Komisioni Publik ka ankimuar vendimin e KPK për Elona Toron, gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës, duke kërkuar dhe rihapjen e çështjes ndaj saj.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 264, datë 17.6.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro, janë rrjedhojë e një hetimi jo të plotë administrativ.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Elona Toro, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë.
Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 264, datë 17.6.2020, konstaton se përfundimet e arritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elona Toro, janë rrjedhojë e një hetimi jo të plotë administrativ. Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të riçelë hetimin gjyqësor, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit, në gjendjen që janë aktet, nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thekson Komisioneri Publik.
II. Shkaqet e ankimit
5. Në kuptim të nenit 179/b, të Kushtetutës, aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik është një nga tri institucionet që kryejnë procesin e rivlerësimit kalimtar (Vetting).
6. Bazuar në këto parashikime kushtetuese dhe ligjore, Komisionerit Publik, si përfaqësues i interesit publik në kryerjen e këtij procesi, i njihet e drejta e ankimit kundër vendimeve të Komisionit dhe paraqitjen e tyre juridiksionit rivlerësues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (në vijim referuar si Kolegji).
7. Në krahasim me kompetencat e njohura për Komisionin dhe Kolegjin nga neni Ç, i aneksit të Kushtetutës dhe nenet 48 – 52, të ligjit nr. 84/2016, Komisioneri Publik është i detyruar që kompetencën e tij për të ushtruar ankim ndaj vendimeve të Komisionit ta mbështesë vetëm në vlerësimin e akteve dhe provave të administruara gjatë hetimit administrativ të kryer nga Komisioni.
8. Në të tilla rrethana ligjore, me qëllim garantimin e mbrojtjes së interesit publik gjatë procesit të rivlerësimit, Komisioneri Publik ka detyrimin që të ushtrojë kontroll mbi vendimet e dhëna nga Komisioni, në gjendjen që janë aktet, duke vlerësuar nëse vendimmarrja është në përputhje me kërkesat kushtetuese e ligjore, bazohet në një hetim administrativ të gjithanshëm e shterues dhe në një vlerësim të drejtë të provave të administruara.
9. Në vështrim të sa më sipër, Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 264, datë 17.6.2020, vlerëson se përfundimet e arritura nga Komisioni për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Toro, nuk gjejnë mbështetje në prova dhe në ligjin e zbatueshëm, si dhe nuk bazohen në një hetim të gjithanshëm, të plotë dhe shterues për subjektin e rivlerësimit dhe personat e lidhur me të.
10. Komisioneri Publik, duke çmuar se ky vendim, objekt ankimi, shfaq mangësi në hetimin administrativ, konstaton se çështjet e konstatuara, në vlerësim të akteve të administruara përbëjnë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’ u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.
11. Në këto kushte, Komisioneri Publik e vlerëson të nevojshme që brenda juridiksionit rivlerësues/kontrollues të Kolegjit, ky i fundit, në shqyrtim të këtij ankimi, të riçelë hetimin gjyqësor, pasi rezulton se hetimi i Komisionit nuk ka qenë shterues në drejtim të identifikimit të burimeve të ligjshme të krijimit të të ardhurave të ligjshme, të personave të tjerë të lidhur me subjektin e rivlerësimit, të ardhura që kanë shërbyer për krijimin e pasurive mbi të cilat ushtron të drejta subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të.
Komisioneri Publik vlerëson të nevojshme rishikimin e analizës financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur me të, për periudhën e deklarimit. Për sa kohë, eventualisht, konfirmimi në detyrë i subjektit të rivlerësimit realizohet pasi është analizuar secili nga kriteret përkatëse, por edhe në një vlerësim të përgjithshëm të procedurave, Kolegji do të mund ta ushtrojë juridiksionin e tij rivlerësues/kontrollues për të tria kriteret e rivlerësimit. 12. Për sa më sipër, bazuar në nenin C, pika 2, nenin F, pikat 3 dhe 7, të aneksit të Kushtetutës, si dhe nenin 4 dhe 66, të ligjit nr. 84/2016, ky ankim i Komisionerit Publik ndaj vendimit nr. 264, datë 17.6.2020, të Komisionit, ushtrohet për të tria kriteret e rivlerësimit.
Për vlerësimin e pasurisë
13. Në lidhje me vlerësimin e kriterit të pasurisë, referuar nenit D, të aneksit të Kushtetutës dhe neneve 30 – 33, të ligjit nr. 84/2016, si dhe jurisprudencës së Kolegjit, Komisioneri Publik mban në konsideratë se gjatë kryerjes së procedurave të rivlerësimit, objekti i hetimit dhe i vlerësimit të pasurisë ndaj subjekteve që i nënshtrohen këtij procesi sipas nenit 179/b, të Kushtetutës, materializohet në kontrollin e saktësisë dhe mjaftueshmërisë së deklarimeve të subjektit (“Vetting” dhe ato periodike). Në çdo rast, subjekti i rivlerësimit duhet të deklarojë tërësinë e pasurisë së tij dhe të shpjegojë bindshëm ligjshmërinë e burimit të krijimit të saj, si dhe ekzistencën e të ardhurave të ligjshme, sipas përkufizimit kushtetues.
14. Komisioneri Publik, në vlerësim të kriterit të pasurisë, është bazuar në aktet e administruara dhe rrethanat e çështjes, të cilat, në gjendjen që janë, paraqesin nevojën për riçeljen e hetimit gjyqësor, pasi konstatohet se hetimi administrativ i kryer nga Komisioni nuk ka qenë i gjithanshëm, i plotë dhe shterues.
14.1 Nga verifikimi i akteve rezulton se hetimi i Komisionit mbi verifikimin e burimeve të ligjshme të personave të tjerë të lidhur, burimeve që kanë shërbyer për krijimin e pasurive në posedim apo përdorim të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me subjektin, deklaruar: dhënë në formën e huave apo dhurimeve të ndryshme ndër vite, nuk paraqitet i plotë, përkundrejt rrethanave që janë konstatuar.
14.2 Metodologjia e ndjekur nga Komisioni, në rastin konkret, për analizimin e burimeve të ligjshme të personave të tjerë të lidhur, nuk është e qartë dhe nuk gjen mbështetje në jurisprudencën e deritanishme, pasi nga verifikimi i akteve në dosje konstatohet që për të identifikuar mundësinë e personave të tjerë të lidhur për të mbuluar me burime të ligjshme, huat dhe dhurimet ndaj subjektit të rivlerësimit: (i) nuk përputhet periudha kohore e të ardhurave të marra në analizë me periudhën e shpenzimeve të jetesës; (ii) numri i personave që realizojnë të ardhura të përfshirë në analizë është i ndryshëm nga numri i personave të llogaritur në shpenzimet jetike, nuk është në përputhje me dokumentet e administruara në dosje; (iii) në shpenzimet e personave të tjerë të lidhur, nuk janë përfshirë të gjitha të dhënat e dala nga hetimi administrativ.
14.3 Në rastet e shumave të deklaruara të dhuruara nga personat e tjerë të lidhur, nuk rezulton të jetë hetuar duke administruar të plota aktet përkatëse me vlerë provuese në lidhje me eventualitetin e konsiderimit të këtyre të ardhurave si të ligjshme, në kuptim të nenit D të aneksit të Kushtetutës.
14.4 Nga aktet e administruara rezulton se në analizën e kryer nga Komisioni nuk rezulton të jenë përfshirë dhe, për rrjedhojë, të jetë arritur në konkluzione të plota për sa i takon të ardhurave dhe disa zërave të shpenzimeve, të tilla që mund të ndikojnë në konstatimin e deklarimit të saktë të subjektit të rivlerësimit për vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016.
14.5 Vlerësimi i këtyre çështjeve, eventualisht, do të ndikonte në vlerësimin e mjaftueshmërisë dhe burimit të ligjshëm të krijimit të pasurive dhe shpenzimeve të deklaruara nga subjekti i rivlerësimit dhe të personave të lidhur me të.
15. Rezulton se subjekti i rivlerësimit, znj. Elona Toro, është subjekt deklarues për herë të parë në vitin 2003 dhe, në zbatim të ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar, ka dorëzuar në ILDKPKI deklaratat e interesave private periodike për vitet 2003 – 2016 (në vijim DV -20–) dhe në datën 25.1.2017 ka dorëzuar në ILDKPKI deklaratën “Vetting”, sipas shtojcës nr. 2 të ligjit nr. 84/2016.