Eksperti gjerman flet për teoritë e çuditshme konspirative, tezat e teoricienëve konspirativë dhe të kundërshtarëve të vaksinës së COVID-19

0

Çfarë mendon një nga ekspertët më të njohur gjermanë për coronavirusin dhe për teoritë e çuditshme konspirative dhe tezat e teoricienëve konspirativë dhe kundërshtarëve të vaksinës?

Virusi nuk është aspak i rrezikshëm! Industria farmaceutike dëshiron të fitojë me pandeminë. Të rinjve nuk u ndodh asgjë! Në demonstratat rreth kufizimeve, në biseda apo internet ndesh rregullisht teza të tilla, herë nga më të çuditshmet, herë teza që duken të kuptueshme të paraqitura nga teoricienë konspirativë, apo ata që mendojnë kundër dhe kundërshtarët e vaksinës.

Një nga ekspertët më të njohur gjermanë, profesori Hendrik Streeck, drejtori i Institutit të Virologjisë në Universitetin e Bonnit flet për Deutsche Wellen lidhur me këto teza:

“Virusi nuk është aq i rrezikshëm, rreziku ekzagjerohet nga mediat, politikanët, dhe studiuesit”.

Hendrik Streeck: Kjo nuk është e vërtetë. Të gjitha studimet e bëra deri më tani, si ato në SHBA, që flasin për një vdekshmëri relativisht të ulët, por edhe të tjerat që theksojnë vdekshmërinë e lartë, tregojnë qartë, se virusi ka një vdekshmëri më të lartë se një grip sezonal.

Ne kemi zbuluar në qarkun Heinsberg, (ku është zhvilluar një nga studimet e para në fillim të pandemisë, shën.red.) se virusi është të paktën katër herë më i rrezikshëm se gripi sezonal. Kjo sigurisht ka të bëjë gjithmonë edhe me shtresat e popullsisë, ku testohet. Por ky është një virus, që duhet marrë seriozisht, natyrisht as nuk duhet dramatizuar.

“Politikanët dhe mediat prezantojnë gjithmonë raste dramatike të përditshme të coronavirusit. Por unë nuk njoh askënd që është sëmurur nga COVID-19”.

Hendrik Streeck: Të them, që unë kam dy persona në rrethin e ngushtë familjar që janë sëmurur nga COVID-19.

“Në Itali apo SHBA ka kaq shumë të vdekur. Këtu nuk ka. Sikur nuk shkon diçka”.

Hendrick Streeck: Ne kemi edhe në Gjermani të vdekur nga COVID-19. Në Itali dhe SHBA i shtohet fakti, që infektimet u zhvilluan shumë shpejt. Pra një masë e gjerë në popullsi është infektuar shumë shpejt, dhe kjo pati si pasojë mbingarkesën e spitaleve. Virusi ka depërtuar aty në shtresa, ku pacientët apo njerëzit kanë një rrezik më të madh të humbasin jetën prej tij. Në Gjermani ne ia kemi dalë t’i mbajmë të mbrojtura këto shtresa.

“Ka pasur kaq shumë demonstrata të mëdha kundër masave si pasojë e coronavirusit. A ka pasur edhe shpërthime të mëdha infektimi pas tyre? Jo!”.

Hendrik Streeck: Këto demonstrata janë zhvilluar njëherë jashtë, dhe këtu rreziku i depërtimit të virusit është më i vogël se në hapësira të mbyllura. Nga ana tjetër është shumë e vështirë të dish, nëse në një demonstratë të zhvilluar në Berlin për shembull, dhe nga ku shumë pjesëmarrës janë kthyer në qytete të ndryshme, ka pasur shpërthime infektimesh. Kjo mund të provohet më me lehtësi, nëse pjesëmarrësit vijnë nga një vend.

“Vaksinat janë shumë të rrezikshme dhe sulmojnë ADN-në tonë. Përveç kësaj këtu do të fitojë industria farmaceutike”.

Hendrik Streeck: Të dyja tezat janë tërësisht të gabuara. Një vaksinë nuk e ndikon genomin njerëzor, pra ADN-në. Elementët vaksinues RNA funksionojnë të tillë, që prej tyre gjenerohen proteina. Ne nuk i kemi encymet në trupin tonë që nga RNA të bëhet sërish ADN. Këtë mund ta bëjnë vetëm disa retroviruse. Prandaj një vaksinë nuk e prek ADN-në.

Industria farmaceutike sigurisht fiton para me vaksina, por ajo që sigurimet shëndetësore shpenzojnë për vaksinat në vit është vetëm 0,3% e buxhetit në krahasim me atë që ne shpenzojmë për ilaçe të tjera. Buxheti për një vaksinë është vërtet shumë i vogël. Përveç kësaj, industria farmaceutike duhet të fitojë nga kjo, sepse pa këto para nuk mund të ecet përpara me studimet e tjera zhvilluese.

“Virusi është transformuar kaq shumë, saqë nuk sjell gjë ndonjë vaksinë. Ose duhet të vaksinohesh çdo vit si me gripin”.

Hendrik Streeck: Këtë nuk mund ta thuash me siguri. Virusi ndryshon, po, por nuk e ka atë mutacion të lartë si tek gripi. Nëse një vaksinë në fund do të ketë vërtet efekt, dhe sa shpesh duhet të vaksinohesh, këtë nuk mund ta themi me saktësi tani, sepse ende nuk kemi një vaksinë.

“Masat e regjimit si pasojë e coronavirusit janë tërësisht të ekzagjeruara. Unë dua sërish lirinë time”.

Henrik Streeck: Ne e dimë që tre rregullat kryesore: distancë, maskë dhe higjiena e përgjithshme kanë efekt, dhe me këtë mund të ndalohen infektime të tjera. Përveç kësaj, këto rregulla me gjasë kanë edhe efektin, që nëse dikush infektohet, infektohet me më pak viruse. Ai ndoshta mund të sëmuret, por me më pak simptona. Ne e dimë nga viruse të tjera se ka një lidhje: Nëse merr sasi të madhe virusi, simptomat janë më të rënda, nëse merr më pak, atëherë ato janë më të lehta. Doza bën helmin në këtë rast.

Me distancën dhe maskën arrijmë atë, që kjo dozë të bjerë dhe të gjithë ndihmojmë që të ndoshta të kemi shumë më tepër raste me zhvillim të butë të sëmundjes.

“Virusi rrjedh prej një laboratori kinez dhe doli gabimisht nga laboratori”.

Henrik Streeck: Ka shumë pak gjasa që ky virus të jetë prodhuar në një laborator. Me sa di unë, degë të tilla hulumtimesh për prodhimin e viruseve të caktuara nuk ndiqen më, sepse kjo është shumë e rrezikshme. Nga ana tjetër as nuk mund ta thuash se nga vjen një virus. Një virus nuk ka sekuenca gjenetike, që nuk i gjen si të tilla edhe në natyrë.

Po ashtu duhet thënë, se laboratorë të tillë, si ai në Kinë janë sektorë të sigurisë së lartë, ku viruset dhe bakteret nuk kalojnë aspak në hapësira të tjera dhe kështu nuk dalin gabimisht jashtë tyre. Për mua është gati e pamundur, që të ketë ndodhur diçka e tillë, por këtë natyrisht nuk mund ta vërtetosh. Ashtu si nuk mund të vërtetosh të kundërtën.

“Edhe nëse unë infektohem – unë jam i ri dhe me shëndet të mirë. Nëse ndodh, atëherë kam vetëm simptoma të pakta”.

Henrik Streeck: Sipas statistikës është e drejtë që të rinjtë dhe njerëz me shëndet të mirë kanë pas ose aspak simptoma. Vetëm nëse bazohesh tek statistika pra ke të drejtë. Por gjithmonë mund të ndodhë, që edhe të rinj e me shëndet të mirë mund të kenë simptoma të rënda, ose madje edhe të vdesin. Këtë e kanë treguar disa raste në të shkuarën.

Profesor Hendrik Streeck është një nga ekspertët më të njohur të coronavirusit në Gjermani. Ai drejton Institutin e Virologjisë në Klinikën Universitare të Bonit dhe drejton studimin shkencor afatgjatë për përhapjen e infektimit në Heinsberg, që në fillim ishte shumë i prekur nga pandemia.

Artikulli i mëparshëmPajisje e re për testimin e covid që përdoret në kushte shtëpie
Artikulli i radhësPrinci Charles: Ka një krizë më të madhe se pandemia