Ndërkohë që koronavirusi po bën kërdinë dhe spitalet janë në kolaps, me të sëmurë që trajtohen në ambulanca, janë shumë njerëz që mezi presin t’u bëhet tamponi.
Por edhe tamponi bëhet me mik. Gazetari Driçim Caka ka bërë një denoncim të fortë në FB, referuar kryeinspektores Areti Beruka, e cila u bë e famshme me deklaratat e saj se mezi pret që të vijë koronavirusi në vend.
“Shumë shqiptarë presin të bëjnë tamponin. Kanë të gjitha simptomat e Covid-19, por askush nuk u shkon në banesë.
Teksa virusi përhapet me shpejtësi, Areti Beruka, kryeinspektore e Shëndetit në Tiranë më rastisi në një prej lokaleve të Tiranës ditën e diel.
Nuk e njoha, por më tërhoqi vëmendjen fraza: Merr në telefon dhe thuaji që je mikja e imja dhe të vijnë sot të të bëjnë tamponin.
“Thuaj e kam pasur vartëse doktoreshën dhe të vijnë me urgjencë për të të marrë tamponin, ç’ke ti, merrem unë”, – shprehej tërë siguri Areti Beruka.
Ishin 2-3 telefonata ku znj.Beruka përmendte fjalën “mik” dhe i sugjeronte t’i shpjegonte operatorit që ishte e njohur me të.
Njoh plot miq këto javë që telefonojnë 127 për të bërë tamponin pasi kanë simptoma, por askush nuk u ka shkuar ende.
Deri dje luteshin mjekë të caktuar që të kishim raste me Covid-19 në Shqipëri, sot i bëjnë tamponin vetëm miqve.
Dhe pastaj themi që virusi është përhapur ngado…,” shkruan gazetari.