Kryeministrit i jepet e drejta të shpallë të paaftë Presidentin! Ja si kalojnë kompetencat e Kreut të Shtetit te kryetari i Kuvendit

0

Në projektligjin e maxhorancës për kompetencat e Presidentit të Republikës, bie në sy një nen i veçantë për “pamundësinë e ushtrimit të detyrës” nga ana e Kreut të Shtetit.

Neni 9 i projektligjit të propozuar nga deputetët e maxhorancës i jep kompetence, Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Shëndetësisë apo çdo Kryetareve të Grupeve Parlamentare për të vënë në lëvizje Kuvendin në shpalljen e pamundësisë së Presidentit për të ushtruar detyrën.

Për të shpallur paaftësinë e Presidentit, Kuvendi ngre një Komisioni Hetimor merr një grup prej 5 mjekësh specialist, të cilët konstatojnë gjendjen e Presidentit dhe përcaktojnë paaftësinë afatgjatë apo afatshkurtër të tij.

“Presidenti i Republikës ndodhet në pamundësinë e ushtrimit të detyrës në rastet kur për motive shëndetësore, e ka të pamundur perceptimin e mjedisit rrethues ose kur për çfarëdo lloj rrethane tjetër e ka të pamundur komunikimin e lirë e të vullnetshëm. Pamundësia fizike për të ndjekur agjendën e punëve nuk përbën në vetvete shkak për vërtetimin e rastit të pamundësisë.

Pamundësia e ushtrimit të detyrës është e përkohshme ose afatgjatë. Pamundësia është afatgjatë në rastet kur Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë. Pamundësia është e përkohshme kur zgjat nga 24 orë deri në 60 ditë”, thuhet në nenin 9.

Pas këtij qëndrimi, kompetencat e Presidentit i kalojnë Kryetarit të Kuvendit deri në zgjedhjen e një Presidenti të ri.

Po kush e konstaton pamundësinë për të ushtruar detyrën?

Sipas pikës 3 të këtij neni konstatimi i pamundësisë bëhet sipas rastit dhe rrethanave nga Zonja e Parë, drejtori i kabinetit të Presidentit ose sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Kryeministri, Ministri i Brendshëm ose i Shëndetësisë, si dhe nga çdo kryetar grupi parlamentar, të cilët vënë në dijeni Kuvendin menjëherë.

Komision hetimor për pamundësinë e ushtrimit të detyrës

Në pikën 4 të nenit thuhet se “për deklarimin e pamundësisë së përkohshme apo afatgjatë, Kuvendi ngre komision hetimor me detyrën për të shqyrtuar dhe vërtetuar rrethanat e rastit të pamundësisë. Kur pamundësia konstatohet për motive shëndetësore, atëherë komisioni hetimor cakton jo më pak se 5 mjekë, specialistë në fushën përkatëse mjekësore, për t’u shprehur për gjendjen shëndetësore të Presidentit të Republikës. Ekspertiza mjekësore duhet të shprehet, përveç diagnozës dhe protokollit të trajtimit mjekësor edhe për prognozën e sëmundjes dhe ndikimin e saj mbi ushtrimin e detyrës.

Ndërsa pika 5 e nenit thotë se  “Komisioni hetimor mund të deklarojë pamundësinë afatgjatë të ushtrimit të detyrës vetëm në rast se rrethanat e rastit krijojnë bindjen, jashtë çdo dyshimi, se Presidentit i Republikës nuk mund t’i kthehet ushtrimit të detyrës brenda 60 ditëve nga konstatimit i pamundësisë. Përndryshe deklarimi i pamundësisë bëhet vetëm me efekt të përkohëshëm”.

Kur detyra e Presidentit i kalon Kryetarit të Kuvendit

Në pikën 6 të nenit thuhet se  “Kur komisioni hetimor konstaton pamundësinë e përkohëshme të ushtrimit të detyrës, çështja i kalon për vendimmarrje Kuvendit, i cili vendos me shumicën e votave të të gjithë deputetëve që ushtrimi i përkohëshëm i detyrës së Presidentit të Republikës të bëhet nga Kryetari i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e Presidentit të Republikës deri në rikthimin në detyrë të tij.

Kur fillon zgjedhja e Presidentit të ri?

Pika 7 e nenit sqaron se  “Kur komisioni hetimor konstaton pamundësinë afatgjatë të ushtrimit të detyrës ose kur pamundesia e përkohëshme sipas pikës 6 të këtij neni ka zgjatur 60 ditë, Kuvendi, me dy të  tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë afatgjatë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga data e vërtetimit të pamundësisë. Kryetari i Kuvendit ushtron detyrën e Presidentit të Republikës deri në fillimin e detyrës nga presidenti i ri”.

Neni i ligjit
Artikulli i mëparshëmRëndohet gjendja e naftëtareve: Rama të mbajë fjalën
Artikulli i radhësQeveria refuzon kërkesën e FSHF-së për tifozët