TAP do të nxisë investitorë të tjerë ndërkombëtarë që të vijnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri

0

Flet Malfor Nuri, menaxher i TAP për Shqipërinë

Brenda tremujorit të katërt të këtij viti, gazsjellësi TAP do të transportojë sasinë e parë të gazit. TAP ishte projekti më madhor i realizuar ndonjëherë në vend, me vlerë rreth 1.5 miliardë euro për sesionin shqiptar, duke sjellë një model të ri, jo vetëm për cilësinë e punimeve, por edhe programet e përgjegjshmërisë sociale.

Malfor Nuri, menaxher i TAP për Shqipërinë thotë se “presim që shembulli i zbatimit të suksesshëm të projektit tonë të nxisë investitorë të tjerë ndërkombëtarë që të vijnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri”.

Ai shton se pas përfundimit të TAP, mirëmbajtja e vazhdueshme e gazsjellësit do të bëhet nëpërmjet kontraktorit AGSCo, një “joint venture” midis AlbGaz dhe SNAM. TAP ka siguruar pika daljeje në vendndodhje të ndryshme përgjatë gjurmës së gazsjellësit, dy prej të cilave janë në Shqipëri, çka mundëson akses në shfrytëzimin e gazit që kalon përmes tubacioneve të TAP.

Deri në çfarë faze ka mbërritur projekti i TAP-it në Shqipëri? Kur pritet të përfundojë tërësisht ai?

Gazsjellësi Trans Adriatik është brenda afateve të paracaktuara. Për sa i përket progresit të përgjithshëm të projektit, deri në korrik të 2020, ai ka qenë i përfunduar në masën 97%, si në aspektin inxhinierik, ashtu dhe në atë të prokurimeve dhe ndërtimit. Ndërtimi, rikthimi i tokave në gjendjen e mëparshme dhe faza e testimit janë pothuajse të përfunduara në Greqi e Shqipëri dhe kanë ecur shumë në Itali.

Në fillim të vitit, ne përfunduam me sukses ndërtimin e 105 km të seksionit detar të gazsjellësit që kalon përmes detit Adriatik, si dhe injektuam sasinë e parë të gazit natyral në seksionin shqiptar të gazsjellësit, ndërmjet kufirit Greqi-Shqipëri, deri në stacionin e kompresorit të Fierit.

Përgatitjet për finalizimin dhe fazën e testimit të seksionit detar dhe aseteve në Itali janë në fazën përfundimtare dhe TAP-i vazhdon të punën për të mundësuar transmetimin e sasisë së parë të gazit nga fusha e Shah Denizit II brenda tremujorit të katërt të 2020.

Kur do të kalojë sasia e parë e gazit drejt Italisë?

TAP-i është brenda afateve të paracaktuara për të transportuar sasinë e parë të gazit brenda tremujorit të katërt të 2020-s.

Ndërkohë, në Stacionin e Kompresorit të Fierit, faza e ndërtimit dhe e injektimit kanë përfunduar. Testimi me gaz është planifikuar të përfundojë rreth mesit të shtatorit, sipas projektit. Injektimi i gazit në seksionin detar të gazsjellësit nis së shpejti.

Nga parashikimi i ndërtimit ka pasur disa vonesa. Nga se janë krijuar dhe a kanë ndikuar në parashikimet financiare të projektit?

Projekti është përballur me sfida teknike. Më lejoni të sjell thjesht një shembull. Në pikën më të lartë të gazsjellësit në Shqipëri, në lartësi më shumë se 1,800 metra, në qafën e Martës, inxhinierët e TAP-it u gjendën përpara një terreni shumë sfidues dhe disa prej kushteve gjeologjike më të vështira përgjatë gjithë gjurmës së gazsjellësit. TAP-i vendosi të shponte një mikrotunel 480 metra të gjatë në atë zonë, në mënyrë që të mos rrezikonte t’i vendoste tubacionet në tokë të paqëndrueshme. Një vepër e mirëfilltë arti.

Ky është vetëm një shembull për të treguar se çfarë duhet përballuar kur ndërton një projekt të këtyre përmasave e të kësaj madhësie. Thënë këtë, projekti i TAP-it ka përfunduar në masën 97% dhe konfirmojmë sërish objektivin tonë për të transportuar sasinë e parë të gazit në Europë brenda 2020.

Nëse mund të bëni një vlerësim, sa ka qenë investimi total i TAP-it në Shqipëri?

TAP-i është një nga investimet e huaja më të rëndësishme në Shqipëri, në disa drejtime, duke nisur nga ndërtimi i vetë gazsjellësit, përmirësimi i infrastrukturës rrugore, investimet sociale dhe mjedisore, mbështetja direkte e pronarëve apo përdoruesve të tokës që preken drejtpërdrejt nga projekti, etj.

Si fillim, TAP-i ka investuar fuqishëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në vend. Për të mundësuar transportin e sigurt të tubave prej çeliku nëpër Shqipëri, u ndërtuan nga e para ose u restauruan rreth 220 km rrugë dytësore dhe 42 ura, nga të cilat përfitojnë mbi 200,000 njerëz.

Për ndërtimin e pjesës shqiptare të seksionit tokësor të gazsjellësit janë investuar rreth 1.5 miliardë euro. Për më tepër, rreth 40 kompani shqiptare kanë marrë pjesë në ndërtimin e gazsjellësit si pjesë e rrjetit tonë të kontraktorëve dhe nënkontraktorëve.

Programi i Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP-it (SEI), rreth 14 milionë euro, është afër përfundimit të tij dhe ne kemi kënaqësinë të njoftojmë se në vendin tonë janë zbatuar gati 35 projekte. Duke përfshirë rinovimin e më shumë se 12 shkollave dhe kopshteve, ndërtimin e objekteve të turizmit, mbjelljen e pemëve, restaurimin e librarive publike, përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, përmirësimin dhe ndërtimin e sistemeve të reja të vaditjes në zonat ku kalon gazsjellësi, çeljen e një muzeu të ri në fushën e kulturës, ndërtimin e tregjeve moderne për tregtimin e prodhimeve të freskëta apo gjësë së gjallë, fushatat e ndërgjegjësimit për sigurinë rrugore dhe mjedisin, etj.

Veç kësaj, TAP-i vazhdon të ndihmojë fermerët e prekur nga ndërtimi i gazsjellësit nëpërmjet një programi social, nismës “Asistenca për Jetesën dhe Mbështetja Tranzitore”. Deri më sot, fermerëve në Shqipëri u janë siguruar pothuajse 74,000 fidanë pemësh dhe më shumë se 237 tonë pleh për bujqësinë. Në përputhje me praktikat ndërkombëtare, TAP-i ka kompensuar fermerët e prekur nga projekti në masën 100 për qind. Në shtesë, programi në fjalë synon të ndihmojë fermerët të rehabilitojnë kushtet e jetesës në nivelin që ishin para fillimit të projektit dhe aty ku është e mundur, edhe t’i përmirësojnë ato.

Gjithashtu, ne u jemi përgjigjur në kohë disa situatave emergjente në Shqipëri, si përmbytjet, zjarret, tërmeti i vitit të kaluar, si dhe kriza e pandemisë së Covid-19. TAP-i iu është gjendur pranë bashkive të Korçës, Tiranës dhe Durrësit, pas tërmetit të nëntorit, duke iu dhuruar njësi të lëvizshme banimi (kontejnerë) për familjet e prekura nga tërmeti.

Po ashtu, i dhuruam Bashkisë së Tiranës një flotë të vogël makinash për terrene të vështira, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të largëta malore. Pas krizës së pandemisë së Covid-19, TAP-i dhuroi 500,000 euro për sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Cili ka qenë ndikimi i këtij investimi në ekonominë shqiptare?

TAP-i është një nga projektet më të mëdha në Shqipëri. Ky projekt rrit rëndësinë gjeostrategjike të Shqipërisë, si dhe kontribuon në Prodhimin e Brendshëm Bruto, infrastrukturë dhe zhvillimin social. Gjithashtu, ai nxiti zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit në fazën e tij të ndërtimit. Së fundmi, ne presim që shembulli i zbatimit të suksesshëm të projektit tonë të nxisë investitorë të tjerë ndërkombëtarë që të vijnë dhe të bëjnë biznes në Shqipëri.

Si do të vijojë marrëdhënia mes TAP-it dhe Shqipërisë pas përfundimit të gazsjellësit?

TAP-i ka si synim të jetë një fqinj i mirë për komunitetet lokale në terma afatgjatë. Pas përfundimit të fazës së ndërtimit, ne do të fillojmë të transportojmë gaz, duke hyrë kështu në fazën e operimit. Do të vazhdojmë të fokusohemi te çështjet e shëndetit dhe sigurisë, si dhe do të informojmë në vazhdimësi komunitetet mbi rëndësinë e të jetuarit në afërsi të infrastrukturës së një gazsjellësi.

Përmes fushatës #PyesniTAP, ne synojmë t’u vijmë në ndihmë komuniteteve lokale, duke i informuar se si të parandalojnë dëmtimin e gazsjellësit, çfarë të mbjellin në tokat ku kalon tubacioni, çfarë lejohet dhe çfarë jo, etj.

Mirëmbajtja e vazhdueshme e gazsjellësit do të mundësohet nëpërmjet kontraktorit AGSCo, një “joint venture” midis AlbGaz dhe SNAM. Kompania italiane SNAM dhe Albgaz, operatori shqiptar i infrastrukturës së gazit, kanë firmosur një marrëveshje, duke krijuar një ndërmarrje të përbashkët, e cila synon të ofrojë shërbime për operimin dhe mirëmbajtjen e gazsjellësve në Shqipëri.

Tani që çmimet e hidrokarbureve kanë rënë, a mbetet TAP-i një projekt me po të njëjtën rëndësi për Europën? Po parashikimet e fitimeve të kompanisë si janë ndikuar?

TAP-i është më i rëndësishëm se kurrë, po të kemi parasysh tendencën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme në sektorin energjetik. Europës i nevojiten burime të reja gazi për të plotësuar kërkesat e saj afatgjata për energji, për të zëvendësuar prodhimin vazhdimisht në rënie të energjisë, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të diversifikuar burimet e energjisë.

Gazi natyror pritet të luajë një rol gjithnjë e në rritje në tregun europian të energjisë për dekadat e ardhshme. Si burimi më i pastër i energjisë me prejardhje nga fosilet, gazi ka përparësi të dukshme në aspektin mjedisor krahasuar me burime të tjera, siç janë qymyret dhe nafta, të cilat dominojnë tregun shqiptar të energjisë. Gjithashtu, gazi natyror është partneri ideal për burimet e rinovueshme të energjisë. Kur dielli nuk shkëlqen apo era nuk fryn, gazi natyror mund të prodhojë energji të pastër e të sigurt.

A keni pasur kërkesë zyrtare nga shteti apo kompani private për gaz në Shqipëri? Dhe nëse do të ketë në të ardhmen, ku janë pikat e daljes për Shqipërinë?

TAP-i është përgjegjës për zhvillimin dhe operimin e infrastrukturës së gazsjellësit me gjatësi 878 km. Duhet theksuar se TAP-i nuk është pronari i gazit që transporton. Megjithatë, ne nuk mund të komentojmë mbi pjesëmarrësit specifikë në treg apo kërkesat e tyre.

TAP-i nisi një testim të tregut në vitin 2019, duke iu mundësuar transportuesve të gazit natyror të shprehnin interesin e tyre dhe në një fazë të mëvonshme, të siguronin akses për më shumë kapacitete në terma afatgjatë, çka do të mundësonte zgjerimin e kapacitetit të gazsjellësit në të ardhmen. Deri më sot, ne kemi siguruar pika daljeje në vendndodhje të ndryshme përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Ndërkohë, janë pesë pika daljeje të planifikuara në Greqi dhe dy në Shqipëri./monitor.al

Artikulli i mëparshëmMund të dobësohesh duke fjetur gjumë, është kaq e thjeshtë!
Artikulli i radhësBiznesi i “përkëdhelur” i koncesioneve