Padyshim që kjo e diel është një ditë e trishtë për të gjithë shqiptarët, pasi zemrat e tyre u prekën nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të aktorit të dashur, Koço Devole. Ky i fundit ndërroi jetë në spitalin Infektiv, pasi ishte prekur nga koronavirusi.
Aktori i humorit kishte rezultuar me COVID-19 më 20 tetor, ndërsa gjendja e tij si fillim kishte qenë mesatare, dhe mushkritë i ishin prekur rreth 50%. Për shkak edhe të një sëmundje të rëndë në gjak (Leuçemi), shëndeti i Devoles ishte përkeqësuar ndërsa ishte shtruar në spital.
Pasi qëndroi për disa ditë në spital, kishte ikur në banesë, për të vijuar trajtimin e tij, por gjendja ishte përkeqësuar. Pas kësaj situate, Devole ishte rishtruar në spital, ku edhe përfundoi në intubim pas përkeqësimit të situatës. Ai qëndroi për gati 8-9 ditë në intubim, ndërsa nuk mundi të shpëtonte.