Shumica e gjermanëve shpreson për një fitore të Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 3 nëntor. Pas katër vitesh Trump, marrëdhëniet gjermano-amerikane janë ftohur si kurrë më parë.
Nga Peter Hille, DW
Cila është pika më e ulët në marrëdhëniet transatlantike gjatë presidencës së Donald Trumpit? Deputetit konservator gjerman, Peter Beyer, nuk i duhet të mendohet gjatë. Ajo u arrit në gusht 2018, kur Donald Trump i quajti evropianët si armiq. „Aty thjesht u kalua kufiri”, thotë për Deutsche Wellen, Beyer, koordinator transatlantik i qeverisë gjermane. „Këtë nuk do ta dëgjosh nga askush e jo më nga një president amerikan.”
Por ky ishte vetëm njëri nga shumë momente gjatë cilave Trump la të kuptohet, se çfarë mendon ai për Evropën, Gjermaninë dhe kancelaren Merkel. Në katër vite të mandatit të tij kanë ndryshuar shumë gjëra në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Berlinit, thotë Beyer. Sidomos stili i komunikimit. “Ne ishim mësuar, që gjërat të bisedohen më parë. Këtu duhet të merrnim një mësim të ri.” Si për shembull kur Trump bëri të ditur tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania. “Këtë ne e mësuam nga një artikull në Wall Street Journal dhe një javë rresht sundoi heshtja.”
Trump me zë të lartë, Merkel me zë të ulët
Edhe marrëdhënia personale mes presidentit, Donald Trump dhe kancelares Merkel nuk ishte e mirë gjatë këtyre viteve. Bosi i imobilieve dhe fizikantja dallojnë jo vetëm në stil, ai me zë të lartë, ajo me zë të ulët, por edhe politikisht, ata janë shumë larg njëri-tjetrit. Si në mbrojtjen e klimës, në tregtinë botërore, politikën e refugjëve apo edhe në krizën e Coronës. Si rrallë Berlini e pret me dëshirë një ndërrim të pushtetit në Uashington. Kjo nuk vlen vetëm për politikën. Në një sondazh të institutit për demoskopi, Civey vetëm rreth 13% e gjermanëve duan një mandat të dytë të Donald Trump. Vetëm përkrahësit e partisë populiste, AfD mbështesin me shumicë Trumpin.
Fasada pëson krisje
“Çdo njeri i arsyeshëm shpreson një fitore të Bidenit më 3 nëntor”, thotë Johannes Kindler. 74-vjeçari ka përjetuar kohën e artë të marrëdhënieve gjermano-amerikane. Ai ka qenë këshilltar i qeverisë në zyrën e kancelarisë, në një kohë që presidentët mbanin emrin Reagan, Bush dhe Clinton.
Këtë ditë ai ka ardhur me biçikletë në zonën e dikurshme amerikane të Bonnit. Rrugët aty janë më të gjera se në pjesën tjetër të qytetit, dhe mbajnë emrin e John F.Kennedy dhe Martin Luther King. Pas lufte në këtë zonë të kryeqytetit gjerman jetuan oficerë dhe punonjës të ambasadës. Pushtimi u kthye në një marrëdhënie aleatësh.
Kindler luante tenis me miqtë nga përtej oqeanit, ishte i ftuar në klubin amerikan, një ndërtesë me pamje nga lumi Rin. Kjo ndërtesë ku qëndruan John F. Kennedy dhe Reagan është kthyer për të në simbol të rrënimit të marrëdhënieve gjermano-amerikane. Kur kalon sot me biçikletë aty, ai shikon një ndërtesë të rrënuar, dyert janë mbyllur me dru. Në vitin 1999 amerikanët hoqën dorë nga zona e tyre e Bonnit, kur Berlini u bë kryeqytet.
Gjermania duhet të veprojë, sido që të jetë
„Më keq nuk bëhet”, thotë Kindler, dhe nuk ka parasysh me këtë rrënimin e ndërtesës, por presidentin aktual amerikan. Por „ajo që harrohet: marrëdhënia e popujve mes njerëzve është shumë më e mirë, se mes qendrave të qeverisë.” Edhe sot Kindler ka shumë miq amerikanë. Pra është prishur vetëm fasada, dhe fundamenti është i fortë?
„Jam i shqetësuar, se edhe fundamenti ose shtyllat e urës transatlantike kanë erozion ose janë dëmtuar”, thotë Peter Beyer nga CDU. Në fund të fundit edhe bota ka ndryshuar shumë. „Kjo është ajo që ne ndoshta për një kohë të gjatë nuk donim ta shihnim, sepse ishte e vështirë. Përgjatë gjithë këtyre dekadave ishte komode të shtriheshe nën mburojën mbrojtëse amerikane dhe të bëje këtu një jetë të mirë. Kjo nuk vazhdon më kështu.” Beyer është i mendimit, se nën një president Biden, komunikimi me Uashingtonin do të përmirësohej me siguri. Por edhe ai do të kërkojë nga gjermanët më shumë vetëpërgjegjësi, thotë Beyer, për shembull për shpenzimet e mbrojtjes. “Kërkesat e SHBA do të ishin të paktën po aq të larta si në kohën e Donald Trumpit.”
Green Deal me Joe Biden?
Këtë e dëshiron Franziska Brantner, zëdhënëse e Të Gjelbërve në Bundestag. “Konfliktet në fqinjësinë tonë të drejtpërdrejtë janë konflikte europiane. Edhe me një president demokrat ne duhet të marrim vetë përgjegjësi në të ardhmen.” Por shpresat e Brantnerit me një president Biden lidhen me klimën. Në një kohë presidenti Trump e vë në dyshim ndryshimin e klimës të shkaktuar nga njeriu, Biden kërkon që SHBA deri në vitin 2050 të jetë neutrals në drejtim të klimës. “Kam vërtet shpresë që Marrëveshja për Mbrojtjen e Klimës e Parisit të forcohet sërish”, thotë Brantner. Ndoshta që të arrijmë edhe një Green Deal transatlantik.
Nën moton „Mrekullueshëm së bashku” Ministria e Jashtme në Berlin festoi vitin e kaluar miqësinë gjermano-amerikane duke hedhur vështrimin në të shkuarën. SHBA ishte dikur një premtim. Në kohën e emigrimit si vendi i ëndrrave për miliona gjermanë të varfër. Pas Luftës së Dytë Botërore një shembull për lirinë, mirëqenien dhe progresin. Në vitin 1990 si kombi që mundësoi bashkimin gjerman. Do të ketë edhe në të ardhmen kaq të përbashkëta të mrekullueshme? Kjo varet nga ajo nëse president tjetër që do të shkelë në Shtëpinë e Bardhë do ta shohë Gjermaninë si kundërshtare apo si partnere.