Një ngjarje e rëndë ka tronditur Himarën mëngjesin e kësaj të shtune.
Biznesmeni Niko Goro, 51 vjeç, djali i xhaxhait të kryebashkiakut, Jorgo Goro, është ekzekutuar me armë zjarri në shëtitoren e qytetit.
Goro u ekzekutua sapo doli nga supermarketi në pronësi të motrës së tij, edhe kjo e fundit e plagosur në këmbë jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja është regjistruar rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë.
Vetëm pak minuta pas ngjarjes, disa km larg, është arritur kapja e autorit. Ai është Kliti Leka , 53 vjeç, banues në Tiranë, ndërkohë që është gjetur arma e krimit dhe furgoni “Volkswagen”, 7-vendesh.
Ka dyshime se shkak i këtij konflikti ka qenë një borxh prej 70 mijë eurosh që biznesmeni Niko Goro i kishte Kliti Lekës.
Kliti Leka, me profesion elektricist i kishte bërë rrjetin elektrik në pallatin e ndërtuar nga Niko Goro, por ky i fundit nuk e ka paguar për punën e bërë.
Për pasojë, sherri mes tyre ka agravuar deri në ekzekutimin e 51-vjeçari. Leka e ka pranuar autorësinë e krimit, teksa kjo është pista kryesore në të cilën po heton policia.