Basha: Plani ynë me 5 hapa nuk është program elektoral, por plan rimëkëmbjeje

0

Kryetari i PD-së Lulzim Basha theksoi edhe njëherë sot se Plani i Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia, i prezantuar dje, nuk është programi elektoral i PD-së, por plani për këto gjashtë muaj, një thirrje, një kërkesë që i drejtohet qeverisë në ikje për të marrë masa dhe mbështetur qytetarët.

Nga një biznes fason në Vorë, ku ai kreu një vizitë, Basha tha:

Kam ardhur sot në një ndërmarrje fason në aksin Tiranë – Durrës, e cila funksionon prej më shumë se 15 vitesh. Ka pasur në të kaluarën deri në 500 punonjës. Tani ka vetëm 170. Ndodhen nën presionin e krizës ekonomike.

Pas shtatë vitesh amullie, keqmenaxhimi, dështimi dhe premtimesh të pambajtura, shqiptarët e kanë kuptuar se ka ardhur koha për një ndryshim.

Këtë javë ne kemi shpalosur planin tonë kundër pandemisë, planin e rimëkëmbjes ekonomike të përbërë nga 5 drejtime kryesore.

Sa i përket ekonomisë, drejtimi kryesor është fuqizimi I biznesit, i sipërmarrjes, që ka të bëjë me punësimin dhe është lënë krejtësisht pa dore, që po vuan si asnjë biznes tjetër në Ballkan, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, sepse paratë që këta paguajnë si taksa, shkojnë në çdo drejtim tjetër përveçse për të paguar sipërmarrjen dhe për të paguar punonjësit.

Një drejtim tjetër i rëndësishëm është rimarrja e atyre në punë që bizneset janë detyruar t’i largojnë  nga puna për shkak të krizës, apo të vetëpunësuarit që janë detyruar të mbyllin bizneset e tyre.

Këto janë dy drejtime kryesore. Por natyrisht edhe mbështetja e atyre që kanë humbur vendin e punës dhe që janë me pamundësinë e tyre për të blerë edhe ushqimet e përditshme për veten dhe për fëmijët – një nga arsyet kryesore pse ka rënë konsumi.

Plani që kemi shpalosur këtë javë nuk është Programi ynë Elektoral, siç nga padija  apo dashakeqësia janë përpjekur ta shpalosin disa.

Është plani për këto gjashtë muaj, sepse këto gjashtë muaj të fundit të kësaj qeverie, duam s’duam ne, drejtimin e ka akoma një njeri që në vend të marrë masa e t’u vijë në ndihmë njerëzve, vazhdon të bëjë sharlatanin dhe palaçon nëpër ekrane me shpresën se duke përdorur batuta do të fshehë të vërtetën.

Sado të merret me opozitën, sado të merret dhe të shajë me gjhë palaçoje, një të vërtetë nuk e mbulon dot: tavolinat e shqiptarëve janë boshatisur prej vendimmarrjeve të tij të dështuara, të gabuara dhe korruptive, xhepat e shqiptarëve janë boshatisur prej çuarjes së të gjithë parave në grushtet e një kaste të vogël oligarkësh dhe sipërmarrja shqiptare po vuan e është në kufijtë e ekzistencës. “

Artikulli i mëparshëmOBSH-ja përhap sërish panik: Virusi ka ardhur këtu për të qëndruar, nuk do të zhduket as me …
Artikulli i radhësFOTO/ Zgjerohet skandali, lëvizte me makinë pa dokumente, Lleshaj tani i ndryshon targat ‘BMW-së’