“Koha deri më 25 prill është e pakët”! Ambasadori gjerman thirrje politikës shqiptare: Zbatoni “5 qershorin”, vijoni në një frymë konstruktive

0
Zingraf 1

Ambasadori gjerman, Peter Zingraf, jep mesazhin e tij për 30-vjetorin e bashkimit të Gjermanisë, ku mes të tjerash ndalet edhe te zhvillimet politike në Shqipëri.

Ambasadori Zingraf thekson se “Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende”.

Mesazhi i plotë i ambasadorit:

Të dashur miq, këtu në kopësht dhe në ekran, sot festojmë një ditë të veçantë të Bashkimit të Gjermanisë. Kanë kaluar 30 vjet, prej se Gjermania është ribashkuar, pikërisht më 3 tetor 1990. Premisa ishte rënia e Perdes së Hekurt, pasoja rezultoi të ishte edhe ribashkimi i Evropës. Vetëm para pak javësh, në korrik, kemi kujtuar këtu, në rrugën e ambasadave në Tiranë, dyndjen e para 30 vjetëve të mijëra njerëzve nëpër ambasada në datën 2 korrik 1990 – edhe Shqipëria ia niste krejt nga e para dhe rikthehej në komunitetin e shteteve evropiane pas daljes nga izolimi.

Pritja e madhe e përvitshme me rastin e 3 tetorit nuk do të mund të organizohet për shkak të pandemisë së Coronës. Ndaj në emër të shumëkujt dëshiroj të përshëndes këtu disa partnerë të veçantë:

Në njërën anë istitucionet gjermane aktive në Shqipëri (DAAD, DIHA, FES, DW, GIZ, GZ, KAS, KfW, ZfA). Ju falënderoj për punën tuaj të angazhuar në vend dhe për bashkëpunimin tonë të mirë.
Në anën tjetër përshëndes bashkëkombas të tjerë gjermanë, që punojnë në organizata ndërkombëtare apo në ekonomi, në përfaqësim të komunitetit gjerman.
Në mënyrë të veçantë kam kënaqësinë e pranisë së znj. Dr. Irida Laçi-Lika, Drejtoreshë e Drejtorisë për Evropën në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. – E dashur znj Laçi, përfaqësoni sot këtu mbarë Shqipërinë zyrtare e veç kësaj flisni edhe shumë mirë gjermanisht!
Si një të ftuar të veçantë nderi kam kënaqësinë të përshëndes kolegen time franceze, Ambasadoren Christina Vasak. E dashur Christina, pak para përfundimit të veprimtarisë tënde të suksesshme në Tiranë dëshiroj të të falënderoj edhe njëherë shumë përzemërsisht për bashkëpunimin besimplotë mes dy ambasadave tona si dhe të të uroj gjithë të mirat në stacionin tënd të radhës! Dhe prania jote këtë mbrëmje nuk përfaqëson vetëm partneritetin e ngushtë gjermano-francez, por – kushtëzuar nga kufizimet e virusit Corona – edhe të gjithë miqtë dhe partnerët diplomatikë dhe ndërkombëtarë, për të cilët do të kishim dashur shumë të kishin qenë këtu.
Këtu mungon edhe një numër i madh partnerësh të tjerë, duke përmendur në mënyrë të veçantë ata të shoqërisë civile shqiptare prej fushave të ndryshme – kontakti me ta ka për ne gjithnjë rëndësi maksimale.
Të dashur miq, i kthejmë sytë pas drejt një viti të jashtëzakonshëm me një barrë të rëndë për Shqipërinë dhe mbarë botën. Në fillim tërmeti, pastaj pandemia e Coronës, që po na mban mbërthyer të gjithëve.

Pak gjëra kanë mbetur siç ka qenë, por shqiptarët edhe gjatë kësaj krize përjetuan, si Bashkimi Evropian është partneri i tyre strategjik, i besueshëm e solidar: mbështetja për tërmetin dhe programet e rindërtimit pas tij, asistenca akute në përballjen me Coronën në sektorin e shëndetësisë, prgramet afatgjata në zbutjen e pasojave sociale dhe ekonomike – Bashkimi Evropian ecën para dhe qëndron i palëkundur në anë të Shqipërisë.

Gjermania plotëson këtë punë të dallueshme të Bashkimit Evropian përmes projekteve dypalëshe gjermano-shqiptare. Angazhimi ynë i fuqishëm në vend përfaqësohet simbolikisht nga institucionet gjermane të mbledhura këtu; vetëm në kuadër të Bashkëpunimit Ekonomik Qeveria Federale ka investuar në Shqipëri që prej vitit 1988 më shumë se një milliard euro në formë grantesh dhe kredish, gjë që e shndërron Gjermaninë në donatorin bilateral më të madh në vend. Edhe në kontekstin e ndihmës, që vijon ende në funksion të përballjes me tërmetin dhe pandeminë, ne marrim pjesë me kontribute të qenësishme.

Në këta muaj Gjermania ka marrë përsipër një rol të veçantë me Presidencën e Këshillit në Bashkimin Evropian, i cili në mars i ka dhënë Shqipërisë PO-në për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Perspektiva e integrimit në BE përcakton veprimet tona – jo vetëm që prej marsit, dhe shumë përtej Presidencës sonë në Këshillin e Bashkimit Evropian. Angazhimi ynë në kontekstin e politikave zhvillimore vazhdon të ketë si synim përmirësimin e kushteve konkrete të jetesës së njerëzve dhe mbështetjen në vendosjen dhe zbatimin e standardeve të BE-së.

Kushtet, që Këshilli i BE-së i ka vënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj, u përgatitën vitin që shkoi nga Bundestag-u Gjerman dhe u pranuan njëzëri në vend si ‚Roadmap‘ për kalendarin shqiptar të reformave: Përmbushja e kushteve është në interesin thelbësor të vetë shqiptarëve për formësimin e të ardhmes së vendit të tyre. Ndaj u bëj thirrje të gjithë atyre, që mbajnë përgjegjësi politike si dhe të gjitha institucioneve relevante të zbatojnë së bashku këtë prioritet kombëtar dhe të çojnë përpara reformat në mënyrë të vendosur e të besueshme. Vetëm kështu njerëzit do të mund të rifitojnë besimin e nevojshëm në politikë dhe drejtësi.

Zgjedhje të lira, të ndershme e të paqta në datën 25 prill 2021 janë me rëndësi qendrore për të ardhmen politike të vendit, i cili është para sfidash të rëndësishme: rindërtimi pas tërmetit, menaxhimi i pasojave të Coronës, nisja dhe formësimi i bisedimeve të anëtarësimit me BE-në. Ndaj hapat e mëtejshëm në zbatim të marrëveshjes mbi Kodin Zgjedhor të arritur në Këshillin Politik në datën 5 qershor duhet të vijojnë më tej në një frymë konstruktive gjithëpërfshirjeje. Koha deri në zgjedhje është e paktë, shumë duhet bërë ende.

Më lejoni që në mbylje t‘i hedh një vështrim kulturës, shkollës dhe arsimit. Pandemia e Coronës preku veçanërisht rëndë shkollat dhe universitetet, teatrot dhe sallat e koncerteve. Bashkëpunimi gjermano-shqiptar vazhdon të jetë i ngushtë dhe për ne është kënaqësi që për gjuhën dhe kulturën gjermane në Shqipëri ka kaq shumë interes. Muajin tradicional të Tetorit Gjerman do ta kemi edhe këtë vit megjithë Coronën. Rreth larmisë në oferta aktivitetesh online apo open-air informohuni në aplikacionin tonë ‘Tetor Gjerman’ dhe në faqen e internetit www.tetori-gjerman.com!

Sado të vështirë e kemi heqjen dorë nga të festuarit me qindra miq, po aq e qartë është për ne, që vetëm të gjithë së bashku mund t’i kufizojmë pasojat e Coronës. Na ndihmoni ju lutem që përmes respektimit të rregullave të higjenës – para së gjithash distancë, maskë dhe larje duarsh – të mbroni veten dhe të tjerët. Rreziku Corona nuk është larguar. Në luftën kundër këtij virusi vdekjeprurës duhet të kemi shumë durim. Ndaj le ta mbështesim personelin mjekësor, që është duke punuar në kufijtë e vet, duke patur një qasje të përgjegjshme ndaj realitetit të ri të Coronës.

Dhe tani le të trokasim gotat për miqësinë gjermano-shqiptare! Gëzuar!

Artikulli i mëparshëm“Miqësi në kohë të mira e të vështira”, Nënsekretari i SHBA: Shqipëria është bashkuar me valën e rrjetit të pastër 5G
Artikulli i radhësBashkimi i Gjermanisë, Ruçi: Ngjarje historike për gjithë njerëzimin! Po punojmë për zbatimin e kushteve për integrim