Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp për të prezantuar planin e masave për daljen nga kriza e pandemisë. I quajtur Plani i Rimëkëmbjes, ai përfshin pesë hapa.
“Për më shumë se 6 muaj Shqipëria po lëngon nga pandemia COVID.
Këto 6 muaj kanë qenë muaj të vështirë për gjithë qytetarët, sipërmarrjen, çdokush ka ndjere pasojat e drejtpërdrejta shëndetësore, ekonomike, sociale të pandemisë. Këto 6 muaj nuk kane shërbyer për të vënë në jetë një plan masash për Covid-in dhe efektet që ka pasur.
Të gabosh është njerëzore, por këto nuk janë gabime, por faje, ato që nuk janë bërë këto 6 muaj. Paketa totale e ndihmës nuk kalon 101 milionë euro, është qesharake me atë që ka disbursuar Kosova.
Nuk jam këtu për të drejtuar gishtin, por të njëjtë shkaktarë të kësaj gjendje vazhdojnë lojërat, ndërsa vendi po përballet me një katastrofë. Takimi i sotëm ka vetëm një temë, planin e rimëkëmbjen dhe 5 hapat për t’u përballur me krizën,” tha Basha.
“Është përkeqësuar gjendja e vijës mbrojtëse, mjekëve, infermierëve, që sot është më i ekspozuar. Nuk kanë marrë shpërblimin e premtuar nga qeveria. Kjo armatë nuk ka kapacitete për të përballuar valën e dytë të pandemisë,” akuzoi kreu i PD.