Dani Alvesh nuk mendohet dy herë sepse i thotë gjërat e vërteta dhe ashtu siç i ndien. Mbrojtësi brazilian flet për aventurën e tij te Barcelona, analizon vitin që kaloi te Juventusi dhe thotë se katalanasit aktualisht kanë humbur identitetin dhe nuk janë një ekip fitues. Veterani tregon edhe raportin që ka me Mesin dhe i këshilloi që të mos largohej sepse do të pendohej një ditë.
BARCELONA – “Më përpara Barcelona kishte identitet, ndërsa tani është një klub që blen dhe shet futbollistë. Ka shumë lojtarë të vlefshëm dhe cilësorë, por nuk kanë filozofinë e këtij klubi”.
TRANSFORMIM – “Është duke u përpjekur që të ndryshojë filozofinë dhe është normale që të ketë probleme. Për mendimin tim, ka humbur identitetin dhe duhet të kalojë një proces i vështirë për ta rikuperuar atë”.
BARTOMEU – “Menaxhimi i klubit ishte si ishte, por presidenti ndoshta ka qenë i këshilluar keq. Për mendimin tim, Barcelona tani nuk ka më asnjë filozofi dhe asnjë plan konkret për ringritjen”. 2-8 – “Është një humbje që djeg, por ajo ndeshje ishte një goditje për të treguar dhe për të kuptuar që po i bën gjërat keq. I ndodhi Brazilit kundër Gjermanisë dhe nuk do të ndodhë më kurrë. Barcelona ka humbur identitetin dhe sigurisht që do të vuajë”.
LARGIMET – “Largimet e Suarezit, Rakitiçit apo të tjerëve janë si rrjedhojë e atyre që kanë ndodhur. Tani Barcelona është skuadër komerciale dhe ne futbollistët jemi produkte”.
KUMAN – “Realisht skuadra aktuale më pëlqen me aq sa kam parë. Ka individualitete, por duhet të rikuperojnë esencën e këtij klubi”.
LARGIMI – “Nëse do ta kisha unë në dorë, do të qëndroja gjatë gjithë jetës këtu, por m’u duk mungesë respekti që donin të më largonin nga dera e pasme. Nëse do të më trajtonin ashtu siç duhet, do të kisha qëndruar te Barcelona. Unë refuzova shumë para nga Reali i Madridit, që duam apo nuk duam, është klub i madh, vetëm për të luajtur në ‘Camp Nou’. Nuk duhet të më trajtonin në atë mënyrë. Doja të largohesha kur ta mendoja unë. E dija që donin të më nxirrnin jashtë klubit, por askush nuk kishte folur për kontratën time”.
JUVENTUSI – “Shkova aty për t’i treguar Barcelonës që isha ende në një nivel të lartë dhe mund të luaja. Kisha bo… për të thënë që ‘Camp Nou’ ishte shtëpia ime dhe doja të rikthehesha. Por ata nuk kishin bo… për ta pranuar që kishin gabuar”.
SITI DHE PSG – “Unë kisha arritur marrëveshjen me Guardiolën, por familja ime shkoi në Paris. Më telefonoi gjithashtu edhe Nejmari, por pastaj Pep nuk donte që të më merrte”. Mesi – “Kisha një raport të shkëlqyer me Mesin si në fushë dhe jashtë saj. Tani duket që ka mbetur i vetmuar dhe kjo ka ndodhur prej faktit që Barça ka humbur identitetin”.
BUROFAKSI – “I dërgova një mesazh për t’i thënë që të mos largohej nga Barcelona. Edhe ai bëri të njëjtën gjë kur unë doja të largohesha. Më tha që të mos ikja. Nuk më ktheu përgjigje pas mesazhit që i çova, por e di që e ka parë”.
NEJMAR – “Të gjithë lojtarët që largohen nga Barcelona pendohen një ditë. Kjo është e sigurt 100%. Viti im te Juventusi ishte viti më i keq i gjithë karrierës sime. Unë doja që gjërat të ishin si te Barcelona në aspektin sportiv, por nuk ishin. Duhet të sajohesha si lojtar në heshtje”.
DEST – “Krahasimet mes lojtarëve nuk janë të mira. Normalisht që secili duhet të ketë një pikë referimi për t’u rritur, por vetëm kaq. Nëse do t’i jepja një këshillë, është që t’i pasonte Mesit”.
KSAVI – “Do të jetë trajner i Barcelonës në të ardhmen. Ai është një person shumë metodik dhe kërkon organizim të mirë në klub. Ksavi nuk mund të shkojë në një skuadër pa projekt”.
POZICIONI – “Ndonjëherë luaj më shumë i avancuar, ndërsa herë tjetër më i tërhequr në funksion të ndeshjes dhe kundërshtarit. Loja që më pëlqen është ajo me topin”. Numri 10 – “E vërteta është që nuk kishte më numra të lirë (qesh). Unë jam një lojtar për numrin 2, 3 apo katër, por më rastisi që të mbaj numrin 10. Nuk merrem shumë me shifrat. Nuk e shoh shumë numrin sepse është pas shpinës sime. Përpara kam stemën e skuadrës që mbroj dhe kjo është e rëndësishme”.