INVESTIGIMI: Ndere apo thjesht bujari? Dyshime për donatorët e policisë serbe

0

Featured image of article: INVESTIGIMI: Ndere apo thjesht bujari? Dyshime për donatorët e policisë serbe

Nga Sasa Dragojlo, Ivana Nikoliç

Çfarë kanë të përbashkët një kompani armësh nga Beogradi e futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara, një tregtar makinash i favorizuar për një sërë kontratash fitimprurëse nga qeveria serbe dhe një grup kompanish në qendër të një skandali mbi ndërtimin e një tubacioni gazi?

Të gjitha i kanë bërë donacione policisë serbe, sipas të dhënave të gjashtë viteve të fundit që BIRN i ka parë.

Ekspertë të transparencës thonë se gjetjet duhet të jenë alarmuese përsa i takon konflikteve të mundshme të interesit, lehtësuara nga një ligj që ata thonë se duhet të ndryshojë urgjentisht.

Gjatë rishikimit të BIRN të të dhënave mbi donacionet e bëra për ministrinë e brendshme të Serbisë, dalin në dritë disa emra.

“Partizan Tech” është një prej tyre. Tregtari i armëve me qendër në Beograd u fut në listën e zezë të SHBA-së në fund të vitit 2017 për shkak se punonte për ose në emër të tregtarit serb të armëve Slobodan Tesiç, edhe ky i fundit i futur në një listë sanksionesh të SHBA-së të njëjtin vit sepse i ka dhënë ryshfet zyrtarëve qeveritarë në të gjithë botën për të siguruar kontrata.

Pa miratimin e ministrisë së brendshme, një tregtar privat armësh nuk mund të marrë një leje eksporti. “Partizan Tech” merret rregullisht me armë të blera nga prodhues shtetërorë serbë.

Një donator tjetër është Auto Cacak, importues i makinave Skoda në Serbi dhe, sipas faqes në internet serbe “Insajder”, përfitues i një kontrate shtetërore në vitin 2017 për t’i shitur 710 makina ministrisë së brendshme në një marrëveshje të drejtpërdrejtë të deklaruar sekrete nga qeveria.

Deri në vitin 2016, drejtori i Auto Cacak ishte Milun Todoroviç, një anëtar i lartë i Partisë Progresive në pushtet të Serbisë dhe kryetari aktual i qytetit serb Cacak, ku ndodhet edhe kompania Auto Cacak. Todoroviç ishte ende në listën e pagave të degës së kompanisë në Beograd kur arriti marrëveshjen e vitit 2017 me qeverinë.

Pastaj ka pesë kompani private që, për më shumë se një dekadë, kanë përfituar nga marrëveshjet e tubacioneve me monopolin e gazit në pronësi të Serbisë “Srbijagas” me një vlerë që i kalon 200 milionë euro.

Nuk ka ndonjë ndryshim të madh nëse dikush është donator i një institucioni që kërkohet ta monitorojë atë, apo nëse dikush po i bën dhuratë një organi shtetëror me të cilin bën marrëveshje. Të dy situatat ngrenë dyshime”, tha Zlatko Miniç, një bashkëpunëtor në degën serbe të Transparency International.

“Ligji patjetër që duhet ndryshuar”, tha ai për BIRN.

Donacione të koordinuara

Ligji i Serbisë për Donacionet lejon që individë dhe kompani private të dhurojnë para ose të mira në institucionet shtetërore edhe në rastet kur ato institucione kanë për detyrë të monitorojnë apo edhe të hetojnë të njëjtët individë ose kompani. Vendi nuk ka një regjistër publik të donacioneve, dhe as ndonjë mekanizëm kontrolli për të përcaktuar nëse donacione të tilla mund të ndikojnë në punën e institucioneve shtetërore në monitorimin, hetimin ose goditjen e marrëveshjeve me donatorët e tyre. Në një përgjigje të shkurtër ndaj gjetjeve të BIRN, ministria e brendshme tha që ajo vepron plotësisht në përputhje me ligjin.

Ekspertët, megjithatë, thonë se ligji ka shumë të meta.

Në vitin 2016, Agjencia Kundër Korrupsionit e Serbisë i propozoi qeverisë që të ndryshojë ligjin për të ndaluar kompanitë dhe individët të bëjnë donacione për autoritetet publike që janë të ngarkuara me monitorimin dhe mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të punës së tyre. Qeveria nuk e pranoi propozimin.

Në rastin e pesë kompanive që arritën marrëveshje me “Srbijagas”, ato marrëveshje janë nën hetim nga Prokurori i Krimit të Organizuar i Serbisë për shtatë vjet nën pretendimin se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik, por prokurorët thonë se ministria e brendshme nuk ka arritur të sigurojë të dhënat e nevojshme për ta çuar para hetimin.

Në 2013, Insajder zbuloi se këto pesë kompani, plus një e gjashtë, kishin fituar kontrata, pa tender publik, për të ndërtuar tubacione gazi në të gjithë vendin me vlerë të paktën 242 milion euro.

Disa nga kompanitë e kishin ndarë territorin e Serbisë në mënyrë që të mos garonin me njëra-tjetrën, raportoi Insajder. As “Srbijagas” dhe as gjashtë kompanitë nuk iu përgjigjën kurrë gjetjeve të Insajder.

Pesë nga gjashtë kompanitë shfaqen në listën e donatorëve për ministrinë e brendshme të parë nga BIRN, duke dhuruar së bashku një total prej 200,000 eurosh për periudhën që BIRN mundi të shohë.

Në dy raste, në vitin 2017 dhe 2018, secila kompani i dhuroi saktësisht të njëjtën shumë të njëjtave departamente të ministrisë – 26,000 euro stacionit të policisë në qytetin verior të Novi Sadit, ku është selia e “Srbijagas”, dhe më pas 13,000 euro Drejtorisë së Policisë Penale në Beograd.

“Nuk ka asnjë shpjegim logjik përveç se ky donacion është kryer sipas ndonjë qëllimi të fshehtë”, tha Bojan Elek, një studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë.

Firma të favorizuara

Një nga këto të pesta është firma e ndërtimit me qendër në Beograd “Millennium Team”, e cila vetëm në dy komuna serbe – Smederevo dhe Grocka – fitoi kontrata tubacioni me vlerë totale prej gati 60 milion eurosh. Firma është në pronësi të Ivan Bosnjak dhe Stojan Vujko, të cilët u shfaqën në një video të fushatës zgjedhore të vitit 2012 për Partinë Socialiste bashkëqeverisëse të Serbisë, nga e cila drejtori i “Srbijagas”, Dusan Bajatoviç, është një zyrtar i lartë.

“Millenium Team” është gjithashtu një kontraktor në “Beograd Ëaterfront”, një projekt i madh rizhvillimi në kryeqytetin serb dhe një projekt i nënshkruar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, kryetari i Partisë Progresive në pushtet.

Në vitin 2016, një pjesë e ndërtesave në një lagjeje në Beograd u rrafshuan gjatë natës për të hapur rrugë për rizhvillimin, dhe një dëshmitar okular tha se buldozerët e përdorur ishin nga “Millenium Team”, sipas faqes investigative KRIK.

Pavarësisht presionit të shoqërisë civile dhe premtimeve nga kryeministri i atëhershëm Aleksandër Vuçiç se çështja do të hetohej, askush nuk është mbajtur përgjegjës për shembjen e tyre. “Millenium Team” mohoi çdo përfshirje. Prokurorët përsëri vazhdojnë ta mbajnë pezull hetimin.

“Kërkesat për veprim të shpejtë që prokuroria i dërgon Ministrisë së Brendshme janë absurde”, tha Elek, “pasi kjo do të thotë se ata praktikisht po i luten policisë të bëjë punën e saj.”

“Millenium Team” është gjithashtu i përfshirë në ndërtimin e apartamenteve për anëtarët e policisë, ushtrisë dhe shërbimeve të sigurisë në qytetet jugore serbe të Nishit dhe Vranjës, duke lidhur kontratat prej 13.1 milion eurosh në dhjetor 2018 si pjesë e një konsorciumi me kompaninë turke “Tasyapi” .

Çmimi ishte dy milion euro më i lartë sesa ajo që kishte parashikuar shteti para shpalljes së tenderit, por megjithatë u aprovua. Në mars të vitit të kaluar, një zyrtar i “Tasyapi”, i identifikuar vetëm me inicialet O.M., u akuzua për ryshfet në të njëjtin projekt. Kundër “Millenium Team” nuk u ngrit asnjë akuzë.

Një tjetër nga pesë kompanitë është është Grupi Promont, në bashkëpronësi të biznesmenit të lindur në Malin e Zi Milinko Cicmil.

Promont ka lidhur marrëveshje gazi në Serbi me vlerë të paktën 32 milion euro në vitin 2018 dhe 2019 dhe është një investitor i madh në turizëm në provincën veriore të Vojvodinës të Serbisë. Resorti i tij “Fruske Terme” u mbështet publikisht dhe u subvencionua nga qeveria serbe. Vuçiç dhe drejtori i “Srbijagas”, Bajatoviç, e vizituan atë në fund të vitit të kaluar.

Pastaj është “Bobar Beska”, një nga kompanitë më të mëdha në Novi Sad dhe një donatore e klubit të futbollit Vojvodina, ku Bajatoviç është drejtor i përgjithshëm.

Një tjetër prej firmave është “Gas Invest”, në pronësi të Marko dhe Aleksandra Babarogiç. Ata ishin gjithashtu drejtor dhe sekretare e një kompanie tregtare off-shore të quajtur “STOUNC Inc”, me Leticia Montoya dhe Francis Perez – të ashtuquajtur “drejtorë fantazmë”, të cilët figuruan vazhdimisht në rrjedhjen e të dhënave Panama Papers në vitin 2016.

Të pesta kompanitë i kanë shumëfishuar xhiron e tyre gjatë dekadës së fundit.

Donacione nga kompania “problematike” e armëve

“Partizan Tech” dhuroi një total prej gati 10,000 euro për ministrinë e brendshme në 2017, sipas të dhënave të marra nga BIRN. Fondet u caktuan për blerjen e 10 pistoletave Beretta.

Kompania është një nga disa të tilla në pronësi ose që kontrollohen nga tregtari i armëve Slobodan Tesiç dhe i cili, sipas raportimeve të mediave investigative, ka blerë armë nga prodhuesi shtetëror “Krusik” me çmime të reduktuara. Për të operuar, “Partizan Tech”, si çdo firmë tjetër që dërgon armë jashtë vendit, ka nevojë për një licencë eksporti, e cila nga ana tjetër kërkon miratimin e ministrisë së brendshme.

Aktualisht në listën e zezë nga SHBA-ja, Tesiç ishte subjekt i një ndalimi udhëtimi nga Kombet e Bashkuara për rreth një dekadë deri në nëntor 2013 për shkeljen e një embargoje liberiane armësh. Në vitin 2014, ministria e jashtme e Serbisë i dha atij një pasaportë diplomatike. Nuk dihet nëse nëse ministria rinovoi pasaportën e tij diplomatike në 2019.

Elek tha se donacionet e “Partizan Tech” për ministrinë e brendshme ishin “padyshim problematike”, duke thënë se marrëdhënia ngjante si një lloj “shkëmbimi influence”.

Dëshira e ministrisë për makina Skoda

Në vitin 2014, “Auto Cacak” ra dakord t’i dhuronte të paktën 400,000 dinarë, afërsisht 3,400 euro, policisë serbe, sipas të dhënave të siguruara nga BIRN.

Kompania erdhi në vëmendjen e publikut në vitin 2017, kur ministria e brendshme bleu 710 makina Skoda në një tender të drejtpërdrejtë. Kontrata u deklarua sekrete nga qeveria pas një thirrje publike dhe kërkesave për të drejtë informimi nga gazetarë të ndryshëm.

Ndërsa Todoroviç, një anëtar i kryesisë së Partisë Progresive, nuk ishte më drejtor i “Auto Cacak” në vitin 2017, ai ishte ende në listën e pagave të degës së kompanisë në Beograd kur ish-ministri i brendshëm Nebojsa Stefanoviç, një koleg partie, i dorëzoi në mënyrë ceremoniale komandantëve të policisë çelësat e makinave.

Duke refuzuar të zbulonin detajet e marrëveshjes për makinat Skoda, zyrtarët e policisë cituan një vendim të qeverisë, i cili, në fakt, nuk u miratua kurrë zyrtarisht. Kryeministrja Ana Brnabiç tha se kushtet ishin mbajtur sekret për shkak të “specifikimeve” të automjetit, por që rregullat u respektuan pasi ministria kishte negociuar gjithashtu edhe me kompani të tjera.

Ministria e brendshme i refuzoi kërkesat e BIRN për të parë kushtet, edhe pasi Komisioneri i Serbisë për Informacione me Rëndësi Publike urdhëroi që ato të bëheshin publike. BIRN gjithashtu paditi qeverinë në vitin 2018 pasi ajo i shpërfilli dy herë kërkesat për të drejtë informimi për të treguar vendimin që e deklaronte marrëveshjen si konfidenciale. Në prill të vitit të kaluar, një gjykatë vendosi në favor të BIRN dhe i bëri thirrje qeverisë që të përmbushte kërkesën e BIRN. Qeveria përsëri refuzoi.

“Auto Cacak” i ka shitur edhe më parë makina shtetit. Në vitin 2004, Delta M dhe Porsche u ankuan kur qeveria bleu 200 makina nga “Auto Cacak”, duke argumentuar se ata kishin paraqitur oferta më të mira. Marrë nga Birn

Artikulli i mëparshëmBE përgënjeshtron Veliajn për shkollën ‘Sami Frashëri’: Nuk financohet nga ne!
Artikulli i radhësSPAK vendos mosfillimin e procedurës për anëtaren e KPK, Brunilda Bekteshi