidhë një konflikt gjeopolitik mes Kinës dhe SHBA. Shefja ekzekutive e Oracle, Safra Catz, ka qenë anëtare e ekipit të tranzicionit të presidentit Trump.
“Jemi 100% të sigurtë tek aftësia jonë për të krijuar një mjedis tejet të sigurtë tek TikTok dhe të ruajmë privatësinë e të dhënave të përdoruesve amerikanë të aplikacionit”,- tha Catz.
Oracle ofron infrastrukturë cloud ndaj shërbimeve online të videove 8×8 dhe Zoom, pavarësisht se Amazon, Microsoft dhe kompani të tjera kanë pasur më shumë të ardhura nga shërbimi cloud në vitin 2019.