Bashkimi Europian në raportin e fundit të progresit për Shqipërinë sugjeroi thjeshtim e sistemit të taksave si një nxitës efikas për formalizmin e ekonomisë dhe zbatimin e ligjeve fiskale.
BE vuri në dukje se është ekzagjeruar me normat e reduktuara të TVSH-së në disa sektorë pasi bëhen shkak për evazion fiskal.
Për taksimin indirekt, norma standarde e TVSH-së është 20% dhe normat e reduktuara janë 6% dhe 10%. “Megjithatë, ka një rritje të mëtejshme në numrin e përjashtimeve, duke përfshirë përjashtimet që lidhen me aktivitetet e ndërtimit / rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit” thuhet në raport.
Aplikimi i pragjeve për tatimin mbi të ardhurat dhe TVSH-në, e ka bërë sistemin tatimor më të komplikuar në administrim dhe kjo praktikë inkurajon shmangien e taksave dhe evazionin, thekson raporti i progresit.
Më tej BE i sugjeron qeverisë të adresojë në mënyrë sistematike rimbursimet në kohë reale të TVSH-së dhe të shmangë detyrimet e prapambetura.
BE konstatoi se, ligji i akcizës është pjesërisht i përafruar me legjislacionin e komunitetit. Gjithashtu ekziston një taksim jo i drejtë duhanit dhe cigareve nga importi me prodhimin vendas.
Për sa i përket pajtueshmërisë tatimore, tatimet kanë identifikuar një numër të konsiderueshëm të taksapaguesve të cilët nën-deklarojnë pagat e punonjësve të tyre.
Përkundrejt volumit të punës, administrata tatimore po përballet me mungesë personeli.
Në mars të vitit 2020 personeli i administratës tatimore u ul më tej nga 1,512 në 1,450. Përkundër kësaj rënieje të stafit, që nga qershori i vitit 2020 numri i vendeve të lira të punës mbetet shumë i lartë 193 persona ose (13.3%) krahasuar me 206 në 2018 (13.1%).
Në janar 2020 u miratua ligji për shkëmbimin automatik të informacionit në llogaritë financiare, duke synuar përafrimin me Standardet e Raportimit të Konformitetit dhe shtrirjen e pjesshme me Direktivën përkatëse 2014 të BE-së.
Por, raporti i progresit vë në dukje se Shqipëria nuk ka ende kapacitetin teknik që të lehtësojnë shkëmbimin efikas të informacionit, as infrastrukturën e duhur elektronike për këtë proces.
Në fushën e taksave BE e monitoron Shqipërinë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe detyrimet e akcizës, si dhe aspektet e taksimit të korporatave.
Raporti i fundit i progresit vlerësoi se Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në fushën e taksave. Performanca e të ardhurave në vitin 2019 ishte mbi nivelet e 2018 (+ 1.7%) por më poshtë objektivi (-4.9%), kryesisht për shkak të mosgrumbullimit të TVSH-së, detyrimeve doganore, taksave kombëtare dhe akcizës. monitor.al