Koncesionarët e vjetër e të rinj kanë raportuar një aktivitet të qëndrueshëm në vitin 2019, ndërsa disa prej tyre janë ndikuar këtë vit nga pandemia e COVID-19
“Tirana International Airport” (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit, ka deklaruar të ardhura prej 7 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor prej 8.5%, teksa fluksi i pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet Rinasit arriti rekord në vitin 2019, në rreth 3.3 milionë pasagjerë. Por, koncesionari, që prej shumë vitesh ka rezultuar me norma të larta fitimi, mbi 40%, është një ndër më të goditurit nga pandemia, për shkak të efekteve që ka dhënë COVID-19 në tregun e fluturimeve.
Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv pohon se humbjet janë drastike. “Aeroporti i Tiranës përpunonte deri në 64 fluturime në ditë, por duke filluar nga data 12 mars, ramë në 1 ose 2.
Kur ke rreth 2% të trafikut të mëparshëm, besoj se mund ta quash humbje. Thuajse nuk ka të ardhura nga aktiviteti, ndërsa kostot janë kryesisht të pandryshueshme”. Nga 15 qershori, fluturimet rifilluan, por ato mbeten në gjysmën e niveleve të parakrizës. TIA pret që numri i pasagjerëve të shënojë më shumë sesa përgjysmim në vitin 2020.
“ALEAT”, që ka me koncesion prodhimin e dokumenteve të shqiptarëve, ka deklaruar rritje të ndjeshme të të ardhurave në vitin 2019, në pothuajse dyfishim, gati 6 miliardë lekë. Mbarimi i afatit 10-vjeçar të kartave dhe pasaportave të pjesës më të madhe të popullsisë, ka ndikuar në këtë performancë. Edhe fitimet u katërfishuan, në 2.2 miliardë lekë.
“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, që u kundërshtua nga bizneset, ka raportuar të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm, por duke dalë nga lista e më të mëdhenjve, për shkak të rritjes së kufirit të qarkullimit vjetor të 200 më të mëdhenjve.
“SGS Albania”, që ka me koncesion kolaudimin e automjeteve, nuk hyn në renditjen e më të mëdhenjve, pasi të ardhurat ishin 970 milionë lekë, me një rritje të lehtë me bazë vjetore. Kontrata përfundon më 31 dhjetor 2020.
Koncesionet e reja
Tri shoqëri të reja koncesionare hynë në listën e më të mëdhenjve që në vitin 2018, duke reflektuar valën e re të projekteve të Partneritetit Publik-Privat, ku po angazhohet qeveria shqiptare, ndërsa të tjerë vijojnë të ngjiten te më të mëdhenjtë.
“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, që po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit, ka raportuar 5.6 miliardë lekë të ardhura, me rënie rreth 3% me bazë vjetore, duke u renditur në vend të 45 ndër 200 më të mëdhenjtë. Kompania po zbaton kontratën koncesionare/PPP “Përmirësimi, ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Rrugës së Arbrit”. Rruga e Arbrit ka nisur punimet në qershor të vitit 2018, pasi fitoi garën me një vlerë 33.6 miliardë lekë (pas bonusit me ofertën e pakërkuar), shumë që pritet ta marrë gradualisht deri në vitin 2030.
Sipas raportit të aktivitetit, periudha e parashikuar për ndërtimin e Rrugës së Arbrit do të jetë 44 muaj. Operimi i tunelit dhe mirëmbajtja e rrugës do të fillojnë nga fundi i vitit të katërt dhe do të zgjasin për dhjetë vjet deri në fund të periudhës 13-vjeçare. Në total janë realizuar 47.4% e punimeve të parashikuara për ndërtimin e kësaj rruge, sipas raportit të veprimtarisë.
Për vitin 2020, Ministria e Financave, në kuadër të rishikimit të buxhetit pas pandemisë, ka ulur pagesën për koncesionin e Rrugës së Arbrit, në 1.7 miliardë lekë, nga rreth 4 miliardë lekë që ishte fondi në 2019-n.
“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot – Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj filloi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).
Kompania raportoi të ardhura 2.6 miliardë lekë në vitin e parë të plotë të aktivitetit, me rritje prej 27% në raport me 2018-n. Të ardhurat nga aktiviteti i shfrytëzimit ishin 1 miliard lekë, ndërsa 1.2 miliardë lekë ishin nga investimet (fondet që merr nga buxheti i shtetit për kompensimin e trafikut të munguar). Fitimi i kompanisë ra ndjeshëm, në 13.8 milionë lekë, nga 189 milionë lekë në vitin 2018, pasi kompania ka hyrë në fazën e investimeve.
Sipas raportit vjetor, “Mbështetur në modelin e biznesit të miratuar, kompania për realizimin e investimeve të saj, sipas kontratës, ka marrë kredi bankare në bankë për financimin e investimeve të realizuara në vitet e para, për arsye se vlera e investimit, edhe në parashikimet e plan-biznesit nuk e mbulohet nga pagesa e tarifave të paguara nga përdoruesit e rrugës”. Huaja sipas bilancit është rreth 10.5 milionë euro. Kompania thotë në raport se ka kryer disa punime si masat për urat, punimet ndriçuese, rrethimet, infrastruktura për ujërat e bardha etj.
Për vitin 2020, duke marrë në konsideratë pandeminë “COVID-19, kompania koncesionare parashikon të ketë tregues të ndryshëm nga modeli financiar. Treguesit e të ardhurave të realizuar do të jenë më të ulët në krahasim me parashikimet në kontratë.
Gjithsesi, koncesionari është i mbrojtur nga trafiku i munguar, pasi ai kompensohet nga buxheti. Sipas të dhënave të tjera të Ministrisë së Financave, pagesat për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Morinë, për vitin 2020 është 810 milionë lekë, ose 42% më e lartë se fakti 2019. Vetëm 70 milionë lekë do të jenë supervizion, ndërsa pjesa më e madhe e kësaj pagese do të shkojë për subvencion, si rrjedhojë e kompensimit të trafikut të munguar nga pasojat e COVID-19.
“Sani Service” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, për një afat 10-vjeçar.
Kompania deklaroi në bilanc të ardhura prej 1.43 miliardë lekësh, me një rënie prej 17% me bazë vjetore. Sipas raportit të veprimtarisë, gjatë vitit 2019, numri total i ndërhyrjeve të kryera në përputhje me kushtet kontraktuale ishte 63,585 në krahasim me një total prej 90,075 ndërhyrjesh të kryera në vitin 2018. Gjithashtu faturimi total gjatë vitit 2018 ishte 1.92 miliardë lekë, në krahasim me 1.69 miliardë lekë në vitin 2019.
Në vitin 2019, nga buxheti janë paguar për koncesionin e sterilizimit 2.1 miliardë lekë, përfshi dhe pagesat e prapambetura, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Kostot për këtë koncesion janë rritur vazhdimisht, pasi pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Të dhënat e paraqitura nga Ministria e Financave, në një raport monitorimi për koncesionet, tregojnë se planifikimi ka qenë shumë i gabuar dhe situata ka dalë nga kontrolli në vitin 2018. “Niveli i ndërhyrjeve, i parashikuar në kontratë, është 62.957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117.000 ndërhyrje”, thuhet në raport.
Si rrjedhojë, pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit 2018 ishin 610 milionë lekë, ose rreth 5 milionë euro më shumë, të cilat u paguan dhe në vitin 2019.
Kjo e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë që të urdhërojë kufizimin e operacioneve, që e dha efektin në vitin 2019-n. Gjithsesi, edhe për vitin 2019, faturimi i koncesionarit për buxhetin ishte 32% më pak se parashikimi fillestar i buxhetit prej 1.28 miliardë lekësh.
Nga krahasimi i projektbuxhetit 2018 dhe 2020, rezulton se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018 për gjithë periudhën 10-vjeçare kur parashikohet koncesioni. Si rrjedhojë, nga llogaritjet e gabuara të bëra nga ana e hartuesve të saj, vlera e financimit për koncesionin e sterilizimit është rritur me 65% në harkun e dy viteve.
Për vitin 2020, buxheti parashikon uljen me 40% të pagesave për koncesionin e sterilizimit, duke e reduktuar pagesën në 1.3 miliardë lekë.
Pas fitimeve të larta në 2018-n (265 milionë lekë, Sani Service deklaroi humbje në vitin 2019 për shkak të rritjes së shpenzimeve të amortizimit dhe të shpenzimeve të tjera të veprimtarisë.
Koncesionari tjetër në shëndetësi, “3P Life Logistic”, merr rreth 876 milionë lekë pagesa për shërbimet që kryen. Kompania ka fituar koncesionin e Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up), që është nënshkruar në vitin 2015 dhe afati është 10 vjet. Vlera totale ishte 8.7 miliardë lekë. Koncesioni është pezulluar përkohësisht në vitin 2020, me kërkesë të kompanisë, duke cituar forcën madhore, e lidhur me pamundësinë për të kryer aktivitetin, për shkak të shpërthimit të pandemisë.
Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, raportoi në vitin 2018 rreth 643 milionë lekë të ardhura (bilanci i 2019 nuk është ende publik), të cilat janë financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që kompania ofron prej dy vitesh në disa qytete të vendit.
Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan. Buxheti ka për t’i paguar kompanisë edhe 5.4 miliardë lekë deri në vitin 2025.
Pas dy vitesh pezull, në prill të 2019-s, qeveria miratoi kontratën koncesionare “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës”.
Koncesioni i laboratorëve ishte fituar në prill 2017 nga konsorciumi i tre kompanive; “Labopharma sh.p.k” me 41.7%, “Exalab France” me 25% dhe “AB Laboratory Solution BV”, një kompani guaskë e regjistruar në Holandë, me 33% pjesë në konsorcium. Për këtë koncesion do të paguhen 8.7 miliardë lekë për 10 vjet.
Koncesioni filloi aktivitetin në verë të vitit 2020, pas mbylljes së laboratorëve shtetërorë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paralajmëruar se njësoj si në rastin e sterilizimit, gabimet në studim mbi fizibilitetin dhe kontratë lënë të hapur rritjen e kostove buxhetore.
KLSH konstaton se vendosja e kufizimeve buxhetore, në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente. Në buxhet parashikohen 400 milionë lekë për këtë koncesion në vitin 2020.
Nga koncesionet e tjera të reja, “Integrated Technology Services”, që po zbaton projektet e inceneratorëve, është një hyrje e re në listën e “Monitor 200”. Kompania raportoi të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh, sipas të dhënave në Tatime, me rritje prej 46% me bazë vjetore. Për të tre inceneratorët, atij të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, buxheti pritet të paguajë edhe 46 miliardë lekë deri në vitin 2046.
Projekti më afatgjatë është inceneratori i Tiranës, që është i shtrirë deri në vitin 2046 dhe do të marrë pagesa nga buxheti në total prej gati 40 miliardë lekësh (314 milionë euro) për periudhën 2019-2046. Edhe për këtë koncesion, KLSH ka paralajmëruar se pagesat nga buxheti për koncesionin e inceneratorit të Tiranës mund të rriten me të paktën 27% nga vlerësimi fillestar, vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogartitjes së saktë të volumit të plehrave që përpunohen në ditë.
Në korrik 2019, kompania bëri të ditur se do të ndërtojë Landfillin Rajonal për depozitimin e mbetjeve të ngurta në Rajonin e Vlorës”./monitor.al