Moncef Slaoui, këshilltari kryesor i Task Forcës së Vaksinave të presidentit, Donald Trump, parashikoi që një vaksinë mund të ishte gjerësisht e disponueshme deri në pranverën e vitit 2021 dhe se deri në qershor të atij viti, të gjithë amerikanët mund të vaksinohen.
“Ne mund të fillojmë të imunizojmë njerëzit me rrezik më të lartë, punëtorët e vijës së parë, punonjësit e kujdesit shëndetësor, para fundit të vitit”, tha Slaoui në një intervistë me ABC News, raporton BBC.
Kjo kronologji shkon në kundërshtim me shefin e tij. Në mesazhin e tij të parë pas largimit nga spitali Walter Reed, Trump përsëriti parashikimin se një vaksinë mund të ishte në dispozicion para ose menjëherë pas zgjedhjeve – edhe pse gjithashtu ka thënë në të kaluarën se një vaksinë do të ishte në dispozicion deri në prill të vitit 2021.
Mjeku Slaoui, ish-shefi i vaksinave në GlaxoSmithKline, tha se nuk kishte asnjë presion politik për të përshpejtuar vaksinën dhe se nëse i kërkohet ta bëjë këtë, ai do të japë dorëheqje.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin se gati gjysma e amerikanëve të anketuar thanë se nuk do ta merrnin vaksinën nëse do të ishte në dispozicion sot.
“Unë jam vërtet i shqetësuar për këtë”, tha ai duke shtuar se “Mendoj, për fat të keq, është politika përreth tij”.