Fitorja e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përshëndet në Gjermani menjëherë pasi u bë e njohur.
Kancelarja Angela Merkel i uroi Bidenit “nga zemra fat dhe sukses”.
“Miqësia jonë transatlantike është e pazëvendësueshme, po të duan të përballojmë sfidat e mëdha të kësaj kohe”, shkroi Merkel në një profil të Twitterit, të shpërndarë nga një zëdhënës i Qeverisë.
Lehtësimi që ndihet në këto fjalë të kancelares shpjegohet me të panjohurën e madhe, që i priste marrëdhëniet midis Gjermanisë, Evropës dhe SHBA-së me një mandat të dytë të Donald Trumpit.
Ai pason habinë fillestare në Gjermani, pas prognozave të para kur u mbyllën kutitë e votimit. Të gjitha sondazhet paraprake sugjeronin një fitore të thellë që në krye për Joe Bidenin. Por mbyllja e kutive të votimit tregoi pa pritur se sa e madhe vazhdon të jetë në SHBA mbështetja për Donald Trumpin.
Me gjithë fitoren e dukshme të Bidenit, rezultatet që njihen të këtyre zgjedhjeve presidenciale qartësuan edhe një fakt: se zgjedhja e Donald Trumpit president, katër vjet më parë, nuk ishte aksidentale. Triumfi i Trumpit qe kurorëzimi i një zhvillimi në SHBA e në botë, jo shkaktari i tij.
Rezultatet konfirmojnë se SHBA janë të ndara thellësisht. Bideni potencon faktin se ka fituar mbi 74 milionë vota të popullit. Kurse Trumpi, i përgatitur tani për një betejë ligjore për rezultatet, thotë se me 71 milionë vota, ai ka marrë më shumë vota se çdo president tjetër i SHBA në detyrë.
Sidoqoftë, mbështetja masive, e papritur jashtë SHBA-së, për Trumpin tregoi se për miliona vetë në vend janë të pranueshme qëndrime, sjellje, veprime të politikanëve, për të cilat në Evropën demokratike politikanët do të skualifikoheshin.
Opinioni publik në Gjermani dhe në Evropë është shumë i ndjeshëm. Për shembull, për raportin publik që kanë liderët me të vërtetën, me faktet, apo për qëndrimin që mban një lider ndaj njerëzve me ngjyrë apo me fe tjetër.
Kurse në SHBA një pjesë shumë e madhe e amerikanëve të bardhë shohin si urgjente çështje të tjera.
Duket se ata kanë frikë se po u ikën nga duart kontrolli mbi vendin e tyre: përballë emigrantëve të vjetër e të rinj, ata mendojnë se shtete të huaja apo organizma të fuqishme po i mashtrojnë amerikanët, se problemet që kanë ata burojnë nga fakti se elita politike e ekonomike në SHBA vazhdon të pasurohet.
Në këto shqetësime ka elementë të justifikuar e të vërtetë. Por kjo nuk është kryesorja. Fakt që është që deri para Trumpit pakkush i kishte bërë shumë amerikanë të bardhë, kryesisht njerëz të thjeshtë, të besonin se mund t’u zgjidhen këto halle.
Donald Trumpi u përçoi me mjeshtëri ndjesinë e shpëtimtarit. Kjo ndjesi rezultoi më e rëndësishme për ta se çdo teprim i presidentit. Dhe ata e shpërblyen sërish Trumpin në kutitë e votimit, duke ia falur e justifikuar edhe menaxhimin që i bëri pandemisë COVID-19.
Bideni mirëpritet në Gjermani
Joe Bideni është politikan, në dallim nga Donald Trumpi, që është biznesmen. Bideni ka qenë zëvendëspresident në administratën e Barack Obamas. Dhe e ka nisur karrierën që në vitin 1972, kur bota kishte më shumë rregulla.
Pritet që stili i komunikimit dhe toni i Bidenit të jenë të ndryshme nga ato të presidentit Trump. Pak vetë dyshojnë që Bideni do të sillet me respekt me aleatët.
Nga një president si Biden në Gjermani e presin që të riparojë deformimet e katër viteve të fundit, në marrëdhëniet me Gjermaninë. Ai ka thënë se do ta rishikojë vendimin e Trumpit për të tërhequr një të tretën e 36 mijë ushtarëve amerikanë, që janë stacionuar në Gjermani.
Bideni ka qëndrim të ngjashëm me Gjermaninë ndaj Rusisë: qëndrim kritik, por realist.
Ashtu si Gjermania, Joe Bideni është për mbrojtjen e klimës. Deklarata e tij se SHBA-ja do të aderojë sërish në Marrëveshjen e Parisit për Klimën, po u zgjodh ai president, u regjistrua me vëmendje në Gjermani.
Por një kthesë 180 gradëshe në marrëdhëniet dypalëshe, në Gjermani nuk e presin as me Bidenin. Që në vitin 2017 kancelarja Merkel tha se, “ne duhet ta marrim në duart tona fatin tonë, natyrisht në miqësi me SHBA”.
Problemet që pritet të mbeten edhe me Bidenin
Në ekonomi, besohet që fërkimet tregtare me Bashkimin Evropian do të mbeteshin pak a shumë të njëjta. Sipas disa vëzhguesve, edhe Bideni është proteksionist. Ai mbron koncepte që orientohen në tregun e brendshëm amerikan.
Të tjerë thonë se fakti që ai e ka rrethuar veten me këshilltarë të sigurisë të Obamas, do të ndikojë që ai të riafrohet me multilateralizmin liberal.
Por edhe Bideni dhe ekipi i tij tërheqin vëmendjen se bota dhe SHBA kanë ndryshuar thellësisht katër vitet e fundit.
Në politikën e jashtme, në këto katër vjet, Gjermania dhe Evropa janë larguar disi nga shikimi se SHBA-ja si qendër e botës. Ka nisur një emancipim, për ta marrë fatin vetjak në dorë. Fjala për “sovranitetin evropian” dëgjohet tani si në Berlin, ashtu edhe në Paris. Këtë e ka ndikuar edhe fakti që Evropa nuk ka më rëndësinë e mëparshme për SHBA-na. Vëmendja amerikane tani është përqendruar te Kina dhe te Rusia.
Për sa i përket Joe Bidenit, pozicioni i tij ndaj Kinës është i ngjashëm me atë të Trumpit.
Nga ana tjetër, edhe për Evropën, tani kanë fituar rëndësi të re marrëdhëniet me Kinën. Megjithëkëtë, nisur nga mënyra si e vështrojnë botën sot në Gjermani është e qartë: në rast detyrimi për të vendosur mes Kinës apo SHBA-së, Gjermania do të vendoste për SHBA-në. SHBA-ja mbeten aleati kryesor.
Pak ndryshime në qëndrimin amerikan ndaj sigurisë
Në politikën e sigurisë, presioni mbi Bashkimin Evropian, mbi Gjermaninë për të shtuar investimet në mbrojtje pritet të vazhdojë. Aq më tepër që kjo këmbëngulje amerikane ka nisur që në kohën e Obamas.
Njëkohësisht, gjithnjë e më shumë, në opinionin publik gjerman kërkesat amerikane në këtë drejtim po gjejnë mbështetje. Politikanë dhe analistë kërkojnë që Gjermania (dhe Evropa) të ndërgjegjësohet për peshën që ka në politikën evropiane e botërore – dhe të veprojë në përputhje me këtë. Me një politikë të jashtme më të vendosur, duke shtuar misionet ushtarake për paqen, mbrohen më mirë edhe interesat vetjake. Një politikë e jashtme pa kërcënim ushtarak nuk ka fuqinë e duhur, kujtoi këto ditë një studiues.
Për sa i përket NATO-së si organizatë e përbashkët, me Bidenin atë e pret një e ardhme më e mirë. Në një intervistë të enjten e kaluar Bideni tha se gjëja e parë që do të bënte pas zgjedhjes së tij do të ishte t’u telefononte udhëheqësve të Aleancës për t’u thënë se mund të mbështeten përsëri te SHBA-ja.
Po të kishte fituar sërish Presidenti Trump
Jo pak vëzhgues thonë se katër vjet administratë Trump ishin të përballueshme, por katër vjet të tjera do të kishin sjellë ndryshime të qëndrueshme në të ardhmen e Perëndimit. Të Perëndimit në kuptimin e grupit të shteteve që ndajnë vlera të përbashkëta, vlera të lirisë, të një rendi liberal botëror.
Një reduktim i Perëndimit në një koncept etnik-nacional ka kohë që po zë vend në botë. Në BE ky koncept ka ende pak mbështetës. Për sa i përket Donald Trumpit ai nuk është larg këtij përfytyrimi, Perëndimin ai e sheh më tepër si identitet kulturor të përbashkët. Dhe me të edhe një pjesë e madhe e amerikanëve, që e mbështetën atë fuqimisht edhe në këto zgjedhje.
Një mandat tjetër të Trumpit do ta kishin ndjerë edhe marrëdhëniet Evropë-SHBA, pra BE-SHBA. Presidenti Trump dihet që e shpalli si kundërshtar Bashkimin Evropian, kryesisht në politikën tregtare. Ai u përgatit t’i vërë sanksione, dogana Bashkimit Evropian.
U vendos një “armëpushim” për këtë në vitin 2018, i negociuar nga ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Por paralajmërimet amerikane ndaj BE nuk pushuan dhe disa sanksione amerikane ndaj produkteve evropiane tashmë janë vënë.
Në mesazhin e kancelares Merkel, që aktualisht kryeson edhe Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, ndihet shpresa që në marrëdhëniet dypalëshe të rikthehet një komunikim i denjë për partnerët. Një rregull bazë i të gjitha negociatave vlen edhe në marrëdhëniet BE-SHBA: nga një kuadër miqësor përfitojnë të gjitha palët, sado diverguese t’i kenë interesat. /Deutsche Welle/