Një 44-vjeçar ka vdekur në Spitalin Infektiv pasi nuk ka mundur të fitojë betejën me COVID-19. Viktima, identiteti i të cilit ende nuk dihet, sipas bashkëshortes ishte i shtruar prej 8 ditësh në spitalin infektiv, ndërsa më herët, ajo ka denoncuar në Fax Neës, humbjen e kontaktit me të shoqin, dhe shton se as mjekët dhe as infermierët nuk i jepnin informacion për të. “Është bërë si burgu i Spaçit”-tha ajo, ndërsa MSH nuk ka asnjë njoftim për rastin. E shoqja, ka mësuar lajmin, pas denoncimit në media.
RRËFIMI I GRUAS PARA SE BURRI TË VDISTE:
“Kam që mbrëmë që nuk flas dot me bashkëshortin, ka 8 ditë që është në Infektiv. Është e drejta jonë që të kemi informacion, është njësoj si në bùrgun e Spaçit, tani nuk e hap dot burri im telefonin, ta hapin infermieret.
Nuk kam asnjë informacion, as nëse është rënduar, as nëse është më mirë. Burri mbrëmë ishte me temperaturë të lartë, kjo më shqetëson, se po të ishte mirë do mendoja se është në gjumë dhe nuk ma hap. Nuk e di se ku është infektuar burri, ne të tjerët nuk jemi prekur, celulari bie dhe nuk e hap njeri.
Për shërbimin nuk ka pasur ankesa, i kanë qendruar pranë, edhe mbrëmë që ishte me temperaturë i kishin vendosur kompresa, por kjo e informacionit është shqetësim i të gjithë familjarëve.
Situata me COVID-19 në Shqipëri sa shkon dhe përkeqësohet, ndërsa rasti i këtij pacientit që u denoncua nga e shoqja se nuk ka marrë informacion për të, nuk është i vetmi. Gati një javë më parë, Lufti Cekiri, vdiq pasi nuk arriti për ditë me radhë të merrte ndihmë mjekësore në QSUT. Edhe Luftiu denoncoi në media atë që po ndodhte me shëndetin e tij, në kohën kur e gjithë vëmendja e sistemit shëndetësor ka kaluar tek COVID-19, ndërsa pacientët me sëmundje të rënda, enden nga një spital tek tjetri.