Ditët kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të përfshira në ethet e zgjedhjeve presidenciale, edhe rivalja e saj më e madhe do të merret me numra. Por ndërkohë që amerikanët do të numërojnë votat, kinezët do të numërojnë veten.
Si ndodh çdo 10 vjet, Kina do zhvillojë censusin kombëtar, me një aparat burokratik vërtet gjigant, rreth 7 milionë punonjës që do të mbledhin të dhëna të ndryshme, nga identiteti, tek statusi civil, nga edukimi tek të ardhurat.
Por censusi do të japë edhe një tregues të qartë për të ardhmen e vendit më të populluar në botë.
Në vitin 2010, popullsia arriti 1 miliard e 370 milionë banorë, ku për herë të parë përfshiheshin edhe shtetasit e huaj, rreth 600 mijë kryesisht nga Korea e Jugut, Japonia dhe SHBA.
Por nga ai vit, shumë ka ndryshuar në vend. Politikat që kufizonin lindjen e më shumë se një fëmije për familje u mbyll në vitin 2015, pas një tragjedie sociale që as regjimi i Pekinit mund të mbulonte më, me dhjetëra mijëra aborte, veçanërisht në pjesën rurale të vendit ku lindja e një vajze ishte shndërruar në një makth fillimisht, dhe shpesh herë në një dënim me vdekje për foshnjën.
Ndërkohë, vendi po “plaket” gjithmonë e më shumë, dhe përllogaritet që rreth 250 milionë kinezë kanë më shumë se 60 vjeç, ndërkohë që niveli i lindjeve ka arritur gjithsesi pikun më të ulët të lindjeve nga viti 1945.
Statistikat demografike po ndikojnë edhe në tregun ekonomik, ku forca punëtore po tkurret jo vetëm nga ndërrimi i gjeneratave, por edhe nga fakti që gjithmonë e më shumë ata duhet të përkujdesen për më të moshuarit.
Analistët mendojnë se për herë të parë popullsia mund të shënojë edhe një tkurrje, duke i lënë “dyert hapur” Indisë, që mund të marrë “kurorën” e vendit më të populluar në botë.