Zbehet ndikimi i partive pro-ruse në Qeverinë e re serbe. Në mënyrë të qartë, Moska është…

0
0e3dd073-9d2d-4c10-b90e-4562fbc1c9cf_cx0_cy10_cw0_w1023_r1_s

Në mënyrë të qartë Moska është e pakënaqur me përpjekjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të zbehur ndikimin e Rusisë në qeverinë e re në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë, analisti politik, Cvijetin Millivojeviq.

Partia Socialiste e Serbisë (SPS), e themeluar më 1990, që nga koha e udhëheqësit të saj të parë Sllobodan Millosheviq, ka pasur orientim pro-rus dhe për herë të parë tash është dëbuar nga pozicionet e larta në qeveri. Në 12 vjetët e kaluara dhe në pesë mandate qeveritare, ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme në ekzekutivin serb.

“Pa Ivica Daçiqin, qeveria e re nuk mund të konsiderohet një qeveri në të cilën ka një lojtar të fortë pro-rus. Sigurisht, Moska nuk është e kënaqur me këtë fakt”, thotë Cvijetin Milivojeviq, duke komentuar pozicionin e kryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm politik në çdo qeveri serbe, që nga viti 2008.

Në atë vit, Daçiq dhe partia e tij, duke marrë pozicionin e ministrit të Policisë, u kthyen në skenën politike për herë të parë pas rënies nga pushteti më 5 tetor të vitit 2000. Pastaj, përmes koalicionit me Partinë Përparimtare të Serbisë (SNS) më 2012, Daçiq betonoi pozicionin e tij ne pushtet, përmes funksioneve si kryeministër dhe deri më sot, si ministër i Punëve të Jashtme.

SPS-i me vetëm dy ministri

Bazuar në ndarjen aktuale të ministrive, të dakorduar në takimin e Partisë Përparimtare të Serbisë (SNS) të presidentit Vuçiq, në prani të kryeministres në ardhje, Ana Bërnabiq, partia e Daçiqit do të ketë vetëm dy ministri nga 23 sa do të ketë qeveria e re. Në krahasim me pozicionet e rëndësishme në të kaluarën, Partia Socialiste e Serbisë, këtë herë do të udhëheqë me Ministrinë e Arsimit dhe ministrinë pa portofol.

Në qeverinë e deritashme, SPS ka udhëhequr me këto ministri: të Energjisë, Punëve të Jashtme, Administratës Shtetërore, Ekologjisë si dhe një ministër pa portofol për Demografinë.

Sipas Cvijetin Milivojeviq, momenti kryesor për vendimin e Vuçiqit, që të bëjë një largim përfundimtar nga Moska ishte marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington.

“Administrata Trump në fakt kërkoi që të mbyllen rrugët për Rusi. Ai në të vërtetë përmbushi një pjesë të asaj marrëveshjeje duke minimizuar ndikimin e SPS-it, që konsiderohet i preferuari i Moskës, veçanërisht në sektorin e energjisë”, tha Milivojeviq.

Energjia ka qenë çështja kryesore

Njëra nga pikat e marrëveshjes për normalizim ekonomik, e cila u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë edhe diversifikimi i burimeve të energjisë nga të dyja palët, që në praktikë mund të nënkuptojë uljen e blerjes së gazit nga Rusia.

Vojisllav Vuletiq, president i asamblesë së Shoqatës serbe të gazit, e cila ka në përbërje inxhinierë dhe ekspertë të gazit, thotë se Serbia, përveç një prodhimi të vogël vetanak të gazit për ngrohje dhe industri, është pothuajse 100 për qind e varur nga importet e energjisë nga Rusia.

“Për momentin, nuk ka burime të tjera të cilave Serbia mund t’iu bashkohet në mënyrë që të ketë larmishmëri. Rrjedha Turke është duke u ndërtuar tani, por do të jetë gjithashtu me gaz rus, edhe pse në të mund të përfshihen edhe burime tjera të energjisë nga Turkmenistani dhe Azerbajxhani. Pra, ekziston mundësia për ndarjen e burimeve, por kjo, vetëm në të ardhmen”, shprehet Vuletiq.

Sipas Shoqatës së gazit, Serbia çdo vit importon rreth dy miliardë metra kub gaz nga Rusia dhe katër milionë tonë naftë, një burim energjie që arrin përmes ish-ndërmarrjes shtetërore ”Naftna industrija Srbije”, pjesa më e madhe e së cilës tani zotërohet nga gjiganti rus i energjisë Gazprom.

Gazsjellësi i ri, Rrjedha Turke, pritet të transportojë 31.5 miliardë metra kub gaz nga Rusia në vit. Gjysma e kësaj – 15,75 miliardë metra kub janë të rezervuara për nevojat e Turqisë, ndërsa gjysma tjetër do të shkojë më tej në Evropën Jugore dhe Qendrore, ndër të tjera përmes Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë.

Në momentin vendimtar për atë projekt, kur bëhet fjalë për Serbinë, sipas njoftimeve pas seancës së presidencës së SNS më 25 tetor, Ministria e Energjisë do të udhëhiqet nga Zorana Mihajlloviq, një funksionare e SNS-së, e njohur për pikëpamjet e saj pro-perëndimore.

Ministrja aktuale e Transportit do të drejtojë atë ministri për herë të dytë në karrierën e saj.

Sidoqoftë, sipas deklaratave të kryetarit të SPS-it, Ivica Daçiq, SPS do të mbetet në një kompani të rëndësishme publike të sistemit të energjisë në Serbi – Srbijagas.

”Srbijagas” i mbetet SPS-it

Ivica Daçiq në një deklaratë më 26 tetor la të kuptohet se drejtori i Srbijagas-it, një kompani publike e ngarkuar me importet e gazit, do të mbetet zyrtari i SPS-it, Dushan Bajatoviq, i cili konsiderohet si një person shumë i njohur në Kremlin dhe për zgjedhjen e të cilit insistojnë Moska dhe menaxhmenti i Gazpromit. Gjithashtu, Daçiq, i cili do të jetë kryetar i ardhshëm i Parlamentit serb, shprehu besimin se një person i afërt me të do të jetë kreu i një kompanie tjetër të madhe ”Elektroprivreda Srbije”. Këtë kompani të madhe të energjisë e pret privatizimi.

Nëse kjo që thotë Daçiq do të realizohet, pritet të shihet pas formimit të Qeverisë së Serbisë.

Zyrtarët e partisë së Daçiqit dhe të Vuçiqit, hezituan të komentojnë mbi ndryshimet në sektorin e energjisë dhe se si kjo do të ndikojë në marrëdhëniet me Rusinë, por Zorana Mihajlloviq tha në një deklaratë me shkrim se Serbia ka një pasuri në fushën e minierave dhe energjisë që matet në një shkallë globale, dhe se në periudhën e ardhshme detyra e saj do të jetë rregullimi i këtij sektori.

“Ka shumë sfida në sektorin e minierave dhe energjisë, veçanërisht kur flasim për tubacionet e gazit dhe naftës dhe duhet të mendojmë për Serbinë më 2050, dhe jo vetëm tani”, tha ajo.

Mihajlloviq ka pasur mosmarrëveshje me drejtorin e Srbijagas-it, Dushan Bajatoviq, gjatë mandatit të saj të mëparshëm si ministre e Energjisë.

Në një deklaratë për televizionin B92 në mars të vitit 2013, ajo vlerësoi se Bajatoviq nuk ka punuar mirë dhe se puna e Srbijagas-it duhet të rishikohet. Zyrtari i SPS-it i hodhi poshtë të gjitha kritikat.

Analisti Cvijetin Milivojeviq i sheh ndryshimet në sektorin e energjisë si provë të qëllimit të Aleksandar Vuçiqit për të hequr dorë nga Moska dhe motivi i tij i mundshëm, sipas analistit serb, ndërlidhet me çështjen e Kosovës.

“Ai mendon se, përmes kësaj mund të blejë edhe ndonjë vit në pushtet pasi amerikanët tani, me marrëveshjen e Uashingtonit, nuk këmbëngulën që Serbia ta njohë Kosovën ose anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”, përfundoi Millivojeviq.

Pas marrëveshjes në Uashington dhe përpjekjeve të gjata katërmujore për formimin e Qeverisë së re serbe, vizita e njoftuar e presidentit rus, Vladimir Putin në Serbi në Ditën e Fitores, më 20 tetor, nuk u zhvillua.

Mbi të gjitha, se cili do të jetë fitimi nga Uashingtoni ose ndoshta ndëshkimi nga Rusia për qeverinë në Beograd, përfundon Millivojeviq, do të shihet shumë shpejt.

“Ne tashmë kemi marrë një sinjal të drejtpërdrejtë nga Moska, Putini nuk erdhi në Serbi. Dhe do të shohim se çfarë mesazhi do të vijë nga Uashingtoni pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale”, thotë ai.

Këtë javë, Lavrov në Beograd

Në vend të Putinit, kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, do të mbërrijë në Beograd më 28 tetor. Ende është e panjohur se çfarë do të jetë në planin e takimeve, por mesazhi i parë urues i dërguar nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, ka arritur në duart e Ivica Daçiqit.

Sipas deklaratës zyrtare, ambasadori rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko, i dorëzoi urimet e ministrit të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, me rastin e marrjes së detyrës së re, gjatë takimit me Daçiq më 26 tetor.

Në mesazhin e urimit thuhet se Lavrov dhe Daçiq arritën shumë gjatë viteve të bashkëpunimit si drejtues të politikës së jashtme.

Edhe partitë tjera mbetën pa pozicione në Qeverinë serbe

Partia Popullore Serbe, e udhëhequr nga ish-ministri i Inovacionit, Nenad Popoviq, gjithashtu mbeti pa një vend në Qeverinë e Serbisë.

Popoviq, i cili është gjithashtu menaxher i një kompanie që operon në Rusi, nuk është një kandidat për të zënë ndonjë pozicion në Qeverinë e ardhshme serbe.

Sidoqoftë, pozitë ministrore do të ketë për kreun e Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vullin, i cili do të marrë përsipër Ministrinë e Policisë. Vullin konsiderohet të jetë i afërt me Rusinë.

Bërnabiq do të paraqesë kabinetin e saj edhe ekspozenë në Parlamentin e Serbisë më 28 tetor.

Nga zgjedhjet në Serbi kanë kaluar 126 ditë, gjë që e bën formimin e qeverisë aktuale më të gjatën në 20 vjetët e fundit.

Zgjedhjet u mbajtën në 21 qershor dhe lista e Partisë Përparimtare Serbe e presidentit aktual Aleksandar Vuçiq, fitoi 188 nga 250 ulëse në parlament. /Rel/

Artikulli i mëparshëmFloresha Kalemaj nuk ndalet, gruaja nga Fieri kërkon arrestimin e bashkëpunëtorëve që iu grabitën 100 mln lekë dhe ‘Benz’-in, akuza prokurores: Violeta Shkurta, e përfshirë në krim, ata po investojnë që të lirojnë shokët
Artikulli i radhësZgjedhjet në SHBA dhe interesat shqiptare