Kremlini sinjalizoi të hënën një raund të ri bisedimesh me Arabinë Saudite ndërsa grupi i prodhuesve OPEC + pritet të takohet të hënën për të diskutuar mbi parashikimet e dobta sa i takon kërkesës për naftë, në një kohë të rritjes së infeksioneve me koronavirus.
“Tregjet janë të paqëndrueshme dhe ne jemi në një fazë aktive bashkëpunimi, shkëmbimi mendimesh. Kjo është arsyeja pse kërkojmë kontakte të rregullta,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Mohammed bin Salman zhvilluan dy biseda telefonike javën e kaluar për të diskutuar mbi tregjet e naftës.
Burimet brenda OPEC + deklaruan se grupi nuk kishte gjasa të rekomandonte veprime të menjëhershme të hënën. Një komitet i përbashkët monitorimi ministror i OPEC +, i përbërë nga prodhuesit kryesorë Arabia Saudite dhe Rusia, ka planifikuar të takohet.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët përfshirë Rusinë, e njohur kolektivisht si OPEC +, kanë ulur prodhimin që nga janari 2017 në një përpjekje për të ekuilibruar tregun, për të mbështetur çmimet dhe për të ulur inventarët.
Ato aktualisht po frenojnë prodhimin me 7.7 milion fuçi në ditë (bpd).
Disa vëzhgues të OPEC-ut, përfshirë analistë nga banka amerikane e investimeve J.P. Morgan, kanë sugjeruar që një parashikim i kërkesës në rritje mund ta nxisë OPEC + të vonojë lehtësimet e shkurtimeve në prodhin. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusia, megjithatë, kanë thënë se shkurtimet do të lehtësohen siç është planifikuar.
Grupi do të takohet përsëri më 30 nëntor.
Ekspertët e OPEC + javën e kaluar diskutuan rreziqet e një uljeje të vazhdueshme të furnizimit në 2021 në rast të një vale të dytë dhe të rëndë të pandemisë COVID-19.
“Vetë kërkesa po duket ende anemike,” tha sekretari i Përgjithshëm i OPEC Mohammad Barkindo javën e kaluar.
Bursa për datën 19 Tetor 2020 u mbyll si më poshtë:
Vlerat janë të shprehura në $/mt
- Brent është shprehur në $/bbl
Produkti | Çmimi ditor ( $/mt ) | Ndryshimi ditor +/- ( $/mt ) |
BENZINA | 384.75 | + 0.25 |
DIESEL | 339.50 | – 2.25 |
BRENT | 41.79 | + 0.13 |
©aktualitet.al