Rritja e pagës minimale në 30 mijë lekë shihet me skepticizëm nga ekspertët e ekonomisë. Pak ditë më parë qeveria paraqiti planin e saj për rritjen e pagës minimale si në sektorin privat edhe në atë publik. Por nga ekspertët e ekonomisë ky vendim është parë me mëdyshje, pasi për disa prej tyre kjo do të jepte efekte jo të mira për punëdhënësit. Për ekspertin Koço Broka rritja e pagës minimale është një veprim normal që bëhet çdo vit, por sipas tij problemi qëndron tek përmasa e saj. Broka thotë se, vendosja e pagës minimale 30 mijë lekë si dysheme është bërë në përmasa të mëdha dhe do të jetë e papërballueshme nga bizneset, sidomos pas goditjes që morën nga pandemia. “Rritja e pagës minimale është një procedurë e zakonshme, por përmasat këtë radhë janë më të larta, sidomos në kushte që jemi. Pra unë do ta quaja një lëvizje të natyrshme, por rrija e pagës bazë duhet bërë në bazë të efektit që do të sjellë në ekonomi. Pasi nuk e di sa e ka llogaritur qeveria po konkretisht biznesi duhet të paguajë 40 mijë lekë dhe në kushtet e pandemisë është një rritje në përmasa të mëdha për punëdhënësin”, deklaroi ai. Sakaq, sipas ekspertit, kjo lëvizje më së shumti është veprim elektoral, si garë mes partive, se sa për t’u ardhur në ndihmë punonjësve. Ndër të tjera Broka thekson se, qeveria kur rrit në këto përmasa pagën duhet të shohë më parë efektet e tjera që do të sjellë në ekonomi dhe të shohë gjendjen financiare dhe nivelin e produktivitetit për çdo ndërmarrje në vend. “Në qoftë se paga për punonjësin do të ishte bërë nga 1 deri në 2 mijë lekë të reja, do kishim të bënim me një hap normal, këtu kemi të bëjmë dukshëm me një efekt elektoral. Ky efekt elektoral ka edhe efekte të tjera që nuk është menduar besoj, pasi mbi pagën bazë llogaritet edhe pensioni, sigurisht ka edhe efekte të tjera zinxhir. Pra unë do këshilloja që rritja të vijonte me përmasat e natyrshme 20 mijë lekë të vjetra”, deklaroi ai. Sakaq eksperti e vuri theksin tek të vetëpunësuarit. Sipas tij, këto të fundit do të kenë më shumë pasoja, pasi do të detyrohen të paguajnë më shumë sigurime shoqërore.
Niveli i produktivitetit të punës
Ndër të tjera eksperti Broka e vë theksin tek rikuperimi i ekonomisë dhe produktiviteti i bizneseve. Sipas tij këto dy zhvillime duhen parë me kujdes nga qeveria para se të bëjë lëvizje të tilla. Broka kërkon që të analizohet produktiviteti i çdo subjekti, për të parë se sa ka ecur xhiro pas pandemisë, ndërsa thekson këtu se pavarësisht një përmirësimi të lehtë në gusht, bizneset shqiptare do ta kenë të pamundur të rikuperojnë aq lehtë goditjen që morën këtë vit. “Kryesorja rikuperimi i ekonomisë dhe rritja e produktivitetit të punës. Eksporti i fasoneve tekstile këpucë ishte në gusht 2020 7510 milionë lekë nga 6,476 milionë lekë gushtin e vitit të kaluar. Si 8 mujor ishte 65,620 milionë lekë nga 80,406 lekë. Pra megjithë rikuperimin e gushtit rikuperimi gjatë vitit 2020 do të jetë i pamundur. Kjo kërkon që masat të kenë bazë ekonomike dhe jo politike. Gara politike e premtimeve ka nevojë të zëvendësohet me garën e alternativave më të mira ekonomike. Kjo është ideja ime kryesore. Duhet parë me kujdes se sa janë shpenzimet e biznesit dhe sa do të rriten me këto ndryshime, në kushtet që ndodhemi”, u shpreh eksperti. Ndërsa tregoi se kjo rritje nuk do të sjellë ndonjë përmirësim të ardhurash për punonjësit, Broka tha se qeveria duhet të dijë se ku i derdh investimet madje të konsultohet edhe me bizneset për të vërejtur nga afër se si ecën aktiviteti ekonomik i tyre dhe i vendit në përgjithësi. “Rritja e pagës minimale duhet bërë në bazë të ritmit të produktivitetit. Duhet parë se sa ecën eksporti i jashtëm, sa ecin prodhimi, sa është rritur konsumi. Lehtësimet apo nxitjet fiskale duhet të jenë bazuar në realitetin fiskal të individëve, biznesit, por dhe buxhetit. Me këto lloj investimesh të pakontrolluara ritet pabarazia mes bizneseve dhe punonjësve përsa i përket pagës së ulët dhe atyre të larta. Me këtë vendim të fundit pagat 30 mijë lekë paga neto shkon 26 mijë e 23 lekë, 3 mijë e 522 lekë përfitimi i një punonjësi ndërsa pjesa tjetër shkon për siguracion , pra realisht punonjësit nuk do të kenë ndonjë përftimit të lartë, por as punëdhënësi”, tregoi ai.