Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne vlerësoi sot themeluesin e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, z.Sabri Skënderi me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Për humanizmin, sakrificat dhe devotshmërinë e treguar ndër vite në shërbim të shumë jetëve njerëzore; për punën e bërë për rritjen e nivelit profesional dhe standardit të kujdesit ndaj pacientëve, në krye të infermierëve shqiptarë”.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Presidenti Meta, duke vlerësuar punën e infermierëve në këtë periudhë të vështirë për shkak të pandemisë, u shpreh:
“Është një moment i veçantë të vlerësoj sot në kushtet e një pandemie që ka përfshirë vendin tonë, por dhe mbarë njerëzimin, një prej infermierëve më të përkushtuar, të kujdesit shëndetësor shqiptar, z.Sabri Skënderi.
E vlerësova këtë propozim të Shoqatës së Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, për ta parë dekorimin e Zv/Presidentit të saj, si një pasqyrim të punës së madhe që është kryer për ndryshimin pozitiv, të kujdesit infermerior në Shqipëri dhe rritjes së standardit të kujdesit ndaj pacientit drejt kërkesave të kohës.
Në këto arritje të organizatës suaj padyshim një rol të dalluar ka kontributi, aftësia organizuese dhe sjellja etiko-profesionale e z.Sabri Skënderi.
Ai është shquar në punën e tij për humanizmin e thellë, profesionalizmin, devotshmërinë dhe sakrificat në shërbim të shumë jetëve njerëzore.
Në aktivitetin e tij të pandërprerë ka lënë gjurmë të pashlyeshme kudo që ka punuar, në krahinën e Frashërit, Dangëllisë e të Përmetit, por edhe në QSUT, duke merituar shumë tituj e dekorata nga përfaqësuesit e qeverisë vendore.
Z.Skënderi punoi dhe kontribuoi ndër vite në mbrojtje të të drejtave të kolegëve të vet, duke e konsideruar profesionin e infermierit si një mision fisnik të rëndësishëm.
Në vitin 1998 bashkë me miqtë e tij infermierë, krijoi dhe udhëhoqi Shoqatën e Infermierëve Shqiptarë, një organizatë kjo elitare e infermierëve shqiptarë që solli ndryshime cilësorë në kujdesin shëndetësor dhe rritjen e nivelit profesional të infermierëve.
Sot roli, kontributi dhe zëri i infermierëve është prezent dhe më shumë se i kërkuar se kurrë. Pavarësisht shkallës së ulët të shpërblimit, aktiviteti i tyre është i pazëvendësueshëm në shpëtimin dhe shërimin e mijëra pacientëve.
Dekorimi i një prej infermierëve të shquar si z.Sabri Skënderi me dekoratën e lartë ‘Nënë Tereza’, vjen sot edhe si një mesazh solidariteti, inkurajimi dhe mbështetje për të gjithë infermierët dhe mjekët shqiptarë, në përballjen e tyre me një nga viruset më të rrezikshëm që ka goditur njerëzimin, pandeminë COVID-19.
Ne sot më shumë se kurrë kemi nevojë për përkushtimin, pasionin, sakrificën dhe profesionalizimin e bluzave të bardha. Shoqëria shqiptare është e vetëdishme për mundin, lodhjen psikologjike dhe fizike, si dhe sakrificën e tyre të përditshme.
Ata më shumë se kurrë kanë nevojë për solidaritetin tonë si shoqëri dhe në radhë të parë për ndihmën e shtetit, për më shumë ilaçe, logjistikë mbrojtëse, ambiente dhe fonde mbështetëse.
Në kushtet e përkeqësimit dramatik të situatës së COVID-19, do të duhet një rillogaritje force, burime financiare dhe një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të. Asgjë nuk është më e shtrenjtë se sa jeta dhe shëndeti i qytetarëve tanë.
Të gjitha kapacitetet dhe potencialet tona njerëzore, organizative dhe financiare, do të duhet të vihen në shërbim të tejkalimit të kësaj situate që po kolapsin gradualisht sistemin tonë të shërbimit ndaj pandemisë.
Të nderuar pjesëmarrës uroj që vlerësimi dhe nderimi për z.Sabri Skënderi, të shkojë për të gjithë Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë dhe të jetë një motivim më shumë për të gjithë anëtarët e tij, që punojnë dhe sakrifikojnë në shërbim të mijëra jetëve njerëzore.
Urime dhe fjalët më të mira për infermierët dhe mjekët tanë. Shëndet, paqe, lumturi për ju dhe çdo familje shqiptare!
Falemnderit!”