Në ditën që Franca u godit nga një atentat terrorist, në Tiranë u përzgjodh e njëjta mënyrë me të cilën aty u përkujtuan viktimat për të celebruar flamurin turk
Shumë kush është ndjerë i habitur kur ka parë të enjten në darkë projektimin e flamurit turk me gjysëm hënën e bardhë mbi sfond të kuq, të projektuar mbi godinën qëndrore të Universitetit të Tiranës. Çudia ka të bëjë me faktin se ndonëse ky akt justifikohej me celebrimin e 97 vjetorit të republikës turke, një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë as me vende të tjera fqinjë që Shqipëria i ka aleatë strategjikë, si Italia apo Greqia.
Pra askush nuk ka pasur fatin të shikojë flamurin helen apo atë tri ngjyrësh kur këto shtete kanë pasur festat e tyre kombëtare.
Pikërisht kjo “risi” që s’ka të bëjë me ndjekjen e një tradite të bën të mendosh se flamuri turk u projektua në perspektivën që mbyll bulevardin qëndror të Tiranës për shkaqe të tjera. Dhe për ti kuptuar ato është mirë të shohim pak sfondin në të cilën ndodhi kjo ngjarje.
Ajo ndodhi kur Turqia e presidentit Erdogan është përfshirë në një konflikt jo vetëm verbal me Francën e Emanuel Makronit, përplasje që ka degraduar edhe në fyerje personale mes dy liderve.
Ajo ndodhi, kur pas atentatit barbar ndaj arsimtarit Samuel Paty, fasadat e godinave të shesheve qëndrore të Francës u mbushën me kopertinat e të përjavshmes Charlie Hebdo, me karikaturat e profetit Muhamet (poshte).
Pikërisht ky apel i presidentit Makron për lirinë për të karikaturuar dhe për të blasfemuar solli përplasjen e tij me Erdoganin. Në Tiranë u ndoq e njëjta formë me projeksion mbi godina, por duke vënë aty flamurin turk.
Ky projektim në Tiranë ndodhi në ditën që Franca u godit nga një tjetër atentat terrorist, këtë radhë në qytetin e Nisës. Pyetja është: meqë celebrimi i festave kombëtare nuk përbën një traditë në kryeqytetin tonë, a mund të kishim projektuar këtë të enjte një solidaritet me dhimbjen e Francës, siç u bë në kohën e atentateve ndaj Charlie Hebdo, para se të solidarizoheshim me flamurin turk?
Ky flamur u projektua mbi godinën e universitetit, kur Franca, me të cilën është solidarizuar e gjithë Europa perendimore, ka ngritur lart zërin për lirinë dhe indipendencën e arsimit dhe për domosshmërinë që ai të jetë laik.
Duket se shumëçka ka ndryshuar që nga janari 2015 kur kryeministri Edi Rama vuri tre lapsa në xhep dhe marshoi rrugëve të Parisit në kujtim të viktimave të kësaj gazete satirike.
Pesë vjet më pas, në të njëjtën ditë që vendi i iluminizmit u përgjak nga një terrorrist që bërtiste Allahu Ekber, në Tiranë u përzgjodh të kalohej në heshtje solidarizimi me viktimat dhe të përkujtohej festa e republikës turke. Dhe kjo u bë pikërisht me metodën e projektimit në fasada, të cilën Makron zgjodhi për të nderuar viktimat e vendit të tij.
Ky detaj nuk i “shpëtoi” nga vëmendja as agjensisë turke të lajmeve Anadolu Agency (poshte) e cila shkroi: “Në Shqipëri është zgjedhur një mënyrë e veçantë për të shënuar 97-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, në mungesë të ceremonive për shkak të pandemisë COVID-19. Me rastin e Ditës së Republikës së Turqisë, ndërtesa e Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin “Nënë Tereza” është ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Turqisë dhe flamurit të Shqipërisë”./lapsi.al