Konkurrenca vë në monitorim “Bankers Petrolium”, do verifikohet çdo kontratë e re, çdo 3 muaj do raportohet mbi prodhimet e naftës

0
Konkurrenca vë në monitorim “Bankers Petrolium”, do

Autoriteti i Konkurrencës do të rrisë monitorimin ndaj rafinerisë së naftës Bankers Petrolium. AK ka njoftuar së fundmi se ka mbyllur hetimin e thelluar mbi këtë rafineri duke qenë se Bankers është një nga kompanitë më të kritikuara nga kompanitë e tjera që bashkëpunojnë me të. Sakaq duke marrë parasysh përplasjet e mëdha me kompaninë Tosk Energji, Konkurrenca nisi hetimet e thelluara. Gjithsesi, mbase dhe të papërcaktimit të hollësive në licencë me Albpetrol, AK nuk ka gjetur ndonjë abuzim nga Bankers. Pikërisht këto paqartësi në kontratë nuk e kanë bindur plotësisht Konkurrencën, e cila ka nxjerrë disa rekomandime për Albpetrol, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, si dhe me vendosjen e masave detyruese ndaj ndërmarrjes në hetim, Bankers Petrolium. Tani e në vazhdim Bankers është e detyruar të raportojë për çdo kontratë të re që do të lidhë. Sakaq në mënyrë ultimatum kërkohet që kjo kompani të raportojë në çdo 3 muaj kostot dhe sasitë e prodhimit të naftës si dhe të respektojë rregullin e barazisë në treg me kompanitë që do lidhë kontratë. “Bankers Petrolium duhet të depozitojë pranë Autoritetit të Konkurrencës për vlerësim paraprak çdo draft kontratë që do të lidhë me rafineritë e përpunimit të naftës në vend. Bankers duhet të aplikojë kushte tregtimi të barabarta për veprime tregtare të njëjta ndaj ndërmarrjeve me të cilat hyn në marrëdhënie kontraktore, si edhe të furnizojë ndërmarrjet e përpunimit të naftës bruto në tregun vendas, në respektim të marrëdhënieve kontraktore bazuar në dispozitat e Kodit Civil. Gjithashtu, Bankers duhet të raportojë çdo tre muaj mbi prodhimin e naftës, kostot e aktivitetit dhe operacionet e saj hidrokarbure”, thuhet në raportin e hetimit. AK e ka vënë theksin e saj tek barazia e kostove me çdo kompani pasi së fundmi Bankers është akuzuar se kompanitë vendase i furnizon me naftë me çmim më të lartë se sa nafta që kalon për eksport. Prej vitesh, Bankers ka pasur një marrëdhënie problematike me këto subjekte, kryesisht ato që kanë administruar rafinerinë e Ballshit. Firma e fundit që e operoi këtë rafineri, Tosk Energji, është ankuar në Autoritetin e Konkurrencës se Bankers nuk e ka furnizuar me sasinë e kërkuar të naftës bruto. Nga ana e saj, Bankers shprehet se Tosk Energji nuk ka tërhequr sasitë e kërkuara për naftë bruto, çka ka rezultuar me moskryerjen e parapagimit apo çeljes së Letër Kreditit për volumin e programuar.

Ja mangësitë në licencë

Ndër të tjera në raportin e Autoritetit evidentohet se të gjitha përplasjet dhe keqkuptimet mes Bankers dhe kompanive të tjera vijnë për shkak të mangësive që ka licenca e operimit, që i jep Bankers disa kompetenca që prekin furnizimin e tregut me naftë. Saktësisht në raport thuhet se, licenca dhe marrëveshje hidrokarbure që Bankers ka me Albpetrol nuk përcaktojnë kufizime lidhur me tregun e shitjes së naftës bruto. Kompania është plotësisht e lirë të shesë dhe të tregtojë naftën bruto që prodhon, në tregun vendas ose për eksport. Rrjedhimisht, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se në vijimësi kjo çdo veprim mbi sasinë dhe kostot duhet parë në bazë të ligjit për këtë çështje, që rregullon dhe pabarazitë në treg për përcaktimin e sasisë minimale dhe maksimal të shitur. Që gjithashtu do të raportohet dhe do të jetë e njëjtë për të gjithë. “Çështja duhet trajtuar në kuadrin e dispozitave të Kodit Civil që rregullojnë marrëdhëniet kontraktore. Neni 773 përcakton se, kur nuk është përcaktuar sasia e furnizimit, nënkuptohet se marrëveshja është për sasinë që përkon me nevojat normale të palës që furnizohet deri në kohën e përfundimit të kontratës. Në qoftë se palët kanë vendosur vetëm kufirin maksimal dhe minimal për furnizimin ose për shërbimet e veçanta, i takon atij që ka të drejtën e furnizimit të vendosë brenda kufijve të mësipërm për sasinë e duhur. Në qoftë se sasia e furnizimit duhet të përcaktohet sipas nevojave mbi një sasi minimale të caktuar në kontratë, pala që furnizohet përgjigjet për sasinë përkatëse sipas nevojave, në rast se tejkalohet sasia minimale”, thuhet në raport.

Artikulli i mëparshëm“Nuk lejojmë që ta djegin si qen”, familjarët e pensionistit që vdiq nga COVID-19 tentojnë të hyjnë me forcë në morg për të rrëmbyer kufomën e të afërmit të tyre (FOTO)
Artikulli i radhësKujdes! Këto janë sinjalet paralajmëruese/ Ja pesë shenjat që paraprijnë goditjet elektrike dhe zjarrin në shtëpi!