Bizneset në Shqipëri po rriten dhe po zgjerohen vit pas viti, duke u bërë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e vendit. Sa më shumë rriten, aq më shumë po tentojnë diversifikimin në fusha të ndryshme, ku ndërtimi dhe turizmi po rezultojnë më të preferuarat. Sipërmarrjet e naftës po zgjerohen në ndërtim, ato të tregtisë me pakicë në turizëm. Monitor si çdo vit ka rënë renditjen e grupeve më të mëdha në vend.
Kastrati
Grupi Kastrati është tregtuesi më i madh i karburanteve në vend, ka aktivitet në fushën e sigurimeve dhe të tregtimit të automjeteve dhe së fundmi po diversifikon aktivitetin dhe në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë. Qarkullimi vjetor i grupit i afrohet 90 miliardë lekëve (730 milionë eurove) në vitin 2019, duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me rreth 5%.
Balfin
Grupi Balfin, me interesa në tregti me pakicë, qendra tregtare, ndërtim, turizëm, miniera, banka, është i dyti më i madhi sipas qarkullimit vjetor.
Të ardhurat e kompanive kryesore të grupit në Shqipëri, që hyjnë në renditjen e “Monitor 200” ishin 34.2 miliardë lekë, me tkurrje prej rreth 8% me bazë vjetore, e lidhur me tkurrjen e ndjeshme të kompanisë më të madhe të grupit, Albchrome, si rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Një pjesë të rëndësishme të aktivitetit, grupi e ka jashtë vendit. Sipas burimeve zyrtare Balkan Finance Investment Group, BALFIN Group, është një nga grupet investuese më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një qarkullim neto të pakonsoliduar prej më shumë se 620 milionë eurosh në 2019.
Gjeografikisht, Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Holandë, me afërsisht 6,000 punonjës në total. Aktivitetet e Grupit BALFIN përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme, shitjet me pakicë, industrinë minerare, sistemin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj.
Çalik Group
Grupi turk, “Çalik”, që zotëron dy kompani të mëdha në vend, BKT e “Albtelecom”, është një ndër më të mëdhenjtë në vend dhe ka realizuar një xhiro të kombinuar prej rreth 54 miliardë lekësh në vitin 2019.
Grupi Agna
Dy kompanitë kryesore të grupit, “Agna sh.a.” (shpërndarës produktesh dhe investues) dhe “Alfa sh.a.” (ambalazhues i “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton Ice Tea”; prodhues i “Glina” dhe “Spring”; shpërndarës i “Heineken”, “Amstel”, “Alfa Beers”, “Tsantali Wines” dhe “Shark Energy Drink”), realizuan për vitin 2019 një xhiro prej rreth 25.3 miliardë lekësh, me rritje prej 1% në raport me vitin e mëparshëm.
Grupi Infosoft
Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total, një qarkullim vjetor prej rreth 19.5 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri në vitin 2019, pothuajse e pandryshuar në raport me vitin e mëparshëm. Aktiviteti i tij kryesor në Shqipëri përfshin Infosoft System, Infosoft Office, në fushën e teknologjisë së informacionit, si dhe kompanitë e shpërndarjes e tregtimit në segmentin FMCG, “Inter Distribution Service”, “Interbrands” dhe “Inter Trade & Distribution” (51% të aksioneve, pasi në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin).
Grupi Finman
“Finman” është grupi më i madh i ndërtimit në vend. U krijua si holding në vitin 2016 dhe përfshin disa prej sipërmarrjeve me të mëdha në fushën e ndërtimeve dhe materialeve të ndërtimit. ALB – STAR është kompania më kryesore e grupit dhe më e hershmja si dhe më e madhja me kapital shqiptar, me aktivitet në ndërtime civile, industriale. Në total, tre kompanitë kryesore të grupit (“Alb-Star”, “Vibtis”, APM), qarkulluan 11.7 miliardë lekë, me rënie rreth 8.7% me bazë vjetore. Tkurrja ka ardhur nga dy kompanitë “Vibtis” dhe APM, ndërsa “Alb-Star” është zgjeruar me rreth 12.3%.
Grupi BIGALB
Bigalb është grupi më i madh në vend me aktivitet në zinxhirin e supermarketeve. Nëpërmjet dy kompanive kryesore të tij, “Big Market” dhe “Tirana Cash and Carry”, të ardhurat totale arritën në 20.3 miliardë lekë, me një zgjerim të ndjeshëm prej 19%, si rrjedhojë e ecurisë së mirë të “Big Market”.
Grupi EHW
Grupi EHW është ndër më të mëdhenjtë në vend me aktivitet të përqendruar në industrinë përpunuese, si përpunimi i mishit (marka EHW), prodhimi i ujit (marka “Qafështama”) dhe vitet e fundit është zgjeruar dhe në zinxhirin e supermarketeve me aksione në “Conad”. Në total, grupi EHW, që përfshin dhe subjektet e tjera të grupit në industrinë përpunuese, raportoi një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh, me rritje 4.2% në raport me vitin 2018. Prej disa vitesh, kompania publikon bilanc të konsoliduar për grupin, nën logon e EHW./monitor.al