Një i ri shqiptar humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme në qytetin e Firenzes.
28-vjeçari gjeti vdekjen ndërsa udhëtonte me motor. Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 20:00.
Sipas mediave italiane, i riu po kthehej nga puna për në shtëpi.
Ai ishte rezident në Prato, ku jetonte prej kohësh.
Në momentin e aksidentit, 28-vjeçari udhëtonte me një motor scooter.
Janë ende të paqarta rrethanat se si u përplas me një makinë.
Përplasja ishte aq e fortë sa i riu përfundoi disa metra larg, duke gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur në mediat e vendit fqinj, ishte i martuar dhe kishte një vajzë të vogël.
Bashkëshortja dhe nëna e tij mësohet se shkuan në vendin e ngjarjes, pasi u njoftuan për aksidentin tragjik.
Ato u përballën me skenën e tmerrshme dhe u dërguan në spital për shkak të tronditjes.
Për aksidentin e rëndë autoritetet policore kanë nisur hetimet.