Greqia e ka konsideruar më në fund, si anakronizëm, Ligjin e Luftës që ekziston ende me Shqipërinë dhe ka premtuar se do ta heqë atë. Lajmi u dha Tiranë nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, i cili dha një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin Edi Rama.
“Ne tani kemi referuar çështjen e Ligjit të Luftës, – tha ministri Dendias. – Zoti Kryeministër, kjo gjë është një anakronizëm dhe jam i sigurtë që edhe këtë do ta zgjidhim së bashku dhe, është gëzim i madh për mua që kam mundësinë ta them këtë gjë këtu nga Tirana, në opinionin publik shqiptar, me urdhër të Kryeministrit Mitsotakis,” nënvizoi Dendias.
Mbi diskutimet për heqjen e Ligjit të Luftës, që Greqia e mban ende në fuqi, foli në mbyllje të fjalës së tij edhe Kryeministri Edi Rama, i cili nuk la pa shtuar edhe sulmet ndaj akuzuesve të tij për këtë çështje të pazgjidhur në 7 vite qeverisje:
“Në mbyllje dëshiroj të them edhe diçka që nuk është ende një çështje që mund ta konsiderojmë të zgjidhur, po që është në një diskutim shumë pozitiv e që së shpejti unë kam shumë besim se do të përfundojë në mënyrë pozitive, që është: Heqja e Ligjit të Luftës, – tha Rama e vërejti: – E pastaj, mbasi humbën detin, nacional-folklorikët-patriotë do të humbin edhe tokën dhe pastaj të gjejnë në ajër ndonjë çështje, të krijojnë një subjekt për … se si Greqia po rrit emisionet e gazit në atmosferën shqiptare!!! Se në tokë dhe në det nuk do të kenë më çështje për t’u marrë,” përfundoi ai.