Pas kontratave të shitblerjes së automjeteve, DPSHTRR do të ofrojë edhe polica sigurimi

0

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të shesë edhe policat e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve.

Pasi “u hyri në pjesë” noterëve vitin e kaluar, duke ofruar shërbimin e kontratës për ndryshimin e pronësisë së mjeteve, DPSHTRR ka aplikuar në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për të ushtruar veprimtarinë e agjentit në sigurime.

Për shkak të pozitës së veçantë të DPSHTRR, AMF ka kërkuar opinion edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që i hapur rrugë licencimit, por me disa rekomandime. Komisioni i Konkurrencës kërkon që DPSHTRR të lidhë kontrata të veçanta me të gjitha shoqëritë e sigurimit dhe të mos vendosë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmime të padrejta të blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit.

Gjithashtu, nga DPSHTRR kërkohet të mos zbatojë kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence, si dhe të mos vendosë kushte për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë. Autoriteti i Konkurrencës gjithashtu rekomandon që AMF të tregtojë produktin e sigurimit me logon e shoqërisë së sigurimit dhe barkodin përkatës, për të shmangur koordinimin e sjelljes, ndarjen e pjesëve të tregut dhe caktimin e çmimeve mes shoqërive të sigurimit dhe DPSHTRR.

Përmes kërkesës për licencim, DPSHTRR synon të rrisë të ardhurat dhe të ofrojë një cikël sa më të gjerë të shërbimeve për drejtuesit e mjeteve. Një qytetar që blen automjet të ri mund të kryejë kalimin e pronësisë, nxjerrjen e dokumentacionit dhe prerjen e policës së sigurimit brenda zyrave të DPSHTRR.

Ndërkohë, një kërkesë të ngjashme me DPSHTRR ka bërë edhe Posta Shqiptare, për t’u licencuar si agjent në sigurime. Posta Shqiptare e ka ushtruar këtë funksion deri në vitin 2015, vetëm për llogari i kompanisë së atëhershme publike të sigurimeve INSIG. Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur opinion të favorshëm edhe për licencimin e Postës Shqiptare, duke lëshuar të njëjtat rekomandime si për DPSHTRR.

Artikulli i mëparshëmE godet nga pas me veturë dhe i drejton armën
Artikulli i radhësBankat kanë 48 miliardë lekë kredi me probleme; pothuajse gjysma janë të humbura