Mund të rezultosh pozitiv me Covid-19, por ndodh që përgjigjen e tamponit të mos e marrësh asnjëherë.
Kështu ka ndodhur me një grup qytetarësh. Tv Klan mëson se 9 qytetarë i kanë bërë testet që me datë 25 Tetor. Mostrat janë analizuar në Institutin e Shëndetit Publik më 30 Tetor. Më 31 Tetor përgjigjet i janë dërguar në mënyre elektronike operatorit të kujdesit shëndetësor dhe çdo epidemiologu që ka marrë mostrën. Dy prej të testuarve kanë rezultuar pozitivë. Por asnjë prej të testuarve nuk është njoftuar për rezultatin, as më 31 Tetor, më 1, 2, 3 apo 4 Nëntor.
Në vend që autoritetet t’i njoftonin dhe t’i vinin nën mbikëqyrje mjekësore, i kanë lënë ata të painformuar, duke rrezikuar në këtë mënyrë përhapjen e pandemisë, pasi këta persona mund të kenë infektuar të tjerë. Epidemiologët thonë se ata e kanë shpërndarë infeksionin edhe nëse kanë qenë asimptomatikë.
“Një infektuar mund të infektojë me shpejtësi të paktën 3 të tjerë, ka dhe persona që janë super shpërndarjes që mund të infektojnë një numër më të madh dhe më e keqja është që një pjesë e këtyre janë pa shenja klinike, sidomos të rinjtë dhe këto mund të infektojnë shumë paralelisht dhe ky është një burim i madh infeksioni në popullatë pa dyshim…”
Institucionet shëndetësore refuzuan për 4 ditë me radhë edhe interesimin e Tv Klan për fatin e këtyre tamponëve, duke injoruar shqetësimin e qytetarëve dhe duke e thelluar skandalin.
Bazuar në protokollet mbi mënyrën e marrjes së tamponit dhe dhënies se rezultatit, është epidemiologu i terrenit ai që vë kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe që më pas u japin dhe përgjigjet nëpërmjet telefonit.